Ndërlidhjet

ATY KU MUNGON LIGJI DHE RENDI - (RI)PARAQITET GJAKMARRJA


Jolyon NAEGELE

Në një luginë të gjërë në Shqipërinë Veriore, të rrethuar nga malet, Ndoc Kapsari dhe e shoqja, Gjovana tash e 10 vite bëjnë roje nga kulmi i një objekti ku jetojnë. Të armatosur me një pushkë gjuetije ata e ruajnë vetveten nga ndonjë person që do të mund të bënte përpjekje për ti vrarë në shenjë të gjakmarrjes. Ndoc Kapsari është i detyruar që të jetojë plotësisht i mbyllur për një rast vrasjeje, për të cilin hetues policie dhe vetë ai kanë thënë se nuk është fajtor. Ndoc Kapsari thotë se është “njeriu më i pafat në botë”.
Por, në këtë aspekt, ai nuk është i vetëm. Afro 2 800 familje në Shqipëri jetojnë në izolim të plotë, duke u përpjekur që të evitojnë që të bëhen viktimë e gjakmarrjes sipas kanunit.
Ismet Elezi është profesor i së drejtës nga Tirana. Ai thotë se kanuni mbase ka një origjinë 2000 vjeçare. Ai thotë se ekzistojnë tri versione kryesore të kanunit në Shqipërinë Veriore: Kanuni i Lekë Dukagjinit, ai i Skënderbeut dhe Kanuni i Maleve.
Ismet Elezi thotë:
“Ngujimi është një fenomen i lashtë, i cili është i lidhur me gjakmarrjen. Derisa nuk kishte siguri për jetën nga ana e shtetit, u gjet rruga e ngujimit. Për fat të keq kjo gjë vazhdon edhe sot në disa zona te veriut”.
Bilbil Mema është zyrtar i lartë i policisë shqiptare. Ja si e shpjegon ai këtë aspekt:
“Në rastin e dobësimit të shtetit për shkak të kalimit në tranzicion, fitoi terren vetgjyqësia. Dhe në këtë zonë që ju po pyesni, ka një histori të vjetër që është e dhimbshme. Sa herë që dobësohet shteti nga pikëpamja e forcës së tij, aq herë ngre krye një vetgjyqësi që quhet gjakmarrje”.
Por, profesori i së drejtës, Ismet Elezi nga Tirana, thotë poashtu, se edhe në rastet kur lejon gjakmarrjen, kanuni ka rregulla rigoroze lidhur me atë se si mund të kryhet ky akt hakmarrjeje. Për shembull, kanuni rreptësisht ndalon vrasjen nga hakmarrja të femrave, të fëmijëve dhe të të moshuarve.
Emin Spahia është kryesues i Misionit gjithë-kombëtar shqiptar të pajtimit, i formuar më 1991, që synon mbajtjen e një rregulli, pas rënies së regjimit komunist.
Ai shpeshë me veturën e tij udhëton nëpër Shqipërinë Veriore duke u përpjekur për tu ndihmuar familjeve në gjetjen e zgjidhjeve paqesore në kontestet e gjakut.
Emin Spahia thotë:
“Sikur të zbatohet kanuni është gjysma e të keqes shqiptare. Por mendimin e kam që kanuni duhet zhdukur fare. Por tashti nuk zbatohet as ligji i zotit, as i shtetit, as i kanunit. Shkelen që të trija. Ky është problemi në Shqipëri, vetëm të grabisin, të vrasin, të përdhunojnë, të shesin femrat, jemi një tragjedi. Populli i ndershëm shqiptar ka një vuajtje të tmerrshme”.
Emin Spahia thotë, poashtu se, familjet si ajo e Ndoc Kapsarit, vuajnë nga “mungesa totale e të drejtave të njeriut” sespe, siç thotë ai, shteti refuzon që të merret seriozisht me çështjen e konflikteve të gjakut.
Njëri nga ata që ka kërkuar këshillë nga Misioni gjithkombëtar i pajtimit, është Ardian Onuzi nga Shkodra. Përfaqësuesit e misionit i kanë thënë atij që të respektojë rregullat e kanunit derisa rast i tij të sqarohet.
Adrian Onuzi thotë:


“Realisht unë nuk kam marë as lajmërime, as kërcënime, realisht nuk është për t’i shtuar gjërat për t’i bërë të bujshme. Por zakoni që flitet këtu në Shkodër qenka një kanun që duhet të ndërhyjë. Dhe unë kam vendosur ta bëj këtë deri në 40 ditëshin, që t’i nënshtrohem detyrave të kanunit.
Emin Spahia, kryesues i misionit të pajtimit, mbështjetjen në ligjet kanunore dhe gjakmarrjen, e quan “rastin më të qartë të mos-funksionimit të shtetit”:


