Ndërlidhjet

"TEORITE KONSPIRATIVE DHE MITET NE BOTEN ARABE...."


Charles RECKNAGEL


Pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington, në botën arabe dhe myslimane vazhdojnë të qarkullojnë thashetheme se këto ngjarje u konceptuan nga agjentët e Zbulimit sekret të Izraelit, në mënyrë që të provokonin një konfrontim midis Perëndimit dhe Lindjes.
Hazem Saghi, është një analist i njohur i së përditshmes londineze në gjuhën Arabe, “Al Hajat” dhe autor i shumë librave për politikën dhe jetën intelektuale në Lindjen e Mesme. I pyetur rreth motiveve të paraqitjes së këtyre thashethemeve, pa egzistencën e provave konkrete që mund t’i mbështetin ato, ai tha:
“ Edhe në kohë normale arabët kanë një dobësi të madhe për teori me karakter konspirativ. Arsyeja është se për fat të keq se ata nuk e kuptojnë botën në të cilën jetojnë. Për shkak të kësaj ata nuk e kanë idenë se çfarë është politika e vërtetë dhe nuk kontribuojnë në problemet reale të botës sonë. E gjithë kjo u krijon tendencën për të besuar në mite dhe në anormalen.”.
Më tej ai vazhdoi:
“ Kur kjo ndodh në kohëra normale, mund ta imagjinoni se si mund të jetë, pas ngjarjeve kaq të papritura dhe jashtë çdo imagjinate, siç ishin sulmet kundër Nju Jorkut dhe Uashingtonit. Një ngjarje e tillë mund të shokojë edhe njerëzit me mendje të shëndoshë. Dhe për ata arabë, mendjet e të cilëve janë të ngarkuara me magji dhe mite, zgjidhja ishte fajësimi i hebrenjëve, një shprehje tipike e qasjes së zakonshme raciste ndaj konfliktit Arabo –Izraelit”, tha Hazem Saghi.
I pyetur nëse ky argument rrezikon të çojë në shumë përgjithësime ai tha:
“Nuk po them se të gjithë arabët mendojnë në këtë mënyrë. Por, kam vëzhguar se ka persona që mendojnë në këtë mënyrë; ka edhe të tillë që e mohojnë idenë e këtyre teorive konspirative, por rrinë në heshtje”.
Saghi ka shkruar për këtë temë gjerësisht dhe ka ndërmend të vazhdojë në analizat e tij.
“ Është koha që të përballemi me përgjegjësitë tona në vend që të përpiqemi të gjejmë zgjidhje të thjeshta dhe mitologjike, duke vazhduar të fajësojmë një armik imagjinar dhe misterioz. Më besoni, se të realizosh këtë është më e rëndësishme se të merresh me politikë. Në rast se ju fitoni politikisht por humbasni inteligjencën tuaj, humbja është e madhe. Imagjinoni se çdo të thoshte t’i humbasni të dyja në të njëjtën kohë”, tha Saghi për të vazhduar:
“Së pari intelektualët arabë, të cilët e refuzojnë këtë lloj mendimi duhet të bëjnë më shumë për ta kundërshtuar atë. Është gjëja më e lehtë për t’u thënë, sepse nuk do të ketë zgjidhje për këtë problem nëse njerëzit nuk do ta mësojnë demokracinë si një mënyrë për praktikimin e politikës. Ky proçes ka nevojë për një ndërgjegje racionale, që i lejon njerëzit të mendojnë, të debatojnë, të zbulojnë të vërtetën dhe të mos i pranojnë gjërat pa arsye. Ata kanë nevojë të dyshojnë , të sfidojnë dhe të shkojnë në kutinë e votimit për të votuar për veten e tyre. Besoj se kjo është e vetmja mënyrë që të arrihet një qëndrim krejt tjetër”- përfundoi Saghi.
XS
SM
MD
LG