Ndërlidhjet

logo-print

PAS NGJARJEVE TË 11 SHTATORIT, EVROPA MERR ROL KYÇ NË BALLKAN


"Ajo që ne theksuam është pavarësia e kushtëzuar dhe që na u duk më e mundshme për tu pranuar nga kosovarët. Pra, ne menduam se është e preferueshme të njoftojmë qartazi se për kah drejtohet procesi në Kosovë, në kuptimin e pavarësisë, dhe insistuam shumë, në idenë e kushtëzimit të pavarësisë, që është po kaq e rëndësishme sa objektivi" - thotë, pos tjerash, Jacques Rupnik, politikolog francez dhe anëtar i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar për Kosovën

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e Beogradit nënshkruan dokumentin me Unmikun permes te cilit inkurajon serbët e Kosovës që të marrin pjesë ne zgjedhjet e 17 Nëntorit. Cfarë efektesh mund te sjellë një vendim i tillë?

JACQUES RUPNIK
Mendoj se është ngjarje shumë e rëndësishme sepse lidhet me rrjedhat e vitit të fundit. Ju e mbani mend se Koshtunica erdhi në pushtet në muajin Tetor. Pak më vonë u mbajtën zgjedhjet lokale në Kosovë, të cilat serbët i bojkotuan, pjesërisht edhe me bekimin e qeverisë së Beogradit. Këtë vit ata zgjodhën që të marrin pjesë, që do të thotë, së pari, se ata do të njohin institucionet që ekzistojnë në Kosovë dhe se janë gati që me pjesmarrjen e tyre t’i legjitimojnë ato.
Por, nga ana tjetër, do të thotë se ata e kanë kuptuar që do të kenë interes nga e gjithë kjo dhe që, ndoshta, me këto zgjedhje, serbët do të jenë faktor kyç i pushtetit të ardhshëm në Kosovë; sepse mund të joshen nga partitë për të siguruar shumicën kur një koalicion të jetë i nevojshëm dhe sepse serbëve të Kosovës u janë rezervuar 20 vende në Asamble, çka do ti sjellë ata, mbase, në një pozitë vendimtare. Kjo veç tjerash do të thotë se kushdo që dëshiron të qeverisë në Kosovë, tash e tutje duhet të marrë në konsideratë serbët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë vërejnë se disa ditë para zgjedhjeve te pergjithshme në Kosovë, ka nje mospërputhje objektivash: shqiptarët që aspirojnë hapur për pavarësi dhe ndërkombëtarët që synojnë të ruajnë kornizat e rezolutës 1244. A mund te flitet per një konflikt eventual mes dy pushteteve pas zgjedhjeve?

JACQUES RUPNIK
Them se do të ketë një lloj konflikti mes dy legjitimiteteve: legjitimitetit të komunitetit ndërkombëtar, që ndërhyri në pranverë të vitit 1999 për ti dhënë fund represionit në Kosovë dhe që, menjëherë, nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara, ngriti institucione me orientim demokratik.
Këto institucione me orientim demokratik, për të parën herë do të kenë një tjetër legjitimitet – atë të popullit të Kosovës dhe ka shumë gjasë, që pas zgjedhjeve, Asambleja e re të marrë vendime të atilla që të përfshijnë edhe sovranitetin e Kosovës e që ti dalin kundër, të themi, institucioneve të protektoratit ndërkombëtar që vepron prej dy vitesh. Pra, rrezikojmë të kemi konflikt të dy legjitimiteteve dhe korniza kushtetuese për Kosovën, sic është prezantuar nga zoti Haekkerup, rrezikon të realizohet me shumë vështirësi, meqenëse, kjo kornizë ua lë levat më të rëndësishme të pushtetit ndërkombëtarëve. Hyjmë në një fazë që është e rëndësishme për demokracinë e Kosovës, por që mund të jetë edhe një fazë jostabiliteti pasi do të ketë tensione gjithnjë e më eksplicite, tani jo më detyrimisht me pushtetin e Beogradit, por me Bashkësinë Ndërkombëtare.
Bashkësia Ndërkombëtare, në fazën aktuale, nuk do të jetë e gatshme të angazhohet në rrugën e ndryshimeve të rëndësishme perspektive. Ajo nuk parapëlqen të trajtojë çështjen e statusit final të Kosovës, pasi mendon se gjendja aktuale është ende mjaft e paqëndrueshme - vecanërisht në Maqedoni - por sidomos, sepse komuniteti ndërkombëtar e ka vështrimin gjetkë. Pas ngjarjeve të 11 shtatorit, ka të tjera prioritete ndërkombëtare, e për këto shkaqe, edhe do të ruhet gjendja status quo.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se mund te jenë implikimet e krizës maqedonase për Kosovën. A mund ta bëni një parashikim ne këtë drejtim?

JACQUES RUPNIK
Mendoj se zgjidhja paqësor e krizës maqedonase, kompromisi kushtetues që u gjet, është mjaft i rëndësishëm për të ofruar një të ardhme të hapur. Këtu përfshihet edhe çështja e pavarësisë së Kosovës, pasi kjo përfaqëson, të paktën zyrtarisht, një angazhim nga ana e shqiptarëve të Maqedonisë për të respektuar integritetin territorial të Maqedonisë dhe, me këtë kusht, sipas mendimit tim, është më e lehtë të trajtohet çështja e statusit final të Kosovës, sepse do të shuhej droja e destabilizimit apo frika e Shqipërisë së Madhe, të gjitha këto shqetësime, që do të sillnin një refuzim për tu marrë me këtë cështje. Pra, mendoj se nëse marrëveshja konfirmohet dhe punët shkojnë në vijë, do të jetë e rëndësishme për të lënë perspektivë të hapur për Kosovën. Qartazi kjo sugjeron se, nëse shqiptarët e Maqedonsië, fitojnë të drejta të rëndësishme, është logjike që shqiptarët e Kosovës tu akordojnë po ashtu të drejta të rëndësishme pakicave në Kosovë dhe të respektojnë të drejtat e këtyre pakicave.

