Ndërlidhjet

AUTORËT E SULMEVE U PËRKASIN KULTEVE E JO RELIGJIONEVE


Jolyon Naegele Në Pragë po zhvillohet manifestimi “Forumi 2000”, në të cilin po marrin pjesë shumë personalitete të spikatura nga mbarë bota. Temë kryesore e tubimit të sivjemë për të drejtat e njeriut është “çështja e terrorizmit”.

Presidenti i Çekisë, Vacllav Havell, që është bashkë-sponsorues i këtij tubimi të shumë personaliteteve të shquara botërore, tha se “sulmet terroriste të muajit të fundit patën efekte dramatike pothuajse, në të gjitha aspektet e jetës…përfshirë këtu edhe vetë këtë konferencë.

“Është kohë e vështirë, dramatike. Shumë vetë kanë hequr dorë nga udhëtimi në Pragë, përderisa shumë të tjerë, kishin thënë se do të merrnin pjesë, megjithëqë më parë kishin thënë se nuk do të vinin” – tha Vaclav Havel.

Duke folur në hapje të konferencës “Forumi 2000”, që po vazhdon në Pragë, Vaclav Havel ka thënë se “gjithmonë ka pasur fanatikë, vrasës në masë dhe terroristë, por ata, asnjëherë, nuk kishin pasur mundësi të tilla gjigante, që të sulmojnë tërë botën dhe të kërcënojnë aq shumë jetë njerëzish”.

Një tjetër organizator i Konferencës, nobelisti Elie Wiesel, ka theksuar se, megjithëqë globalizimi ishte temë kryesore në shumë tubime ndërkombëtare të viteve të fundit, “askush, as në ëndërrat më të errëta, nuk ka mundur të imagjinoj se edhe forcat e djallit po globalizohen”.

“11 Shtatori do të mbetet në histori si një njollë, një kërcënim, një ngjarje që mbahet mend. Tash mund të flitet për periudha para dhe pas ngjarjeve të 11 Shtatorit. Pas kësaj date asgjë nuk është si përpara dhe as që do të jetë. Pafundësia e fanatizmit, që e kemi përjetuar, është ende e hapur dhe tash emri i tij është terrorizëm. Prej paraqitjes së tij të errët gjatë revolucionit Francez, ai ka përhapur frikë dhe shkatërrim në shumë vende, para se të arrijë dhe të përpiqet ta shkatërroj demokracinë në Amerikë” – tha Elie Wiesel.

Politikologu nga Shtetet e Bashkuara, Francis Fukuyama ka thënë se konflikti aktual nuk është betejë e civilizimeve por ai është një aksion i rrezistencës sociale dhe politike të pjesëve të botës që ishin kërcënuar nga procesi i modernizimit, që po zhvillohet. Është një proces që ne duhet ta marrin seriozisht në aspektin e sigurisë dhe të moralit.

“Mendoj se çdokush me pikëpamje objektive lidhur me mënyrën se si ne po flasim për të drejtat në Përëndim, duhet të pranoj se kemi të bëjmë me një përzierje të madhe. Ishin shtuar shumë herë të drejtat që kishim kërkuar gjatë disa dekadave të fundit. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, para shumë kohësh, ne filluam të angazhohemi për të drejta të barabarta të minoriteteve raciale dhe për femra. Kjo pastaj u zgjërua edhe për të drejtat e të hendikepuarve, të popujve indigjen, për të drejtat e të akuzuarve, të homoseksualëve; pas të gjitha këtyre të drejtave të njeriut, ekzison një angazhim i fortë për të drejtat e botës shtazore. Në këtë rritje të vazhdueshme të të drejtave, mendoj se ka vend edhe për një lloj konfuzioni” – tha politikologu amerikan, Francis Fukuyama. Këtë konfuzion, Zoti Fukuyama e shpjegoi me një “tendencë të vazhdueshme të inflacionit të të drejtave”.

Intelektuali irakian në ekzil, Sheik Mohammed Ali është themelues i Kongresit Kombëtar të Irakut me seli në Londër. Ai tha se sulmet e 11 Shtatorit ishin kundër të gjitha religjioneve, pra edhe kundër Islamit. Ai tha se autorët e sulmeve u përkasin kulteve e jo religjioneve. Për këtë arsye ai konkludoi se “aksionet ishin sulme kundër civilizimit tonë të përbashkët”.
XS
SM
MD
LG