Ndërlidhjet

logo-print

MILCIN:"GJATË KRIZAVE DHE LUFTËS - VIKTIMA E PARË ËSHTË E VËRTETA"


VLADO MILCIN, Kryetar i Fondacionit Shoqëria e Hapur në Maqedoni

EVROPA E LIRË
Cilat janë aktivitetet e organizatës suaj për rikthimin e besimit të ndersjellë te qytetarëve të Maqedonisë?

VLADO MILCIN
Duhet të theksoj se Fondacioni Shoqëria e Hapur “Maqedonia”, bazë të aktivitetetit të saj tashmë 9 vjet e ka pikërisht çëshjen e integrimit të Maqedonisë në Evropë, por edhe integrimin e brendshëm të Maqedonisë, pra një integrim pa asimilim. Kjo do të thotë se Fondacioni nuk udhëheq asnjë program, nëse në te nuk marrin pjesë qytetarë të përkatësive të ndryshme etnike të Maqedonisë. Rrjedhimisht, nuk shohim nevojën për të bërë ndonjë ndryshim dramatik në këtë drejtim, pos të vazhdojmë me një intensitet edhe më të madh punën e deritashme në sektorin joqeveritar, në kulturë, në arsim e kështu me radhë.
Këto ditë kam nënshkruar një donacion, që do të sigurojë përkthim simultan të monodramës së Bajrush Mjakut, sipas tekstit të Gogolit me titullin “Ditari i të marrit”, në regji të Ivan Popovskit, që do të shfaqet në Teatrin e Hapur për të Rinj. Ndërkaq, dy zyra larg meje janë duke u paketuar libra, në gjuhën shqipe dhe në maqedonishte, si dhe materiale shkollore për të gjithë nxënësit e klasës së parë. Pra për ata që janë larguar nga Maqedonia për shkak të krizës së luftës, kryesisht në Kosovë dhe ata që i quajnë persona përkohësisht të zhvendosur.

EVROPA E LIRË
Më 13 gusht në Shkup u nënshkrua Marrëveshja-korrnizë, e cila i është nënshtruar debatit parlamentar. Sa mendoni se është i njoftuar opinioni maqedonas me përmbajtjen e kësaj marrëveshje?

VLADO MILCIN
Marrëveshja duhet të shpjegohet, ngase ajo nuk është tekst i qartë për njerëzit e rëndomt, të cilët nuk kanë njohuri paraprake në aspektin juridik ose politik. Në këtë drejtim para dy javësh organizuam një takim të madh në vendin ku mbahet panairi në Shkup. Ftuam rreth 100 përfaqësues të organizatave joqveritare në mbarë Maqedoninë, ftuam këshilltarin e presidentit Trajkovski, Vllado Popovskin të jap sqarime rreth Marrëveshjes dhe më pas t’u përgjigjet pyetjeve të tyre. Të njëjtën gjë e bëm edhe me një përfaqësues të NATO-s, të cilin e ftuam për të folur për mandatin e Aleancës dhe për t’u përgjigjur në pyetjet që i parashtroheshin. Në këtë takim u ndanë kopje të Marrëveshjes-korrnizë dhe të një teksti shoqërues, që tani pritet të dalë nga shtypi në 100.000 ekzemplarë. Më tej, organizatat ndërkombëtare në mbarë Maqedoninë po organizojnë një sërë aksionesh, me ç’rast nga ana e ekspertëve; qytetarëve u sqarohet Marrëveshja-korrnizë dhe zhvillohen debate rreth saj. Ne po përpiqemi të japim kontributin tonë modest që Marrëveshja të shpjegohet.

EVROPA E LIRË
A mendoni se nevojiten përpjekje më të mëdha të mjeteve të informimit dhe organizatave qeveritare dhe joqeveritare për relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni?

VLADO MILCIN
Gjithsesi po. Për fat të keq gjatë krizave dhe luftës zakonisht njëra nga viktimat e para është e vërteta. Shpeshherë ndodh që të paraqiten informata jo të plota, dezinformata, thash-e-thëme, e kështu me radhë. Ndodh që gazetarë-individë, po edhe media, po ndodh që edhe aktivistë të organiztave joqeveritare, funksionarë, të japin deklarata të pamatura. Ka edhe raste të atilla kur intelektualët shembujt negativ gjithmonë ua mveshin të tjerëve, ndërsa shembujt pozitiv i mbajnë për vete. Më 10 shtator patëm një konferencë në Aleksandar Pallas në Shkup, e cila u organizua nga Fondacioni ynë dhe Euro-Ballkani. Tema ishte Marrëveshja-korrnizë dhe ardhmëria e Maqedonisë. Në te morën pjesë rreth 65 intelektualë të përkëtësive të ndryshme etnike. Më tej në kuadër të grupit punues për kulturë u bënë vërejtje se në të vërtet gjithnjë e më shumë po dominon një oratori përplot me mosdurim. Këtu gjithsesi duhet bërë përpjekje plotësuese. Kjo ishte edhe motoja e fushatës së filluar “Mjaft më”. Ajo ishte e disenjuar në atë mënyrë siç e treguan qytetarët, maqedonasit dhe shqiptarët, si pasojë e frikës së tyre më të madhe në këtë periudhë. Përgjegjësia e secilit njeri në Maqedoni duhet të përkojë me të drejtat. Këtu ekziston një problem. Politikanët tanë ndonjëherë mbajnë llogari vetëm për të drejtat dhe privilegjet e tyre, por jo edhe për përgjegjësitë që kanë.

EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni qëndrimin e e qytetarëve të Maqedonisë, shqiptarëve dhe maqedonasve, gjatë kësaj faze?

VLADO MILCIN
Nga fillimi i krizës, shumë herë e kamë përsëritur se në përgjithësi mendoj që qytetarët tanë janë më të urtë se politikanët. Nëse qytetarët tanë do të silleshin si politikanët, ne deri tani do të therreshim në rrugë. Për fat të mirë qytetarët janë më të kujdesshëm, më racional, më të urtë, janë më rezistues ndaj aventurave ekstremiste, pa marrë parasysh se për çfarë ekstremizmi bëhet fjalë. Mendoj se qytetarët në të vërtetë janë jashtzakonisht të frikësuar, nuk janë të sigurt për ardhmërinë e tyre. Por, megjithate, nga ana tjetër në rastet kur bëhen thirrje për urrejtje e kështu me radhë, dijnë të frenohen. Në të vërtetë një numër shumë i vogël i tyre i përgjigjet një lloji të këtillë të nxitjes së urrejtes së ndërsjell. Mendoj se qytetarët në tërë këtë situatë meritojnë lavdërata.
XS
SM
MD
LG