Ndërlidhjet

"PËR TË LUFTUAR TERRORIZMIN DUHEN LIGJE TJERA..."


Andrew F. Tully


Pas sulmeve terrroriste në Amerikë, organet e judikaturës dhe shërbimet e zbulimit shfaqën brengosjen për faktin që nuk kanë mbështetje të fortë ligjore për ndjekjen efektive të terroristëve dhe përkrahësve të tyre në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Prokurori i përgjithshëm amerikan John Ashcroft thotë se Kongresi duhet të zgjërojë kompetencat e organeve të hetuesisë, për të mundësuar rezultate të suksesshme në zbulimin dhe çrrënjosjen e rrejtit terroristë brenda territorit amerikan.
“Lufta kundër terrorizmit duhet të jetë prioriteti kryesor i Departamentit për judikaturë. Në bisedat me anëtarët e Kongresit lidhur me domosdoshmërinë e ndryshimeve legjislative që do të mundësojnë një luftë shumë më efektive kundër terrorizmit, kam hasur në përkrahjen e tyre. Këto ndryshime duhet të jenë gati për shqyrtim brenda disa ditëve të ardhshme“, bëri të ditur zoti Aschroft.
Të brengosura ndërkaq për mundësinë e kufizimit të lirive, me të cilat mburret shoqëria amerikane, afro 100 grupe të njohura amerikane për të drejtat e njeriut kanë formuar koalicionin “ Në mbrojtje të lirisë”.
Ky koalicion kërkon nga Kongresi që, gjatë adresimit të shqetësimeve të organeve të hetuesisë dhe të shërbimeve të zbulimit, të ketë kujdes të posaçëm për liritë e shoqërisë bashkëkohore amerikane, thotë një nga themeluesit e koalicionit “Në mbrojtje të lirisë “, Bredlli Xhonson:
“Tragjedia e fundit është pasojë e dështimit të organeve shtetërore dhe të shërbimeve të zbulimit.
Ne duhet t’i korigjojmë ato dhe të pengojmë përsëritjen e tyre në të ardhmën, por jo në mënyrë që problemin të bëjmë edhe më të rëndë, por që ta zgjidhim atë “.
Stanley Cohen, është avokat i komunitetit mysliman në Shtetet e Bashkuara.
Duke rikujtuar trajtimin e ashpër të japonezëve në Shtetet e Bashkuara, dërgimin dhe mbajtjen e tyre në kampet e tipit të hapur, pas sulmit të avionëve japonezë në Pearl Harbor, më 1941, ai pohon se shërbimi për sigurinë e brendshme, FBI, gëzon kompetenca të mëdha për ndjekjen e të dyshuarëve:
“Të drejtat e të gjithë amerikanëve ndodhen në duart e shërbimit FBI. Thjesht ne nuk kemi nevojë për ligje dhe autorizime të reja. Rikujtoni me këtë rast vetëm fatin e qytetarëve amerikan me origjinë japoneze, gjatë Luftës së Dytë Botërore “, argumenton avokati Cohen.
Leo Ribuffo, profesor i historisë së shekullit të XX-të, në universitetin “George Uashington “, me seli në kryeqytetin amerikan, nuk është i shqetësuar për mundësin e ngushtimit radikal të të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë gjatë fushatës anti-terroriste:
“ Unë nuk jam i mendimit se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për më shumë ligje.
Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara kanë ngritur një sistem të qëndrueshëm për sigurinë kombëtare, i cili nuk është vënë në rrezik“, thotë profesori Ribuffo.
Ai pret vetëm disa modifikime teknike të ligjeve egzistuese për sigurinë kombëtare:
“Më lejoni t’ju them si historian: në të gjitha luftërat, në të gjitha ndeshjet ndërmjet shteteve apo forcave kundërshtare, të drejtat e njeriut pësojnë në një farë mënyre. Sa do të pësojnë tani, do të varet nga gjatësia e luftës”.

XS
SM
MD
LG