Ndërlidhjet

logo-print

PARDEW:"KËRKOJMË IMPLEMENTIM TË MARRËVESHJES NË HARMONI ME FAZAT KOHORE"


JAMES PARDEW, emisar special i SHBA-ve në IRJM

EVROPA E LIRË
NATO-ja dhe Maqedonia kanë thënë se kanë arritur marrëveshjen për një mision të ri, më të vogël të Aleances. Mandati i operacionit “Dhelpra e kuqrremtë” parashihet të jetë tre muaj me mundësi të vazhdimit. A është kjo zgjidhje në harmoni me planin e juaj paqësor?

JAMES PARDEW
Më lejoni të filloj duke përshëndetur operacionin e NATO-s “Korrja” dhe përfundimin e suksesshëm të misionit për mbledhjen e armëve nga kryengritësit gjatë 30 ditëve. Ne mendojmë se çarmatosja e kryengritësve do të krijoj një ambient stabil për implementimin e marrëveshjes kornizë dhe ne do të besojmë në fjalët e dhëna, të UÇK-së, për çarmatosje dhe shpërbërje.
Sa i përket misionit pasues, ne përshëndesim vendimin e NATO-s për vendosjen e misionit për mbështetjen e OSBE-së dhe Bashkësisë Evropiane, derisa ata të monitorojnë dhe të ndihmojnë në implementimin e marrëveshjes kornizë. Prandaj, ne mendojmë se ky është një hap shumë pozitiv. Atje do të jenë 1000 trupa të NATO-s të angazhuar në këtë forcë përcjellëse; fillimisht për tre muaj, por me mundësi të vazhdimit, nëse kërkohet. Po, ne mendojmë se kjo do ta ndihmoj procesin.



EVROPA E LIRË
Në cilësinë e të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara në ish republikën jugosllave të Maqedonisë, së bashku me emisarin nga BE-ja, zotin Leotard, si i komentoni disa zhvillime në Parlamentin e Maqedonisë, pasi shqiptarët janë të brengosur për mundësinë e zvarritjes dhe të pengesave për planin e paqes së 13 Gushtit?

JAMES PARDEW
Ne jemi të brengosur se miratimi i amandamenteve kushtetuese në Parlament nuk po bëhet me kohë. Ne kërkojmë nga liderët politikë në Maqedoni të implementojnë në tërësi marrëveshjen kornizë në harmoni me fazat kohore. Kemi të bëjmë me ndryshim të 14 apo të 15 amandamenteve në Kushtetutë. Kjo është një çështje serioze dhe e vështirë, që kërkon debat të gjërë. Mendojmë se liderët politikë, që kanë nënshkruar marrëveshjen do të përmbushin përgjegjësitë që i kanë marrë për popullin e tyre dhe do ta kompletojnë këtë proces kushtetues. Kjo është e nevojshme për mbajtjen e konferencës së donatorëve. Njerëzit nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, këtë javë, janë në Maqedoni duke shikuar mundësitë për të ndihmuar këtë vend. Ne dëshirojmë që gjërat të lëvizin shpejtë. Por, për të zbatuar këtë ndihmë, duhet të kryhen këto çështje politike. Gjatë javës së ardhshme unë do të shkoj në Maqedoni dhe do të bisedoj me liderët politikë për të diskutuar se si mund të ndihmojmë që ky proces të avancoj.

EVROPA E LIRË
Si një zyrtar i lartë amerikan për Ballkan, dëshirojmë t’ju pyesim lidhur me politikën amerikane në Ballkan, pas sulmeve të tmerrshme më 11 shtator në Nju Jork dhe në Uashington. A ekziston ndonjë mundësi për ndryshime në këtë aspekt?

JAMES PARDEW
Politika jonë në rajon nuk ka ndryshuar. Ne kemi pasur këto sulme të tmerrshme në Shtetet e Bashkuara dhe ne po merremi me to. Ne kemi interesa tona në mbarë botën dhe në shumë rajone. Ne vazhdojmë ta mbajmë poltikën tonë. Unë këtë e bëra të qart kur isha në Maqedoni para dy javësh duke thënës se politika jonë është marrëveshja kornizë dhe angazhimi i NATO-s, i OSBE-së, i Bashkimit Evropian dhe procesi i paqes që ishte nënshkruar para se të ndodhnin këto ngjarje. Kjo është politika jonë edhe tash.

EVROPA E LIRË
Nga pikëpamjet e Juaja, a mund të na thoni diçka lidhur me Kosovën, mendoj lidhur me situatën aktuale politike atje dhe praninë e SHBA-ve, në aspektin politik dhe ushtarak?

JAMES PARDEW
KFOR-i vazhdon praninë atje; ai vazhdon të mbetet atje sipas mandatit të tij. Por, çështje aktuale është ajo e zgjedhjeve që do të mbahen në nëntor. Ne mirëpresim këto zgjedhje.
Çështja e dytë është kthimi i situatës në kushtet e normalitetit për të tjerët që jetojnë atje. Unë po flasë në mënyrë specifike për popullatën serbe. Ata duhet të marrin pjesë në procesin politik, por ata nuk kanë liri për të lëvizur dhe ata kërcënohen. Kjo duhet të ndryshoj.
Sa më tepër që situata të bëhet normale, në mbarë rajonin, në Bosnjë, në Serbi, në Maqedoni, na duhet situatë e tillë edhe në Kosovë. Kjo nënkupton lirinë e qarkullimit, kthimin e personave të zhvendosur dhe të refugjatëve në mbarë këtë hapësirë. Unë mendoj se, aktualisht, kjo është çështje madhore. Shpresoj se populli i Kosovës do të na bindë se po e bën këtë.

XS
SM
MD
LG