Ndërlidhjet

logo-print

B.REKA:"SERBET E KOSOVES PENGJE TE POLITIKES SE BEOGRADIT..."


Blerim REKA, Drejtor i Institutit per Integrime Evro-Atlantike

Evropa e Lirë
Zoti Reka, fillimisht si e vlerësoni ju mosarritjen e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe autoriteteve në Beograd, për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 17 nëntorit.

Blerim Reka
Është një ngjarje që pritej faktikisht të përfundojë me një epilog të tillë. Dhe atë kryesisht nga fakti se Beogradi që nga fillimi u pozicionua nga një pozitë e ultimatumeve, respektivisht parashtronte kushte, parakushte, ultimatume si një lloj detyre shtëpie që Kosova dhe respektivisht UNMIK-u vetëm duhej t’i kryenin.
Do të thotë që nga fillimi nuk u shtrua çështja e marrjes vetëm të një mendimi nga Beogradi. Por nga Beogradi, që nga fillimi, u shtrua çështja apo qasja e imponimit të ultimatumeve, të cilat vetëm duheshin zbatuar në Prishtinë. Prandaj si një qasje e tillë, ajo ishte e detyruar të pësojë disfatë dhe unë nuk jam i befasuar me përfundimin e tillë të këtyre bisedimeve.

Evropa e Lirë
Analistët tërheqin vërejtjen se Beogradit janë duke iu bërë shumë koncesione, për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Sipas mendimit tuaj, a nuk e forcon kjo ndikimin e Beogradit tek serbët e Kosovës?

Blerim Reka
Po pikërisht ashtu, siç e thashë në përgjigjen time të mëparshme, ka qënë e gabuar qasja që nga fillimi. Që nga fillimi edhe bashkësia ndërkombëtare, ka hyrë në vallen apo lojën e imponuar nga Beogradi, se duhet pyetur Beogradi dhe jo serbët e Kosovës, se a do të duhej apo jo të dalin në zgjedhje. Në vend që të shkohet në qasjen më reale, që serbët e Kosovës të pyeten dhe ata të marrin vendim, faktikisht po vazhdon tendenca që ka egzistuar edhe gjatë kohës së regjimit të Millosheviçit, që për serbët e Kosovës çdo herë ka vendosur Beogradi. Dhe ky është gabimi strategjik do të thoja, jo vetëm i politikës serbe, por fatkeqësisht edhe i politikës ndërkombëtare që po bëhet aktualisht. Pra ende lejohet që serbët e Kosovës të mos shikojnë nga Prishtina, por të vazhdojnë të shikojnë dhe të kërkojnë përkrahje nga Beogradi. Edhe pse regjimi i Millosheviçit ka ndryshuar, në esencë nuk ka ndryshuar qasja dhe strategjia e tij ndaj serbëve të Kosovës.

Evropa e Lire
Zoti Reka, pse është dashur një vizitë e tillë në Beograd, kur dihet se qeveria serbe ka të dërguarin e saj në Kosovë, zotin Çoviç, me të cilin ndërkombëtarët kanë biseduar shumë herë, kurse javën e kaluar keni biseduar edhe ju me të, së bashku me disa nga udhëheqësit politikë të shqiptarëve.

Blerim Reka
Fillimisht ne kemi biseduar dmth, jo në negociata do të thoja të vërteta, por më tepër ka qënë një takim joformal i organizuar nga një organizatë amerikane (PER) apo projekti për marrdhënie etnike. Ju e dini se negociatat e vërteta, të mirëfillta, politike dhe statusore, ta quaj shqiptaro-serbe për të ardhmen e Kosovës, duhet të jenë të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht. Dhe ato mund të bëhen vetëm pas legjitimimit të klasës së re politike të Kosovës, pas zgjedhjeve të 17 nëntorit, që do të thotë pas krijimit të institucioneve kompetente dhe relevante: Kuvendit, Qeverisë dhe Kryetarit të Kosovës, respektivisht përfaqësuesve që do t’i emërojnë ata, apo ekipit negociator që do ta emërojnë ata. Kjo ka qenë vetëm një mbledhje joformale dhe vetëm me një qëllim të caktuar: si të binden serbët e Kosovës për të marë pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Gjatë këtij takimi zoti Çoviç deshi ta keqpërdorë këtë mbledhje dhe ta zgjerojë të themi gamën e çështjeve etnike edhe me çështje eventuale politike. Kjo megjithatë nuk kaloi dhe u pa se çështja e daljes së serbëve të Kosovës, gati ishte duke u shfrytëzuar edhe për qëllime më të thella politike, që fatmirësisht nuk ndodhi. Më duket se serbët e Kosovës vazhdojnë të jenë peng të një politike dhe qasjeje kolonialiste, respektivisht të qasjes që ka qënë edhe më herët, dhe në vend që të kërkojnë vetëm realizimin e plotë të të drejtave që u takojnë me kornizën kushtetuese, pra të drejtën që të jenë votues dhe që të votojnë, ata vazhdojnë që këtë të drejtë ta kondicionojnë me një lloj leje apo me një lloj pëlqimi nga Beogradi. Unë mendoj se edhe tek serbët do të dominojë vetdija dhe ndërgjegja se ata si qytetarë të barabartë të Kosovës, duhet të marrin pjesë në një proçes të tillë madhor demokratik siç janë zgjedhjet qëndrore, të votojnë për përfaqësuesit e tyre dhe në një mënyrë të njohin pushtetin e ri të Kosovës së pasluftës, pra pushtetin demokratik, i cili më në fund do të ketë edhe legjitimitetin ndërkombëtar, sepse faktikisht janë zgjedhje që organizohen dhe monitorohen nga ndërkombëtarët.

XS
SM
MD
LG