Ndërlidhjet

SERWER:"TERRORIZMI NUK DO TË IZOLOJ AMERIKËN"


DANIEL SERWER, drejtues i Iniciativës ballkanike me seli në Washington

EVROPA ELIRË
A mendoni se sulmet terroriste në SHBA do të ndikojnë në politikën e jashtme të Amerikës?

DANIEL SERWER
Unë nuk besoj se kjo tragjedi do të shkatojë tërheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe ngritjen e murit të izolacionizmit të tyre ndaj botes.


Është e qartë se ato duhet të ballafaqohen me problemin e terrorizmit dhe ato do to ballafaqohen me këtë problem, jo vetëm brenda, por edhe jashtë Shteteve të Bashkuara.


Unë jam i bindur se Amerika aktualisht po i mobilizon të gjitha forcat e veta në drejtim të përballjes me terrorizmin dhe kjo mund të ketë një ndikim në vendosjen e disa forcave të saj në Ballkan, sidomos të atyre ushtarake.


Nga ana tjetër, është koha që Ballkani të fillojë të merr përsipër përgjegjësitë për fatin e tij dhe për zhvillimet atje.

EVROPA E LIRË
Negociatat paqësore në Maqedoni me të vërtetë nuk premtonin asgjë në muajt e parë të tyre.
Në fund, i dërguari i posaçëm amerikan James Pardew u pëfshi aktivisht në ato, duke i sjellë partitë politike në pozitë që të pranojnë Marrëveshjen e paqes.
A do të thotë kjo që Amerika ka një rol special në çuarjen e paqes përpara në Maqedoni?

DANIEL SERWER
Unë mendoj se mund të flitet për një rol special të Shteteve të Bashkuara, para se gjithash karshi popullatës shqiptare në rajon.
Shtetet e Bashkuara kanë korrur shumë mirënjohje për atë që bënë për shqiptarët e Kosovës dhe ato kanë një kredibilitet të madh te popullata shqiptare.
Dhe siç mund të shihet, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të angazhohen dhe të bashkëpunojnë me Evropën, siç bëri ambasadori Pardew, në procesin e kërkimit të paqes në rajon.

EVROPA E LIRË
A jeni optimist lidhur me Marrëveshjen e paqes në Maqedoni ? A do të mbijetojë ajo ?

DANIEL SERWER
Ne jemi të ndërgjegjshëm që zbatimi është pjesa më e vështirë e të gjitha marrëveshjeve paqësore në Ballkan. Unë mendoj se Marrëveshja në Maqedoni do të mbijetojë, por unë nuk pres që procesi i paqes të jetë i lehtë .

EVROPA E LIRË
A ka pasur ndonjë opsion tjetër për Maqedoninë dhe për politikën e bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtij vendi, përveç përfshirjes ushtarake të Perëndimit në Maqedoni, e treta sipas radhës në Ballkan, pas Bosnjës dhe Kosovës?

DANIEL SERWER
Jam i bindur se një përfshirje e kufizuar ushtarake e NATO-s në Maqedoni është e domosdoshme në një të ardhme të afërt, por jo edhe për një afat të gjatë.


Kemi të bëjmë me një situatë krejtësisht të ndryshme nga ajo në Kosovë apo nga ajo në Bosnje, të cilat kanë qenë të përfshira në luftime shumë më të mëdha dhe shumë më të gjëra.


Vakuumi i sigurisë në Maqedoni kërkon për momentin angazhimin e trupave të jashtme, por ky angazhim nuk do të jetë i gjatë. Dhe siç më duket mua, Maqedonia kuptoi më në fund se asaj për zbatimin e Marrëveshjes i duhen trupa të huaja.
EVROPA E LIRË
A besoni Ju se pala maqedonase, si shumicë, është e gatshme për reforma domethënëse në Maqedoni, reforma të cilat do ta kthejnë këtë vend në një shoqëri të qytetarëve të barabartë?

DANIEL SERWER
Kemi të bëjmë me një gjë të përhapur në të gjitha anët atje. Kështu që edhe në Maqedoni egziston një spektËr mendimesh të kundërta te pala maqedonase, siç një spektër i tillë egziston te pala shqiptare.
Mendoj se janë të paktë ata maqedonas që pranojnë faktin se ata duhet të bëjnë diçka, se tani gjithçka varet nga vënia në jetë e asaj që është arritur në Marrëveshjen e paqes.


Natyrisht ekstremistët ndodhen në të dyja anët dhe ata bëjnë rezistencë.


Ajo që i duhet tani Maqedonisë është që pushteti të mbetet në duart e të moderuarve dhe që ekstremistët të mos kenë shansin për të prishur Marrëveshjen e paqes.

EVROPA E LIRË
Sa i përket Kosovës, analistët e pavarur kanë arritur në përfundimin se është shumë vështirë të besohet që Kosova mund të kthehet prapa në ndonjë federatë me Serbinë ?

DANIEL SERWER
Unë mendoj se është e pamundur që Kosova të qeveriset nga Beogradi dhe numri më i madh i njerëzve në Beograd, së paku privatisht, e pranon këtë.
Por kjo nuk çon menjëherë te konstatimi për pavarësinë e Kosovës. Më duhet të them se një qëndrim i tillë del nga sjellja e shqiptarëve ndaj serbëve dhe pakicave të tjera në Kosovë.
Kjo sjellje nuk më sugjeron mua, që shqiptarët janë të gatshëm për pavarësi, sepse ata ende nuk i respektojnë standardet evropiane për pakicat.

EVROPA E LIRË
Kosova ndodhet para zgjedhjeve të saj të para të përgjithshme, të organizuara nga Misioni ndërkombëtar atje. Përkundër këtyre zgjedhjeve, kihet përshtypja se prania e NATO-s dhe e UNMIK-ut atje është e nevojshme për një kohë të gjatë ?

DANIEL SERWER
Kjo prani do të nevojitet edhe për një kohë të konsiderueshme. Shumica e popujve në rajon e duan vazhdimin e kësaj pranie.


Në të njëjtën kohë, ne presim që populli i Kosovës, shqiptarët, serbët dhe të tjerët, të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për qeverisjen e Kosovës.

EVROPA E LIRË
Cila do të jetë sfida më e madhe e komunitetit ndërkombëtar në rajon dhe në Kosovë në një afat të gjatë ?

DANIEL SERWER
Sfida kryesore ka të bëjë me konsolidimin e regjimeve demokratike atje, me përfundimin e procesit të tranzicionit.
Kjo nuk nënkupton vetëm mbajtjen e zgjedhjeve, por edhe pushtetin e ligjit.
Në rastin e Kosovës, kjo do të duhej të nënkuptonte edhe mundësinë që ai shqiptar i cili vret serbin, të nxirret para gjyqit vendor në Kosovë dhe nëse vërtetohet fajësia e tij të dërgohet në burg.
Është e qartë se ende jemi larg nga një objektiv i tillë, përmbushja e të cilit do të marrë kohë.
XS
SM
MD
LG