Ndërlidhjet

BEOGRADI NUK KA THËNË JO, POR NUK KA THËNË AS PO


"Ishte një dramë njerëzore me përmasa të gjëra gjatë luftës, që, para se gjithash, goditi shqiptarët. Pas luftës dhe tash, serbët dhe disa minoritete etnike janë në një pozitë ekstreme të pasigurtë. Ajo që duhet të kuptohet është se, në këtë pikë, në të gjitha anët, emocionet janë ende të ngarkuara" - tha dr. Allen Kassof, kryetar i Projektit për Marëdhënie Etnike me seli në Princeton (SHBA).

Radio Evropa e Lirë
Para dhe pas luftës në Kosovë ju ishit shumë i angazhuar në dialogun ndërmjet përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme, e veçanërisht në marëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Si do ta përshkruani ju takimin e para – disa ditësh në Prishtinë… dhe a jeni i kënaqur me rezultatet e deritashme?

Allen Kassof
Siç e dini, ne patëm takim para disa ditësh, më 17 të këtij muaji në Prishtinë, ku ne tubuam së bashku lidershipin e komunitetit shqiptar të Kosovës, serbët dhe minoritetet e tjera përfshirë këtu romët, boshnjakët dhe turqit.
Ajo që ishte e pazakonshme për këtë takim, është se nuk ishin vetëm serbët nga Kosova, por ishte e përfaqësuar edhe qeveria në Beograd, me anë të zotit Çoviq. Pra e dhëna se ky ishte kontakti i parë, i drejtpërdrejtë, prej luftës, ndërmjet lidershipit të shqiptarëve të Kosovës dhe të serbëve të Beogradit, ishte vetvetiu i rëndësishëm.

Radio Evropa e Lirë
Lidhur me këtë takim në Prishtinë, zoti Ramush Haradinaj tha se, në këtë kohë, ai kundërshton angazhimin e zyrtarëve serbë në bisedat e këtilla. Ai tha se mirëpret përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Si e komentoni ju këtë?

Allen Kassof
Mendoj se është me rëndësi për secilin ta kuptoj se, në këtë situatë të pazgjidhur, vërtetë është shumë me rëndësi që të ketë kontakte ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Është rezoluta e Kombeve të Bashkuara që definon statusin e Kosovës; mua më duket se, në këto rrethana, me të gjitha mospajtimet lidhur me këtë status dhe lidhur me situatën aktuale të shqiptarëve dhe të minoriteteve, është vërtetë e rëndësishme mbajtja e kontakteve. Unë do të thoja se zoti Haradinaj, në fakt, mori pjesë në këtë mbledhje dhe se kjo gjë nuk kishte vënë nën hije prezencën e zoti Çoviq. Mirëpo, zoti Thaçi dhe zoti Rugova ishin aty, gjatë kohës kur zoti Çoviq ishte aty.

Radio Evropa e Lirë
Disa analistë thonë se pikë shumë e rëndësishme në marëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë, është pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhjet e përgjithshme, më 17 Nëntor. Të gjithë liderët kryesorë shqiptarë në Kosovë kanë ftuar serbët që të marrin pjesë në zgjedhje. A mendoni se ata do të marrin pjesë në zgjedhje?

Allen Kassof
Në fakt kjo ishte tema kryesore e diskutimit në këtë takim. Në njërën anë ishin liderët shqiptarë që kërkonin nga serbët që të marrin pjesë. Unë do të thoja se komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht, Unmiku dhe OSBE-ja, poashtu, shumë fuqishëm po kërkojnë nga Beogradi që të inkurajojnë serbët që të votojnë. Zoti Çoviq mbante qëndrimin se ishin disa rrethana të pavolitshme dhe se, do të ndihmonte shumë, nëse ato përmirësohen; nëse jo për 17 Nëntor, atëherë kërkesat e tyre, lidhur me kushtet, të merreshin në shqyrtim.
Beogradi nuk ka thënë jo, por nuk ka thënë as po. Me sa di unë do të mbahet një takim i DOS-it, më vonë këtë javë, me ç’rast kjo çështje do të shqyrtohet.
Dëshiroj të shtoj se Projekti për Marëdhënie Etnike nuk ka qëndrim lidhur me kornizën aktuale për bisedime. Janë shumë të qarta disa mendime për zgjedhje nga secila palë: nga pikëpamja e komunitetit shqiptar, kjo pjesëmarrje, në një mënyrë, do të legjitimonte situatën e përkohshme, nëse serbët do të ishin të involvuar në ndërtimin e insitucioneve të reja. Pra është e qartë se cili është, sipas mendimit të tyre, disfavori i tyre.
Nga ana tjetër, serbët kanë dy qëndrime: nëse nuk marrin pjesë, atëherë, disa prej tyre konsiderojnë se janë tërhequr nga procesi politik; qëndrimi tjetër është se, prej se lidershipi shqiptar ka bërë shumë të qartë se qëllim i tyre parësor është Pavarësia e Kosovës, disa serbë, kuptohet, nuk kanë vullnet të bëjnë diçka, që ata mendojnë se do të mund të legjitimonte atë program. Është e vërtetë se komuniteti ndërkombëtar e ka bërë shumë të qartë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje nuk ka implikime për pavarësinë e Kosovës; por, natyrisht, shumë serbë frikësohen se kjo do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë
Si i parashikoni ju marëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, në të ardhmen, poashtu edhe marëdhëniet ndërmjet grupeve të tjera etnike?

Allen Kassof
Do të vazhdojnë të jenë marëdhënie ekstremisht të rënda. Ishte një dramë njerëzore me përmasa të gjëra gjatë luftës, që, para se gjithash, goditi shqiptarët. Pas luftës dhe tash, serbët dhe disa minoritete etnike janë në një pozitë ekstreme të pasigurtë. Ajo që duhet të kuptohet është se, në këtë pikë, në të gjitha anët, emocionet janë ende të ngarkuara. Jam i sigurt se duhen edhe shumë vite për tu arritur një harmonizim në terren ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe të tjerëve.
XS
SM
MD
LG