Ndërlidhjet

THAQI:"ZGJEDHJET I HAPIN PERSPEKTIVE KOSOVES...."


Interviste me Hashim Thaqin, kryetar i PDK-se

EVROPA E LIRE
Si e vleresoni fushatën e deritashme për zgjedhjet parlamentare në Kosovë?

H. THAQI
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 17 nëntorit në Kosovë, është duke kaluar shumë mirë. Nuk kanë ndodhur incidente që vlejnë të theksohen. Është një fushatë tejet demokratike ku po prezantohen vlerat e partive politike të Kosovës. Është një interesim i theksuar i qytetarëve të Kosovës për këtë fushatë dhe në kuadër të saj një rol mjaft të rëndësishëm dhe shumë pozitiv e kanë luajtur edhe partitë politike të Kosovës, mediat në prezantimin e drejtë dhe mjaft konstruktiv të fushatës. Besoj se tani me një angazhim edhe më të theksuar të partive politike në bashkëpunim me KFOR-in, UNMIKU-n dhe OSBE do të zhvillohet një fushatë e mirëfilltë, një fushatë që do t’i bëjë përshtypje edhe komunitetit ndërkombëtar, e mbi të gjitha do të fitojmë besimin e ndërkombëtarëve se ne dimë të zhvillojmë fushatë, se dimë të votojmë drejt, se dimë t’i ndërtojmë institucionet dhe të demokratizojmë vendin tonë, dhe natyrisht kjo do t’i hapë perspektivë Kosovës edhe për zhvillimin ekonomik.

EVROPA E LIRE
Zoti Thaçi, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë aktualisht duket se janë të përqëndruara më së shumti në përpjekjet për të siguruar pjesëmarrjen e pakicës serbe në zgjedhje. Si i vlerësoni hapat e pranisë ndërkombëtare në këtë drejtim?

H. THAQI
Është një angazhim shtesë i komunitetit ndërkombëtar, pasi që është me rëndësi që në Kosovë u krijuan më në fund kushtet për organizimin e zgjedhjeve të lira; vitin e kaluar zgjedhjet lokale dhe tani zgjedhjet e përgjithshme. Është në interesin e Kosovës që të marrin pjesë të gjithë qytetarët me të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme dhe në kuadrin të kësaj edhe serbët. Kanë ndodhur gjëra për të cilat mund të themi se janë reflektuar negativisht në Kosovë, sidomos legalizimi i ndërtimit të Universitetit të Mitrovicës, por sido që të jetë, ne angazhohemi që të marrin pjesë të gjithë qytetarët e Kosovës në zgjedhje, të krijohet një klimë tolerante ndërnjerëzore, ndërpartiake dhe ndëretnike, dhe të marrin pjesë të gjithë në ndërtimin e institucioneve. Këtu nuk kemi të bëjmë me konçesione, por më tepër me kompromise për të mirën e situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë.

EVROPA E LIRE
Ditë më parë keni marë pjesë në një tryezë të projektit për marrëdhënie etnike, ku kanë qënë prezent edhe përfaqësues të pakicës serbe të Kosovës dhe zëvendëskryeministri serb Çoviç, ku është folur dhe për zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e serbëve në to. Cilat ishin pozicionet e serbëve dhe a mund të thuhet se ata kanë treguar ndonjë shenjë pozitive në këtë drejtim?

