Ndërlidhjet

MOORE:"NUK KA NDRYSHIME TË ROLIT AMERIKAN NË BALLKAN"


PATRICK MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë


EVROPA E LIRË
Përse po zhagitet procesi paqësor në Maqedoni?

PATRICK MOORE
Ate që ne tash jemi duke e parë është fakti se ligjvënësit maqedonas ose disa prej tyre dhe veqanërisht ata me pikpamje nacionaliste janë duke e zhagitur çështjen. Zhagitjen ata janë duke e bërë përmes diskutimit për referendumin. Duket se ata janë duke shikuar në mos do të ketë ndryshime te faktori ndërkombëtar pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara, nëse vëmendja e Shteteve të Bashkuara është përqendruar diku tjetër ose të shohin nëse Shtetet e Bashkuara do të besojnë në ate që Georgiveski e ka thënë se Bin Ladeni dhe UÇK-ja janë e njejta gjë, pra terroristë. Pra, ata janë duke bërë testim. Mbi të gjitha nuk duhet harruar as zgjedhjet e janarit. Dhe në këtë situatë politikanët në Maqedoni veprojnë si të gjithë politikanët në botë, pra tentojnë të fitojnë vota. Në këtë kontekst mendoj se ata që po kundërshtojn ndryshimet kushtetuese janë duke tentuar t’u dëshmojnë votuesve këtë gjë. Së dyti duke mbështetur referendumin ata po tentojnë të shmangin përgjegjësinë personale.

EVROPA E LIRË
Disa në Maqedoni kanë vënë paralele ndërmjet sulmeve në Amerikë me veprimeve të guerilëve shqiptarë. Emisari amerikan Xhejms Pardju ka deklaruar se kjo është një përpjekje për të rrënuar procesin paqësor?

PATRICK MOORE
Po. Ata po tentojnë të zhagisin procesin edhe për nevoja të brendshme politike, pra për shkak të zgjedhjeve të janarit. Pohimi se UÇK-ja ka qenë dhe është një grup terrorist i ardhur nga Kosova, është një përpjekje për të fituar mbështetjen e faktorëve të jashtëm, për argumentet e pozicioneve nacionaliste maqedonase. Më duhet të them se maqedonasit nuk janë të vetmuar në qasjen e këtillë. Edhe rusët kanë thënë gjëra të njejta duke krahasuar ate që ndodhi në Amerikë me ngjarjet në Çeçeni, pa përmendur se ishte politika e tyre agresive që provokoi konfliktin në Çeçeni, duke e bërë Groznin të duket si Berlini në vitin 1945. Një vend tjetër që është duke tentuar të krijoj avantazhe nga kjo situatë është Kina, veqanërisht në çështjen e Tajvanit dhe Tibetit.
Një personalitet tjetër që ka shkuar në linjën e maqedonasve në përpjekjet për të kapitalizuar politikisht situatën e tashme është zëvendës kryeministri i Serbisë, Nebojsha Qoviq. Ai të enjten në Bujanoc tha se tash e tutje nuk do të përdor terminin ekstremist, por terminin terrorist - për të kualifikuar ata që kalojnë kufirin ndërmjet Serbisë Jugore, Kosovës dhe Maqedonisë për të destabilizuar rajonin. Ai ka folur edhe për sulm të mundshëm terrorist në Beograd. Unë nuk di se çfarë dëshmi ka ai, por e dij se i fundit që ka folur për sulmet terroriste kundër Beogradit ishte Millosheviqi në vitin 1999.

EVROPA E LIRË
Xhejms Pardju gjithashtu ka deklaruar se politika amerikane në Maqedoni nuk do të ndryshohet?

PATRICK MOORE
Në fokusin e prononcimit të Pardjus dhe pozicionit të Perendimit në përgjithësi është qëndrimi se Marrëveshja e Ohrit është pako, që duhet të jetësohet si tërësi dhe kjo ka të bëj edhe me afatet e realizimit….Pardju më tutje ka dashur të thotë se roli amerikan në rajon mbetet i njejtë. Rrjedhimisht, komentet e këshilltarit të Koshtunicës, Predrag Simiqit, që mendon se amerikanët do të redukojnë praninë në Maqedoni dhe në Kosovë nuk qëndrojnë. Xhejms Pardju e ka thënë qart dhe vendosmërisht se amerikanët do të mbeten në rajon me politikën dhe forcat e veta.

EVROPA ELIRË
Zoti Mur, jeni optimist apo pesimist sa i përket procesit paqësor në Maqedoni?

PATRICK MOORE
Jam optimist, sepse të gjitha palët në këtë konflikt e dijnë se atyre u duhet ndihma ekonomike dhe politike e Unionit Evropian dhe Shtetetve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG