Ndërlidhjet

SHKUP


I dërguari i Shteteve të Bashkuara, James Pardew, ka deklaruar se në Maqedoni po vërehet një tendencë për të manipuluar opinionin publik vendor dhe shfrytëzuar dhimbjen e Perëndimit me qëllim që të diskreditohet marrëveshja e paqes. Pardew tha se janë të pavend krahasimet mes asaj që ndodhi javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe asaj ç’ka ngjarë në Maqedoni si dhe përpjekjet për të barazuar guerrilasit shqiptarë me terroristët që sulmuan SHBA. “Krahasimet janë tërësisht të gënjeshtërta…kam informuar qeverinë se ne i kundërvihemi përpjekjes për të përdorur tragjedinë amerikane për avantazhe politike lokale” – u shpreh James Pardew, në një intervistë të publikuar nga Reuters. I dërguari special i Uashingtonit në Shkup, tha më tej se u ka përcjellë drejtuesve maqedonas mesazhin se, “nuk do të ketë asnjë ndryshim në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Maqedonisë, pas zhvillimeve tragjike të javës së kaluar” në Nju Jork dhe Uashington. “Shtetet e Bashkuara nuk do të harrojnë asnjë person në Maqedoni, që tenton të shkatërrojë apo zvarrisë përkrahjen në parlament të marrëveshjes kornizë” – përmbylli përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, James Pardew.
XS
SM
MD
LG