Ndërlidhjet

SFIDAT E QEVERISE SE RE TE KOSOVES


Rrahman Pacarrizi

Marrëveshja e partive politike për ndërtimin e qeverisë së Kosovës me bazë të gjerë bashkëqeverisjeje, ka përcaktuar edhe prioritetet e punës së kësaj qeverie, të cilat janë formuluar në 8 pika kryesore që kanë të bëjnë me problemet konkrete me të cilat përballet Kosova. Ekspertë juridikë dhe analistë kosovarë kanë vlerësuar se programi i parashtruar është tepër ambicioz për një qeveri e cila del nga një marrëveshje politike.
Profesor Enver Hasani, ligjërues në Fakultetin Juridik mendon se realizimi i tërësishëm i prioriteteve të përcaktuara është mjaft problematik edhe për faktin se një pjesë e energjisë do të shpenzohet në trasimin e rrugës për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.
“Kam frikë se do të ketë presion në qeveri dhe në organet e misionit të Kosovës për të bërë diçka lidhur me statusin final të Kosovës, kështu që do shpenzohet shumë energji në problemet politike”, thotë profesor Hasani.
Edhe Baton Haxhiu, analist i pavarrur vështirësitë e përmbushjes së prioriteteve i sheh pikërisht në faktin se kjo është një qeveri kompromisi.
“Do të ketë shumë vështirësi që të realizohen, ndërkohë që të përputhen me të gjitha interesat”,-argumenton zoti Haxhiu duke pohuar se pavarësisht nga kjo ka shumë besim tek kryeministri i ardhshëm i Kosovës Bajram Rexhepi.
“Jam i bindur se Bajram Rexhepi është njeriu më i merituar për momentin, prandaj”,- ka thënë zoti Haxhiu- “në një situatë të tillë kryeministrit Rexhepi duhet t’i lihen duar të lira dhe nuk duhet të përfaqësojë partinë, por liderin e qeverisjes”- përfundon ai.
Në anën tjetër Enver Hasani duke e parë çështjen e statusit politik një çështje kryesore me të cilën do të merret qeveria e Kosovës, bazën e gjerë të pjesëmarrjes së forcave politike në këtë qeveri e sheh si fakt pozitiv.
“Çështja e statusit politik pikërisht për këtë është çështje kompromisi, përkatësisht çështje e participimit të të gjitha forcave politike relevante kosovare. Pa pjesëmarrjen e të gjithëve në zgjidhjen e statusit final të Kosovës nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thotë zoti Hasani.
Ndërkohë partitë politike tashmë kanë filluar konsultimet edhe me ndërkombëtarët për të ndarë ministritë dhe për të përcaktuar ministrat e rinj. Burime të administratës ndërkombëtare thonë se pengesat kryesore mund të paraqiten rreth vendimit se kujt do t’i takojë Ministria e Ekonomisë dhe Financave, ndoshta edhe rreth Ministrisë së Arsimit, asaj të Tregtisë dhe Industrisë. Marrëveshja për bashkëqeverisje përcakton vetëm numrin e ministrive që i takojnë secilës parti por nuk përcakton se cila ministri cilës parti do t’i takojë. Zoti Enver Hasani vlerëson se ky është një problem që nuk duhet neglizhuar, por nuk krahasohet me ndarjen e dy posteve kryesore
“Kam frikë se realisht do të ketë probleme rreth ndarjes së posteve dhe nuk është problem aq i lehtë, i cili duhet neglizhuar. Megjithatë këtu kryesore ka qënë posti i parë, jo pse në parim nuk ka patur pajtime rreth asaj se ky post duhet t’i takojë PDK-së, mospajtimet kryesisht kanë qënë rreth nominalisht kush do ta merrte këtën post”, thotë Enver Hasani.
Sidoqoftë bisedimet ndërmjet partive për ndarjen ministrive tashmë kanë filluar në zyrat e kryadministratorit Michael Steiner, i cili ka kërkuar nga partitë që në krye të këtyre ministrive të emërojnë njerëz të kualifikuar.
XS
SM
MD
LG