Ndërlidhjet

DIKUR NGREHINE, SOT NDOTES I RREZIKSHEM


Alban BALA

Pas shiut e gjithë kjo hapësirë vishet me të kuqe duke përngjarë me një thertore gjigande. Pastaj njollat e zjarrta fiken ngadalë dhe kur toka përthahet brigje të verdhë ngjyrë pisët pluhurojnë ajrin me një erë të padurueshme.
Ky vend quhet Porto Romano, dhe nuk ndodhet as 7 km larg qytetit të Durrësit, ndërsa në të jetojnë rreth 30 mijë banorë. Dikur këtu funksiononte Ndërmarrja Kimike e Durrësit, një ngrehinë që specialistët e quajnë një prej gabimeve më të tmerrshme të sistemit komunist shqiptar.
Rreth viteve ‘80 kjo qendër prodhonte lindan për bujqësinë dhe bikromat potasiumi për regjien e lëkurave. Por pas këtyre viteve prodhimi u ul dhe mjediset nisën të zihen nga njerëz që u zhvendosën në fushnajën e Durrësit.
Me sanksionimin e lëvizjes së lirë pas vitit 1992, ndërmarrja u pushtua ndërsa magazina e lindanit u shkatërrua për t’i marrë tullat dhe tjegullat. 500 ton lindan mbetën në sipërfaqe, kurse thasët me bikromat u grabitën pasi kimikati i kuq u mendua të ishte bojë.
Ilir Qesja, drejtor i Agjensisë Rajonale të Mjedisit në Durrës thotë se zona u konstatua si shumë e rrezikshme vetëm rreth viteve ‘96-’97.
“Lindani është i klasifikuar si produkt kancerogjen. Edhe bikromati japin dëmtime të theksuara të mëlçisë së zezë, japin kancer të lëkurë, ndërsa bikromati njihet tashmë nga depozitimiet në sasira të vogla në indet e gjallesave kemi ndryshimet gjenetike, llindja mostrash, shtim të numrit të aborteve, probleme serioze në lëkurë, çarje flegrash të hundës…”- shpjegon drejtuesi i Agjensisë rajonale të Mjedisit në Durrës.
Z.Qesja thotë se bashkia e Durrësit e ka pasur të pamundur që t’i bindë banorët e rinj që të largohen nga zona, e cila është absolutisht e pabanueshme. Zona është monitoruar dhe nivelet e helmimit janë shumë të larta,- sqaron dr.Qesja:
“Keto vlera i tejkalojnë disa dhjetëra herë vlerat referente për një tokë multifunksionale. Duket se ka një transport të ndotjes drejt detit nëpërmjet trasportit të fraksioneve të infrasedimenteve. Pavarësisht nga tretshmëria e ulët e tyre, duket se ujërat sipërfaqësore ndikohen nga një ndotje e zonës.
Niveli i lindanit në ujin e një pusi në territorin e ish-fabrikës së lindanit e tejkalon rreth tre herë kufirin maksimal për shumën e mbetjeve të pesticideve në ujin e pijshëm sipas Këshillit të Europës që është 0,5 mikron për litër”- thote specialisti.
Dr.Behar Musabelliu, drejtues i ambulancës së zonës, thotë se kimikatet helmuese të squfurit, lindanit dhe bikromateve janë në kontakt fizik me lëkurën e të gjithë banorëve dhe për këtë sëmundshmëria është mjaft e lartë:
“Si rezultat i kësaj ka pasur edhe një sëmundshmëri: tek fëmijët e vegjël është vërejtur një dermatit alergjik nga këto kimikate, ndërsa tek të rriturit nga avullimet e bikromateve dhe të lindanit ankojnë shpesh për dhimbje koke, për marrje mendsh ankojnë... Gjatë kësaj periudhe kemi pasur dhe disa enterite që ne i kemi quajtur si intoksikacione. Shkak kryesor janë kimikatet dhe këtu është edhe mungesa e ujit të pijshëm. Për ujë të pijshëm të mirëfilltë këtu s’flitet fare. Këta mbushin shumë larg, me enë…”- thotë dr. Musabelliu.
E gjithë zona nuk ka ujë të pijshëm, por e nxjerr atë nga puse artizanale. Por uji në vetvete është tepër i ndotur.
Bashkia po përpiqet t’i bindë banorët që të largohen nga ky mjedis, qoftë dhe duke i lënë ata në mëshirë të fatit. Besnik Cani. 13 vjeç, banor i rrethit të parë të shtëpive pranë fabrikës së helmeve thotë:
“Unë kam pesë vjet që kam ardhë këtu dhe këtu nuk ka ujë. Autobuzat vijnë deri atje dhe ndalohen. Këtu është mbushë gjithë plehra dhe nuk ka kosha ku të hedhim plehrat. Dhe vjen një erë e keqe këtu, ka dhe squfur që nuk e kanë hequr akoma. Vjen një erë shumë e keqe këtu... “.
Autobuzi më i afërt ndalon vetëm një kilometër e gjysëm larg, ndërsa shkolla tetëvjeçare me afro 500 nxënës mbështillet pa pengesë nga erërat dhe pluhuri i helmët.
Besniku 13 vjeçar, thotë se kur era e padurueshme është shumë e fortë, fëmijët nuk janë në gjendje as të luajnë, pasi u bllokohet frymëmarrja.
Sipas Dr.Ilir Qeses një projekt i hartuar para tre vjetësh është vënë në jetë për heqjen e 500 tonëve të lindanit nga magazinat e mëparshme, edhe pse në trasenë e rrugës janë depozituar sasi të mëdha lindani.
Po ashtu specialisti thotë se 10 deri 20 mijë ton bikromat janë shpërndarë në krejt sipërfaqen e tokës, e cila sa herë bie shi mvishet me të kuqe.
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin UNEP ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të kësaj hapësire duke e çmuar atë si ndër më të rrezikshmet në Ballkan.

XS
SM
MD
LG