Ndërlidhjet

SA MUND TË BËJË ALEANCA VERIORE OSE LËVIZJA ANTI - TALIBANE?


TONY WESOLOWSKI



Opozita e Afganistanit, Aleanca Veriore, pretendon të ketë vënë nën kontroll një rajon kyç që i përkiste deri më tani policisë rezerviste Taliban. Zyrtarë të Aleancës thonë se forcat e saj, nën komandën e gjeneralit Abdyl Rashid Dostu, morrën të shtunën mbrëma rajonin Zari, dhe kjo u kushtoi të dyja palëve rreth 80 viktima.
Talibanët pranuan sot të kenë humbur terren në Zari. Abdullah Abdullahu, i cili ushtron detyrën e ministrit të jashtëm të opozitës, gjatë një vizite në kryeqytetin Dushanbe të Taxhikistanit, sqaroi strategjinë e Aleancës Veriore, e cila siç raportohet, kontrollon 10 % të territorit afganas.
“Kemi nisur ofensivat në shkallë të vogël në veri-lindje dhe veri të Afganistanit, si dhe në veri të Kabulit. Rezultatet janë shumë të mira. Do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në ditët e ardhshme. Do të vazhdojmë të ruajmë kontaktet me Shtetet e Bashkuara dhe fqinjët tanë, të cilët na kanë mbështetur në përpjekjet tona për paqe dhe stabilitet në Afganistan” - deklaroi Abdullah Abdullahu.
Raportet e sotme nga Shtetet e Bashkuara, vërejnë se Uashingtoni po mendon më shumë për të mbështetur opozitën anti-taliban.
Theksohet fakti se Aleanca Veriore njeh hollësisht terrenin e ashpër malor të Afganistanit.
“New York Times” raporton se Shtetet e Bashkuara kanë rritur kontaktet me Aleancën Veriore. Gazeta citon zyrtarë amerikanë të thonë se Uashingtoni planifikon të mbështesë koalicionin opozitar me ndihmë financiare.
Madje një zyrtar opozitar ka kërkuar haptas mbështetjen amerikane.
Mirëpo diskutimet për rritjen e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Aleancës Veriore, kanë shqetësuar Moskën.
Pavël Felgenhauer, një analist i pavarur për mbrojtjen, në Moskë, thotë se Rusia ka qenë për një periudhë të gjatë bamirës i Aleancës Veriore, duke siguruar armë, municion dhe ndihmë nga ajri.
“Rusia në fakt, mund të mos jetë e qetë nëse amerikanët stabilizojnë fuqishëm praninë në rajon. Rusët me siguri e nxisin Aleancën Veriore të bashkëpunojë në njëfarë mase me Shtetet e Bashkuara por jo edhe të bashkëveprojë ngushtë – dhe veçanërisht kundërshton që opozitarët t’u ndihmojnë amerikanëve të ngrenë një bazë në rajon” – thotë analisti Felgenhauer.
Më tej ai shton se shefi i Shtatmadhorisë ruse, Anatoli Kvashin, i përcolli pothuaj një mesazh ministrit të jashtëm të opozitës afganase, në takimin në Dushanbe.
Por, analisti rus thotë se nëse Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të përdorin Aleancën Veriore, atyre do t’u nevojitej ndihma e rusëve. “Nëse amerikanët do duan të bashkëpunojnë ngushtë me Aleancën Veriore e nëse, ndonjëherë, edhe të luftojnë në terren me ata djem, sërish ndihma ruse do të jetë kapitale, pasi nëse Rusia vendos të ndërpresë linjat e furnizimit për Aleancën Veriore, Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndërhyjnë – arsyeton Pavël Felgenhauer.
Por problemet nuk janë vetëm të natyrës ushtarake.
Opozita aktualisht dominohet nga uzbekas, hazaras dhe taxhikas. Analisti rus mendon se shanset që ata të gëzojnë një mbështetje reale mes popullatës janë të pakta. Ky amalgam rrymash do të kërkojë pa tjetër ndihmën e ish-mbretit 86 vjeçar Mohamed Zahir Shah, i cili jeton në Romë. Një dërgatë e Aleancës Veriore shkoi ta takonte monarkun në kryeqytetin italian këtë javë, për të diskutuar mundësitë e mbledhje së një asambleje dhe emërimit të një administrate tranzitore.
Në një intervistë për të përditshmen italiane “La Republica”, Zahir Shan tha se është i gatshëm të kthehet në vendin e vet, nëse kjo do t’i shërbente popullit të tij.
Duket se Kombet e Bashkuara mund ta mbështesin këtë plan.
Francesk Vendrell, i dërguari i posacëm i OKB-vë në Afganistan, u takua dje me ish-mbretin Zhir Shan. Vendrell tha se tha tubimi i një asambleje apo, Logia Jirga – siç quhet nga vendasit, mund të ndihmojë afganasit të vendosin për të ardhmen e tyre:
“Ky mund të jetë një shans për popullin afganas, që më në fund të vendosë lirisht për të ardhmen e vet dhe të ketë një jetë më të të mirë, siç nuk e ka pasur kurrë në këta 25 vjetët e fundit” – u shpreh funksionari ndërkombëtar, Francesk Vendrell.

XS
SM
MD
LG