RADIO EVROPA E LIRË
Publikimi i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Pavarur për Kosovën, pas ekzaminimit te zgjidhjeve të mundshme për statusin e ardhshëm të Kosovës, ka riformuluar opsionin e pavarësisë së kushtëzuar. Përse?

JACQUES RUPNIK
E morëm këtë vendim pasi ekzaminuam hipotezat e tjera. Hipotezat e tjera kanë të bëjnë si me ruajtjen e gjendjes status quo, protektoratit ndërkombëtar, çfarë është edhe më e mundshmja të paktën në perspektivën e afërt… me hipotezën e ndarjes, që na u duk shumë e rrezikshme dhe e keqe, sa për Kosovën aq edhe për Ballkanin në tërësi; hipotezën më të dëshirueshme në planin diplomatik – atë të një Jugosllavie të rishikuar dhe të korrigjuar me Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën – si entitete njësoj të barabarta të një federate të re – kjo ka siç thashë, avantazhe diplomatike sepse ruan integritetin territorial dhe rezolutën 1244.
Hipoteza numër katër dhe ajo që ne theksuam është pavarësia e kushtëzuar dhe që na u duk më e mundshme për tu pranuar nga kosovarët, në raport me tri hipotezat e mësipërme. Pra, ne menduam se është e preferueshme të njoftojmë qartazi se për kah drejtohet procesi në Kosovë, në kuptimin e pavarësisë, dhe insistuam shumë, në idenë e kushtëzimit të pavarësisë, që është po kaq e rëndësishme sa objektivi.
Kjo do të thotë heqje dorë e vullnetshme e të gjitha partive nga modifikimi i kufijve – që do të thotë të mos kërkohet një Kosovë e Madhe apo një Shqipëri e Madhe; të respektohen të drejtat e njeriut; të drejtat e pakicave; të kuptohet se sovraniteti në shekullin e 21-të, pra pavarësia drejt së cilës synohet - nuk mund të jetë një pavarësi e shekullit të 19, me kufinj të mbyllur dhe me sovranitet absolut të etnisë dominuese. Kjo sepse në shekullin e 21 flitet më shumë për një kërkim të ndarjes së sovranitetit, sidomos në rajone ku nuk ka homogjenitet etnik. Pra mendoj se Ballkani duhet të ecë drejt asaj që Evropa po e përshkon prej gjysmë shekulli, ndarjes së sovranitetit – çka e forcon sigurinë. Nëse sovraniteti total është rruga drejt konfliktit dhe pasigurisë, kushtëzimi i sovranitetit me marrëveshje ndërkombëtare mund ti kontribuojë paqes dhe do të thotë kapërcim i modelit politik që, fatkeqësisht ka mbizotëruar deri tash në Ballkan.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e cekët, por edhe ish i dërguari i posaçëm i BE-së, François Leotard e ka theksuar javë me parë, se Bashkimi Evropian duhet ti rishikoj kufijtë në Ballkan sipas dinamikës së re të krijuar. Ekziston mendimi se angazhimi i Shteteve te Bashkuara, në një front tjetër, mund ti lerë rol kyç Bashkimit Evropian në raport me Kosovën. Sa ka seriozitet në Bashkimin Evropian lidhur me këtë çështje?

JACQUES RUPNIK
Mendoj se është forcuar efektiviteti i rolit të Evropës dhe këtë ajo e ka dëshmuar me konfliktin në Maqedoni, ku ka luajtur rol parandalues, gjë që nuk e ka bërë në fillim të viteve ’90 me qëndrimin pasiv ndaj konflikteve në ish Jugosllavi. Nërkaq, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë prioritete të tjera, që do të thotë se nuk mund të angazhohen si deri më tash në raport me administrimin e konflikteve në Ballkan, qoftë në Bosnje, në Kosovë apo në Maqedoni. Eshtë logjike që Evropa të përballet me sfidën që të dëshmoj se është e aftë të marrë rol kyç jo vetëm në planin e sigurisë por edhe në aspektin politik, që do të thotë, se duhet të ofroj jo vetëm një ndërmjetësim midis palëve të ndryshme por mbi të gjitha, të ofroj një të ardhme të përbashkët të rajonit në Evropën e integruar të së ardhmes. Ky është një proces afatgjatë por që vetëm Evropa mund ta propozoj.
Kosova nuk mund të jetë shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara. E vetmja e ardhme e vërtetë për Kosovën si dhe për Maqedoninë apo ish Jugosllavinë, është që të gjenden forma të bashkekzistencës, të tilla që t’u lejojnë këtyre vendeve integrimin me Bashkimin Evropian. Por Bashkimi Evropian nuk është një ilaç magjik. Duhet së pari të ngashënjehet, të hapet udha e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës që të mundësohet, më pas, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.
Jemi në një udhëkryq: ka marrë fund një dekadë luftrash, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në një betejë të madhe kundër terrorizmit dhe tani Evropa duhet të demonstrojë se është e aftë ti ofrojë një perspektivë Kosovës dhe në përgjithësi rajonit të Ballkanit.



XS
SM
MD
LG