Ndërlidhjet

logo-print

MEQË VIJË NGA QARQE SHKENCORE, NUK DO TË KORNIZOHEM ME QËNDRIME SHUMË TË FORTA TË ASNJË GRUPACIONI POLITIK


"Konsideroj se Parlamenti do të jetë e vetmja urë që mund të siguroj stabilitet të Presidencës dhe të Qeverisë së Kosovës. Nëse, rastësisht, nuk sigurohet kjo qetësi e veprimit, Qeveria dhe Presidenca do të jenë jo të efektshme, atëherë unë do të ndjej përgjegjësinë time morale dhe politike dhe do të mendoj për hapa të mëtutjeshëm" - thotë Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Mbledhja e Kuvendit më 13 Dhjetor, u ndërpre pasi votimi për zgjedhjen e Kryetarit të Kosovës nuk pati sukses. Zoti Daci kur do të vazhdojë kjo seancë?

NEXHAT DACI
Po, unë besoj që diku menjëherë pas festave të Vitit të Ri, atëherë kur nga pushimet familjare kthehen edhe zyrat e vendeve mike të Kosovës. Nga ana tjetër, t’ju lëmë pak kohë grupeve parlamentare dhe udhëheqësve të tyre politikë, që të shpresojmë se do të zhbllokojnë procesin. Diku kah 10 Janari, shpresoj që do të mbahet seanca plenare e Parlamentit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa liderë të grupeve paralamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës, kanë shprehur pakënaqësi me këtë vendim tuajin?

NEXHAT DACI
Po unë besoj që mund të kenë të drejtë individuale, sepse një pjesë e jona në Ballkan, në përgjithësi, i shikon gjithmonë interesat e grupacionit politik që i përfaqëson. Ndërsa, udhëheqësi i Parlamentit duhet ti ketë në konsideratë të gjitha grupet parlamentare dhe grupacionet politike. Duke i vlerësuar qëndrimet diametralisht të kundërta të këtyre grupeve parlamentare është dashur atëherë që të marrë një qëndrim, edhe pse jo i përshtatshëm, për ti lënë kohë, megjithatë, procesit të negociatave. Besoj që 10 Janari është një kohë optimale për vazhdimin e seancës plenare.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka do të ndodhë nëse edhe më tutje grupet parlamentare shqiptare nuk arrijnë ndonjë marrëveshje për krijimin e koalicioneve që, në një mënyrë, siç thatë edhe ju, do ta zhbllokonte punën e Kuvendit dhe do të hapte rrugë për krijimin e institucioneve demokratike në Kosovë?

NEXHAT DACI
Unë jam optimist se kësaj rradhe do t’ia dalim. Por, nëse grupet Parlamentare barrikadohen në bunkeret e tyre politikë, atëherë besoj që e vetmja rrugë do të jetë ajo institucionale nëpërmjet Parlamentit dhe besoj që Parlamenti do të aktivizohet pak më fuqishëm dhe në bashkëpunim me të gjithë faktorët që e përcaktojnë, në një mënyrë, politikën në Kosovë do ta gjejnë një zgjidhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër zoti Daci, çfarë do të jetë pozicioni juaj si kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe si i deputet i LDK-së?

NEXHAT DACI
Unë në seancën e parë i kam premtuar Parlamentit që do të mundohen të jem shumë transparent, do të mundohem të jem në funksion edhe të atyre grupacioneve politike në Parlament të cilat nuk kanë votuar për mua. Megjithatë unë do të mundohem të jem kryetar Parlamenti i të gjithë përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës, pra i të gjithë deputetëve. Edhe pse unë vijë nga rradhët e LDK-së, ata e kanë edhe të drejtën e abrogimit tim... megjithatë nisur nga fakti që unë vijë nga qarqet shkencore, nuk do të jem i kronizuar me qëndrime shumë të forta të asnjë grupacioni politik. Do të thotë, e përfaqësoj konceptin e LDK-së, se zgjedhja reale dhe e drejtë është mbi bazën e elektoratit, mbi bazën e votës dhe vendeve në Parlament. Por, mëgjithatë unë kam qenë gjatë tërë kohës së luftës i pozicionuar në Prishtinë me familjen time, duhet të kuptojmë se Kosova sa ka dalë nga një luftë çlirimtare, duhet të kuptojmë që kompromisi është i vetmi art i mundshëm i zgjidhjes së problemeve dhe, në këtë aspekt, duhet tu sugjeroj grupacioneve politike që vijnë në Parlament që të bashkëpunojnë dhe vërtet në një mënyrë konstruktive dhe frytëdhënëse ta zgjidhim problemin.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt, zoti Daci çka mendoni kush duhet ta ndërrmer hapin e parë në inicimin e dialogut dhe në inicimin e krijimit të koalicioneve?

NEXHAT DACI
Unë e ndjek një parim: për të keq gjithmonë është fajtor më i madhi... Por edhe për të mirë. Do të thotë, këtë rradhë grupacioni politik të cilit i takoj unë, LDK-së, i takon që të marrë nisma dhe të bëjë të gjitha tentimet e mundshme, që të arrijë një konsensus të veprimit konsensual, të arrijë një unitet në Parlament. Kjo, sepse unë e konsideroj se Parlamenti do të jetë e vetmja urë që mund të siguroj stabilitet të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë së Kosovës. Nëse, rastësisht nuk sigurohet kjo qetësi e veprimit, Qeveria dhe Presidenca do të jenë jo të efektshme, atëherë unë do ta ndiej përgjegjësinë time morale dhe politike dhe do të mendoj për hapa të mëtutjeshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci për fund të kësaj bisede ju lutem të na tregoni se a keni informacione se mbase në këto çaste apo këto ditë po mbahen konsultime në mes të tri partive kryesore politike shqiptare?

NEXHAT DACI
Bisedimet kurrë nuk janë ndërprerë, edhe pse janë shpallur në një mënyrë të përmbyllura. Mos të harrojmë se Kosova është shumë e vogël, Prishtina është edhe më e vogël dhe se aktiviteti kryesor zhvillohet në Prishtinë. Ka kontakte të shumta intelektuale, jashtë formacioneve të themi zyrtare, por kontaktet nuk janë ndërprerë në asnjë rast dhe unë shpresoj që kurrë nuk do ti ndërprejmë.
XS
SM
MD
LG