H. THAQI
Në këtë tryezë nuk janë zhvilluar bisedime mes palës shqiptare dhe asaj serbe. Ka qenë një tryezë e organizuar nga Insituti për Relacione Ndëretnike, e udhëhequr nga zoti Kasof, institut amerikan dhe tema ka qënë:
“Shqiptarët dhe fqinjët e tyre”. Në këtë tryeze kanë marë pjesë përfaqësuesit politikë të zyrave diplomatike edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Britanisë së Madhe, dhe vendeve të tjera që kanë përfaqësitë në Kosovë. Kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e KFOR-i, UNMIK-u OSBE-së dhe organizmave të tjera që janë prezent në Kosovë, duke nënkuptuar këtu, të gjithë liderët politikë të partive politike të shqiptarëve. Në tryezë kam theksuar se do të ishte mirë të diskutohen çështje të cilat janë të rëndësishme dhe që janë të pranueshme për zgjidhje edhe për palën shqiptare edhe për palën serbe, natyrisht këtu duke patur parasysh ndërmjetësimin e palës serbe. Këto çështje që janë të pranueshme për të dy palët janë: lirimi i të burgosurve politikë shqiptare që mbahen në burgjet serbe, fillimi i de-enklavizimit të Kosovës, bashkimi i qytetit të Mitrovicës, pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, pjesëmarrja e tyre në ndërtimin e institucioneve, si dhe çështje të tjera që janë të pranueshme dhe kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe për të cilat do të mund të fitonim dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Nuk është në interesin tonë që të izolohemi në vetvete, që ne të mos pranojmë sygjerimet e komunitetit ndërkombëtar për të filluar të zgjidhim problemet që janë në interes të Kosovës.

EVROPA E LIRE
Zoti Thaçi, ftesa juaj dhe ftesa e lidërve shqiptarë në përgjithësi drejtuar serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje, është vlerësuar si shumë e sinqertë nga organizatorët. Çfarë në të vërtetë përmbante kjo ftesë, kjo thirrje drejtuar serbëve për të marë pjesë në zgjedhje?
H. THAQI
Fillimisht mund të themi se kjo ftesë është parimisht e drejtë. Ne nuk do të lusim askënd, sepse mund të ndërtojmë të ardhmen tonë bashkarisht me ata që marrin pjesë në zgjedhje. Me rëndësi është që të gjithë shqiptarët do të marrin pjesë në zgjedhje, do të marrin pjesë të gjitha partitë politike dhe të të gjitha minoriteteve të tjera me përjashtim të serbëve, por gjithashtu besoj se një pjesë e serbëve që nuk janë të manipuluar nga Beogradi do të marrin pjesë në zgjedhje dhe në ndërtimin e institucioneve . Ftesa jone ka qënë e sinqertë, ka qënë e hapur dhe ka qënë parimisht e drejtë për të marrë pjesë në zgjedhje. Dhe e ritheksoj se pjesëmarrja e tyre do të rriste vlerën e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.

EVROPA E LIRE
Zoti Thaçi, sipas jush cila është rëndësia e zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit dhe në këtë kuadër çfarë prisni juve si Parti Demokratike e Kosovës nga këto zgjedhje?

H. THAQI
Rëndësia e zgjedhjeve të përgjithshme për Kosovën dhe qytetarët e saj është mjaft e madhe për arsye se këto janë zgjedhjet e para të lira të organizuara në Kosovën e lirë në nivel të Kosovës dhe nga këto zgjedhje presim që të dalë një parlament i fuqishëm, një parlament stabël, një qeveri stabël që do të qeverisë mirë. Natyrisht dhe një president që do të luajë rolin e një personaliteti unifikues të qytetarëve të Kosovës. Këto zgjedhje natyrisht që do t’i hapin një perspektivë të mirë Kosovës para komunitetit ndërkombëtar.

EVROPA E LIRE
Zoti Thaçi, zyrtarët e Partisë suaj e kanë vlerësuar si vizion të ri kandidimin e zonjës Flora Brovina për kryetare të Kosovës. Në fakt cili ishte qëllimi që ju keni kandiduar zonjën Brovina?

H. THAQI
Po. Fillimisht unë falënderoj anëtarët e kryesisë dhe të këshillit drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës që propozimin tim për t’u kandiduar si kandidate nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës, Dr. Flora Brovina, për presidente të ardhshme të Kosovës. Ka qënë një hap pozitiv dhe Dr. Flora Brovina, përveçse është poeteshë dhe humaniste, është personalitet i guximshëm, është personalitet që ka marë përgjegjësi edhe më herët për qytetarët e Kosovës dhe për Kosovën. Është personalitet unifikues, është personalitet që rreth saj mund të bashkohen
partitë politike të Kosovës, shoqëria civile. Është një personalitet i perspektivës, është një personalitet që do të luajë rolin e unitetit qytetar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG