Ndërlidhjet

MEKSI: "INDIVIDËT KANË IDENTIFIKUAR PARTITË ME VETEN E TYRE"


Aleksandër MEKSI, ish - kryeministër i Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Meksi, si e vlerësoni gjendjen e opozitës së sotme dhe në rradhë të parë atë të PD si forca kryesore e saj?

ALEKSANDËR MEKSI
Opozita ka një detyrë që të zëvendësojë ata që janë në pushtet, duke ofruar alternativa më të mira, më të besueshme dhe që kanë një garanci se do të kenë sukses. Duke e parë në një optikë të tillë punën e opozitës së sotme, unë kam bindjen që kjo opozitë, nuk e ka luajtur gjatë këtyre viteve rolin e saj, nuk e luajti as në 2 fushatat zgjedhore, në të cilat ishte tërësisht e shkujdesur për të mbrojtur votën, kur ishte e bindur që vota do të manipulohej, siç dhe ndodhi. Kjo është arsyeja që mendoj se duhet të ketë ndryshime në njerëzit që drejtojnë, në platformat, në mënyrën e organizimit të opozitës në tërësi dhe të Partisë Demokratike në veçanti, që është ajo që më intereson mua. Unë nuk jap gjykime për të tjerët jashtë Partisë Demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni deklaruar kandidat për postin e kryetarit të PD përballë zotit Berisha. Pse keni vendosur të kandidoni për këtë post dhe si i gjykoni gjasat për fitore?

ALEKSANDËR MEKSI
Unë kam ofruar edhe para dy vjetësh një platformë për një politikë tjetër në PD dhe së paku këto dy vjet që sapo kanë mbyllur, treguan qartë se ajo platformë e Partisë Demokratike, jo ajo që paraqita unë, por ajo që miratoi dhe vuri në jetë për dy vjet PD-ja, nuk i solli asaj suksesin, apo të jemi të sigurt që ajo qe e gabuar, mos themi që kisha një platformë të drejtë, të sigurtë për një fitore etj. Prandaj dhe unë paraqesë sërish një platformë, por për fat të keq në PD nuk ke asnjë mundësi që të mund ta shtrosh këtë në kuvend siç ndodhi radhën e kaluar. Nuk ka asnjë mundësi që të kryhet një fushatë për të sqaruar platformën dhe në mënyrën se si u sollën këto ditët e fundit lidërshipi i “përjetshëm” i PD-së, vështirë se do të ketë mundësi reale për të paraqitur në bazë një platformë, për ta diskutuar, për ta sqaruar. Unë kam vënë kandidaturën si mënyra e vetme për të parashtruar këtë platformë. Në të gjithë vendet demokratike janë platformat që fitojnë, jo njerëzit që kërkojnë karriget. Karriget nuk janë kurrë të përjetshme, janë karrige që i takojnë një politike të caktuar dhe sa herë që kjo ndryshon, përmirësohet, ka të tjerë që e bëjnë këtë punë. Dhe përgjithësisht duhet gjykuar se politikat nuk i bëjnë individë të veçantë sado me “dhunti hyjnore” të jenë dhe me mision, por i bëjnë bashkësi njerëzish - idealesh të njëjta.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju si kandidat po përgatisni programin tuaj. Lidhur me këtë, sa i thellë do të jetë transformimi që ju mund t’i bëni opozitës, vizionit dhe imazhit të saj, panelit drejtues në qendër dhe labirinteve statutore për të cilat keni vërejtje?

ALEKSANDËR MEKSI
Vërejtjet e mia për statutin, që ka në themel synimin për të fituar demokracia sërisht në Shqipëri, janë marrë nga modeli që kanë gjithë partitë demokratike të Bashkimit të Partive demokratike, në të cilin bëjmë pjesë edhe ne. Nuk është ndonjë shpikje e imja dhe vetë fakti që sot në PD ka njerëz që nuk janë të një mendje me Sali Berishën dhe lidërshipin që i shkon pas atij, do të thotë fare qartë që ka nevojë për përmirësime statutore, për ndryshime statutore që mundësojnë institucionalizimin e një linje drejtuese, praninë në forume të atyre që mendojnë ndryshe, pjesëmarrjen e tyre në hartimin e politikave, në vendim - marrje, në zbatimin e politikave të PD-së. Nëse një gjë e tillë nuk ndodh, do të thotë se atje do të jetë një grup që do të mendojë njëlloj me të dhe për pasojë do jemi të sigurt që do kemi dështim të vazhdueshëm të PD, së paku do kemi një periudhë të gjatë që vetëm do humbim zgjedhjet.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është strategjia e luftës politike të opozitës që do të ndiqnit në rast se do të bëheshit kryetar i PD. Sa i hapur jeni për bashkëpunim me forcat e tjera të djathta?

ALEKSANDËR MEKSI
Partitë janë parti dhe secila mban identitetin e vet derisa nuk është një me partitë e tjera. Por për të përmbysur rregjimin ish-komunist në Shqipëri duke ruajtur secila fizionominë e saj, është e domosdoshme të gjejmë gjuhën e përbashkët për t’u bashkuar në një parti të vetme, duke ruajtur secila fizionominë e saj dhe përmasat në vendim-marrje, të peshës që ka secila në elektoratin e saj. Sigurisht duhet të bëhet një bashkim ndoshta i forcave demokratike, të cilat do t’i kundërviheshin me të gjitha mënyrat e një opozite në vendim-marrje, të peshës që ka secila në elektoratin e saj. Sigurisht duhet të bëhet një bashkim ndoshta i forcave demokratike, të cilat do t’i kundërviheshin me të gjitha mënyrat e një opozite të botës sot rregjimit të ish-komunistëve shqiptarë, të cilët po monopolizojnë për veten e tyre, familjet e tyre, ekonominë shqiptare. Na kanë lënë në errësirë të paimagjinueshme në vitin 2001, ndërkohë që asgjë nuk bëhet për të ulur varfërinë, për të rritur prosperitetin e shqiptarëve. Pra bashkimi i të gjitha forcave demokratike është kushti i parë që një PD duhet të lozte, jo duke i seleksionuar, përzgjedhur, si përzgjedh delegatët dhe drejtuesit e saj me urdhër nga lart, por duke i thënë të gjithëve: “Mbi këtë platformë ejani të luftojmë bashkarisht”.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjate kohës që keni qënë kryeministër, është ndjekur një politikë e paqartë ekonomike lidhur me pronën dhe shumë njerëz, shumica e të cilëve janë ish të burgosurit politikë, ose që i përkasin elektoratit të djathtë, nuk i morën pronat e tyre. Si i gjykoni juve deklarimet e fundit të Berishës lidhur me korrigjimin e politikës mbi pronën, tani që shumica e tokës është ndarë për frymë dhe konfliktet për pronën janë të shumta? A mendoni se kjo mund t’ju pengonte në fitoren tuaj?

ALEKSANDËR MEKSI
Unë po nisem nga fundi. Toka nuk është ndarë nga qeveria demokratike. Ne e kemi gjetur të ndarë dhe do ishte krejtësisht e vështirë që të mund të quhej një kthim i kësaj prone. Ne parashtruam në programin e PD-së, kompensimin dhe kthimin ku është e mundur të pronës dhe janë kthyer një numër shumë i madh pronash, ashtu si ka filluar dhe kompensimi i tyre. Këto proçese kanë 4 vjet që janë të bllokuara, ashtu siç janë të bllokuara të gjitha proçeset që lidhen me ish-të përndjekurit. Propozimi jonë edhe para dy vjetësh dhe gjatë kohës që ishim në qeveri, ishte që një pjesë e pasurive kombëtare siç mund të ishin Telekomi (në atë kohë AMC-ja), nafta, minierat, KESH-i, një pjesë e tyre kur ajo të dilte në treg të kthehej në aksione ose në vlerë monetare, dhe të jepej me çmimin real të pronës që i zoti nuk ka mundësi ta marre, për shkak të këtyre 50 vjetëve që kanë kaluar të marrëzisë komuniste në Shqipëri dhe vitet nuk kthehen dot mbrapa. Për fat të keq këto po shiten, po privatizohen lirë dhe po i marrin ata që bëjnë pjesë në stafet qeveritare dhe ata që janë të lidhur me miqtë e tyre jashtë shtetit. Pra nuk është kjo që mungonte në platformën e PD-së. PD 2-3 vitet e para u mor me sigurimin e bukës së popullit, me proçese shumë më të rëndësishme të reformës ekonomike, krahas asaj që ishte kthimi i pronave, kompensimi, rregjistrimi. Vazhdojnë dhe sot e kësaj dite një numër shumë i madh proçesesh gjyqësore për evidentimin e pronave, ashtu siç vazhdon edhe vjedhja e pronës.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë thonë se kriza konflikutale që ka mbërthyer PS është në një shkallë e ngjashme me krizën e servilizmit dhe mungesës së debatit të cilën PD e vuan prej kohësh. Si mendoni - kriza morale që ka mbërthyer në shkallë të gjerë politikën, buron nga kriza morale e shoqërisë shqiptare në tërësi apo është produkt i politikës së dy krerëve të partive kryesore siç thonë disa?

ALEKSANDËR MEKSI
Nuk mund të thuhet se ka krizë morale në shoqërinë shqiptare, ashtu siç ka përherë krizë vlerash në vendet që dalin nga komunizmi. Është absurde ta mohosh që njerëzit u tjetërsuan, u dhunuan dhe duan kohë që të kthehen në ato vlera që sigurojnë filozofitë më njerëzore, besimet etj. Por një gjë është e qartë, që njerëz të caktuar, që për fat të keq prej 10 vjetësh drejtojnë partitë, kanë identifikuar partitë me veten e tyre dhe si duket tashti kaluan në stadin më të lartë që është identifikimi i Shqipërisë me veten e tyre. Dhe dëgjojmë se o duhet të jetë ky kryetar, o do jetë ky president - ose duhet të ketë krizë, o duhet të jetë vetëm ky kryeministër, - ose nuk duhet të ketë njeri tjetër. Në të tilla rrethana besoj se kjo mund të quhet krizë e politikave, sesa krizë e shoqërisë shqiptare, krizë e individëve të veçantë të cilët nuk janë të vetëm, por kanë dhe takëme të tëra larosh që u shkojnë mbrapa, të gatshëm për të marrë poste dhe pushtet. Moralizimi i politikës shqiptare sigurisht do të ishte i nevojshëm, ashtu siç do ishte e nevojshme dhe një mbështetje pikërisht në aspektin moral, që Shqipërisë dhe politikës shqiptare, duhet t’i jepnin të huajt, që mos identifikohej me politikën e individëve të veçantë. Së paku kështu i thuhet gjithmonë popullit shqiptar, që këtë e kanë zgjedhur këta, ky është i atyre, ky duhet të jetë, ky na kanë thënë, ky duhet të vjedhi dhe votat, siç dëgjojmë kohët e fundit.

Intervistoi: Johana Shahini

XS
SM
MD
LG