Ndërlidhjet

YLBER HYSA: DEMONSTRIMI I AFTËSIVE VETQEVERISËSE NËNKUPTON EDHE GJYQËSINË E PAANSHME DHE GJENDJEN E PAKICAVE


“Për sa i përket qëndrimit më të elaboruar, të administratës amerikane, sipas asaj që vërejta gjatë qëndrimit në Uashington, do të doja të theksoja këtu një lloj pakoje masash, një lloj harte rrugësh për Serbinë, ku shihet një përkrahje e qartë për pjesën reformiste të Beogradit dhe, në këtë aspekt do kisha thënë, që nuk egziston një qëndrim shumë pro Koshtunicës, por më shumë pro atyre forcave që shprehin gatishmërinë për reforma” – thotë analisti prishtinas, Ylber Hysa.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hysa, para disa ditësh qëndruat në Uashington ku patët aktivitete të ndryshme. Një nga këto aktivitete ishte dhe mbajtja e konferencës së Qendrës për strategji ndërkombëtare, lidhur me agjendën e pambaruar për Ballkanin dhe definimin e politikës së jashtme amerikane pas 11 Shtatorit.

YLBER HYSA
Ajo që mund të them në fillim është fakti se kjo politikë e jashtme, në masë të madhe, definohet nga një vijë e trashë strategjike, e cila lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet e pas 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara. Ajo e ka absorbuar agjendën amerikane të drejtuar kah siguria kombëtare dhe në këtë aspekt, me sa kemi vërejtur në Uashington, egziston një preokupim i madh si të definohet politika karshi Lindjes së Largët. Në këtë aspekt edhe fjalimi i presidentit Bush, ku u përmendën tri shtete problematike, është më se domethënës. Duket që Ballkani nuk bën pjesë në prioritetet e administratës së re thjesht për realitetin e ri të imponuar. Në këtë aspekt krijohet përshtypja që qëndrimi amerikan është definimi i rolit të dytë, në kuptimin që do t’u lejohet aleatëve evropianë që të kenë më shumë rol lidershipi dhe në këtë aspekt politika e jashtme amerikane karshi rajonit tonë duket se rregullohet përmes pesë pikave strategjike që shprehin këto principe, të cilat mund të kombinohen në atë se: rajoni detyrimisht duhet të shkojë drejt integrimit evropian dhe ky është një proces i pakthyeshëm ku aleatët e Bashkësisë Evropiane duhet të luajnë rol cilësor dhe i dyti, që më shumë ka të bëjë me një interes më të ngushtë nacional amerikan, është fakti se kjo pjesë e botës nuk duhet të jetë strehim për terroristët e ndryshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Po lidhur me elaborimin e vendeve të ish-Jugosllavisë, çfarë do të veçonit përsa u përket rekomandimeve dhe qëndrimeve të politikës amerikane ndaj secilit prej këtyre shteteve?

YLBER HYSA
Për sa i përket qëndrimit më të elaboruar, do kisha dashur të theksoj këtu një lloj pakoje masash, një lloj harte rrugësh për Serbinë ku shihet një përkrahje e qartë për pjesën reformiste të Beogradit dhe në këtë aspekt do kisha thënë që nuk egziston një qëndrim shumë pro Koshtunicës, por më shumë pro atyre forcave që shprehin gatishmërinë për reforma. Në këtë aspekt shihet edhe një lloj gatishmërie për të vendosur sistemin e karrotës dhe të shkopit ku bëjnë pjesë: zgjedhjet e jashtëzakonshme në Luginën e Preshevës, ndërprerja e përkrahjes për Ministrinë e mbrojtjes në Republikën Serbe dhe ndoshta e tëra kjo duhet të mbështetet edhe në faktin që Serbia duhet t’i dorëzojë shtatë dëshmitarët kryesorë për Millosheviqin, ku hyn madje edhe Karaxhiqi dhe Mladiqi. E tëra do të kulminojë ndoshta me karrotën pas diku dhjetë javësh kur ushtria jugosllave mund të hyjë në Partneritetin për paqe.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka kohë që në ish republikën jugosllave të Maqedonisë ka patur zhvillime dramatike ndërsa duket se asgjë akoma nuk ka përfunduar. Po ashtu edhe Mali i Zi ka një kohë të gjatë që gjendet në agjendën e politikës evropiane. Si u vlerësuan këto zhvillime në Uashington?

YLBER HYSA
Përsa i përket Maqedonisë shihet një përkrahje e qartë për presidentin Trajkovski dhe për procesin, i cili duhet të vazhdojë, pas miratimit të Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë edhe caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe ndërprerjen e çfarëdo forme të aktivitetit të grupeve radikale të armatosura nga të dy palët. Është interesant që nuk ekziston një qëndrim i definuar rreth Malit të Zi, por ai qëndrim definohet në përkrahje të zotit Solana dhe aktiviteteve të tij që ai po i ndërmerr, në vazhdimin e një lloj bisede mes Beogradit dhe Podgoricës dhe në këtë aspekt duket se ka edhe mbështetje për Bashkimin Evropian ndaj qëndrimit të saj për Shqipërinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund cili ishte qëndrimi në atë konferencë përsa i përket Kosovës?

YLBER HYSA
Sa i përket Kosovës, mund të vërehet një qëndrim që reflektohet në tri pika: e para është nevoja që kosovarët duhet të demonstrojnë aftësitë e tyre vetqeverisëse, që nënkupton një lloj stabiliteti që përfshinë edhe gjyqësinë e paanshme. Pika e dytë është përmirësimi i gjendjes së pakicave, normalisht me një theks të veçantë për serbët dhe pika e tretë ka të bëjë me një politikë konstruktive kosovare karshi fqinjëve. Ky pak a shumë është një lloj qëndrimi që definohet momentalisht ose që së paku unë e kam kuptuar në Uashington.
XS
SM
MD
LG