Ndërlidhjet

logo-print

ABDYLMENAF BEXHETI: PREMTIMET E KONFERENCËS SË DONATORËVE DO TË KENË PARAKUSHTE POLITIKE


“Programi qeveritar që në fillim kur e filloi marrjen e mandatit kjo qeveri, ishte mbi bazat e një programi të uljes së taksave permanente. Por në fakt tre vite më pas, por edhe ky vit, vërtetuan të kundërtën, meqë gjithnjë e më tepër paraqiten ngarkesa të reja, taksa të reja dhe qytetarët sot janë shumë më të ngarkuar se para tre katër vitesh më parë” – thotë Abdylmenaf Bexheti, profesor i ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Viti i kaluar u mbyll me një deficit të thellë buxhetor. Cilat janë parashikimet tuaja për këtë vit? Çfarë shansesh për sukses ka ekonomia e Maqedonisë duke patur parasysh këtë lloj trashëgimie?

ABDYLMENAF BEXHETI
Parashikimet që janë bërë mbi bazat e projeksioneve makroekonomike, që ka bërë qeveria e Maqedonisë në bashkëpunim me FMN, unë vlerësoj se megjithatë janë me një theks të shprehur të optimizmit, meqë është parashikuar një rritje prej 4% e prodhimit bruto shoqëror, një inflacion tejet i kontrolluar apo i ulët prej 2. 5 %, një deficit buxhetor prej 2.7 % etj. Janë disa parametra që janë tejet të sforcuar dhe madje edhe sikur menjëherë të kalohet nga një recesion ciklik që e mbylli vitin 2001, të kalohet në një gjendje të një ekonomie eksplozuese, përsëri do të jetë shumë e vështirë që megjithatë të realizohen këto projeksione.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bexheti një inflacion i mundshëm për shëmbull i mallrave të konsumit të gjerë, a mund të kompensohet me një rritje çmimi të energjisë? Si do të interpretoheshin për njerëzit e thjeshtë këto ndryshime?

ABDYLMENAF BEXHETI
Edhe Maqedonia si dhe shumë vende të tjera në rajon gjindet në një krizë energjetike, por unë besoj se nuk do të marrë guximin të bëjë një rritje të çmimeve energjetike, meqë edhe kështu, çmimet i ka më të larta se të gjitha shtetet në rajon. Megjithatë edhe shumë çmime të tjera të konsumit të gjerë do të kenë një rritje së paku të dyfishtë nga ajo që është projektuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë pritshmëri ka nga Konferenca e Donatorëve… por çfarë nëse përfundimet e saj do të jenë zhgënjyese?

ABDYLMENAF BEXHETI
Të gjitha ato premtime që do të jepen atje më 12 mars, pritet që të kenë parakushte të natyrës politike që nuk mund të realizohen lehtë paraprakisht para zgjedhjeve. Mandej do të jetë edhe pritja shumë zhgënjyese për të gjithë ata që presin se, në fakt, do të ketë ndonjë përfitim real. Por tjetër gjë është edhe çështja e distribuimit të këtyre ndihmave që i pret Maqedonia, meqë 2/3 e tyre i projekton për financimin e deficitit të bilancit të pagesës, në fakt për pagesën e borxheve, për importimin e armëve nga Ukraina. Shtetet perëndimore nuk janë të gatshme që të financojnë kësi aranzhmane që ka harxhuar Maqedonia vitin e kaluar, kurse vetëm 1/3 e mjeteve që parashihen duhet të jetë për sanimin e gjendjes në territoret e shkatërruar nga lufta. Edhe pse e dimë që konferenca mbahet në kushte të pasluftës, ajo së paku duhet të jetë mëse 2/3 e destinuar për nevojat e sanimit të gjendjes nga lufta.

RADIO EVROPA E LIRË
Klima elektorale apo nevoja për të fituar pikë përpara zgjedhjeve, a mund të ndikojë në bilancin buxhetor shtetëror? E kam fjalën për shembull, një ulje e taksave, si do të reflektojë kjo përgjithësisht mbi ekonominë?

ABDYLMENAF BEXHETI
Programi qeveritar që në fillim kur e filloi marrjen e mandatit kjo qeveri, ishte mbi bazat e një programi të uljes së taksave permanente. Por në fakt tre vite më pas, por edhe ky vit, vërtetuan të kundërtën, meqë gjithnjë e më tepër paraqiten ngarkesa të reja, taksa të reja dhe qytetarët sot janë shumë më të ngarkuar se para tre katër vitesh më parë. Kjo aq më tepër kur akoma vazhdon të funksionoj edhe një taksë shtesë e quajtur tatimi i luftës, të cilën e paguajnë si qytetarët ashtu dhe personat juridikë në çdo transaksion financiar prej 0.5 %, që është një vlerë shumë e madhe dhe në fakt kap një sasi mjaft të madhe fiskale. Po tentohet që kjo taksë të vlejë edhe në gjashtëmujorin e dytë, që do të thotë edhe në periudhën elektorale, vetëm e vetëm për të mundur të bëhet ndonjë financim projektues për realizimin e ndonjë projekti drejtpërsëdrejti në terren, që të mund të përfitohet një përkrahje elektorale. Po mendoj se ndonjë fushatë të uljes së taksave nuk ka gjasë të bëjnë meqë edhe ashtu buxheti është i projektuar në një nivel shumë të lartë.
XS
SM
MD
LG