“Jo jo, këtu mungon shteti, sepse dy gjëra janë që e çojne familjen për t’u gjakmarrë: një opinioni dhe e dyta ajo dhëmbshmëria zemërore ose shpirtërore. Por kur shteti është mbi bazat e duhura dhe kur zbatohet ligji, normalisht mbetet vetëm dhembja shpirtërore pastaj”.
Emin Spahia mëtutje thotë:
“Çfarë mund të thuash, si mund ta vlerësosh një shoqëri që të thuash që është primare, në nje kohë që ka policë të ngujuar, intelektualë të ngujuar; kryetari i këshillit bashkiak i ngujuar, kryetarë komunash të ngujuar… pra një pjesë e madhe. Janë familje të tëra, fëmijë të tërë të ngujuar, pra qoftë nga familja e viktimës, qoftë nga familja e dëmtuar, është një pjesë e madhe e fëmijëve që po rriten me stresin e konflikteve dhe po përjetojnë dhe po e trashëgojnë konfliktin përsëri”.
Pjesë e problemit, siç shprehen disa ekspertë, është ajo se legjislacioni i Shqipërisë aktualisht, gjakmarrjen e trajton si krim më pak të rëndë se vrasjen.
Politikanët shkëmbejnë akuza lidhur me atë se kush është fajtor për këtë situatë.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe ish presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se Partia Socialiste në pushtet është përgjegjëse për qëndrim të butë karshi krimit dhe për heqjen e dënimit me vdekje. Berisha thotë se prej vitit 1997, pas ardhjes së socialistëve në pushtet, janë arrestuar vetëm 20%, të afro 3 mijë rasteve të vrasjeve në shkallë vendi. Kjo gjë i kontribuon lehtësimit të rasteve të vrasjeve nga hakmarrja.
Sali Berisha thotë:
“Në një farë mënyre, qeveria dhe krimi i organizuar inkurajojnë gjakmarrjen, që ishte një traditë e vjetër, fatkeqe shqiptare”.
Por presidenti i tashëm i Shqipërisë, Rexhep Meidani, thotë se ligjet shtetërore janë adekuate dhe të zbatueshme në mbarë vendin.
“Ishte një keqkuptim i ligjit të sistemit të ri të drejtësisë. Por unë besoj se tash ne po shohim se shumë përpjekje ishin bërë nga grupe të ndryshme, grupe të pajtimit, për të ndihmuar në evitimin e fenomentit të hakmarrjes”.
Ai, poashtu, thotë se përpjekjet e përbashkëta ndërmjet Qeverisë dhe grupeve, siç është Misioni gjithëkombëtar i pajtimit, do të ndihmojnë për ç’rrënjosjen eventuale të gjakmarrjes.
Emin Spahia thotë se Misioni i tij gjithkombëtar i Pajtimit po punon së bashku me Qeverinë gjermane për të përcaktuar një rregullativë ligjore në Shqipërinë Veriore, ku kanuni ende ka ndikim të fuqishëm. Sipas ligjit të ri, përgjergjësinë për vrasje e bartë vetëm vrasësi e jo familja e tij.
Shkrimtari më i njohur shqiptar, Ismail Kadare, kanunin e ka temë qendrore të librit të tij “Prilli i Thyer”, i shkruar në vitet e 70-ta, kur gjakmarrja konsiderohej se ishte diçka e së kaluarës.
“Ky është një karikaturë e kanunit që ndodh tashti. Dhe siç thashë krahasimi, kujtimi i penalitetit komunist, i kodit penal komunist, që ishte një nga gjërat më të shëmtuara që ka pjellë bota, e ka shkaktuar këtë kthim, këtë ‘nostalgji’ drejt një ligji mesjetar, që nuk duhet të egzistonte”.
Ismet Elezi, profesor i drejtësisë nga Tirana thotë se dështimi i Qeverisë që të zbatojë një alternativë legjitime karshi kanunit, në masë të madhe ka kontribuar në kthimin e gjakmarrjes.
“Në vend që Kanuni të vlerësohej si monument kulture, u vlerësua si akt juridik; në vend që të vlerësoheshin vlerat e tij historike, u vlerësuan vlerat aktuale, do të thotë, iu dha aktualitet”.

XS
SM
MD
LG