Ndërlidhjet

DRITËRO AGOLLI: NJË BETEJË MESKINE, PËR INTERESA PERSONALE


“…ka grupe dhe njerëz të veçantë, që idetë apo sjelljet e të cilëve, kanë një harmoni me krimin, e fshehin krimin. Unë mendoj se kjo e ka origjinën qoftë në traditën e lashtë të besës që jepnin burrat dikur që të mos e tradhëtonin shokun, që ta fshehnin një gjë të tillë” – thotë shkrimtari i njohur shqiptar, Dritëro Agolli

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju zhvillimet e fundit në skenën politike dhe akuzat e ndërsjella brenda Partisë Socialiste?

DRITËRO AGOLLI
Këto kontradikta, këto kontraste, kundërshtime nuk janë një debat normal, por këto janë grindje dhe thashetheme… grindje për përfitime të ndryshme, për përfitime ekonomike, për përfitime politike, për përfitime psikologjike. Po të ishte një betejë për vlerat, për të nxjerrë në shesh vlerat, kjo do ishte një gjë shumë e mirë, por kjo është një betejë meskine, për interesa personale më shumë, ose për interesa klanesh apo interesa grupesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto gjëra në Shqipëri po shfaqen më së shumë tani kur në Kosovë duket se u fashit disi mosmarrëveshja politike. A mendoni se do kenë këto ngjarjet e fundit të Shqipëri një farë ndikimi mbi zhvillimet e mëtejshme në hapësirat shqiptare në Ballkan?

DRITËRO AGOLLI
Këto janë…si ta themi, në simbiozë. Bashkërisht jetojmë dhe bashkërisht ndikojmë te njëri tjetri. Qetësia që do të lindë në Kosovë dhe respektimi i institucioneve demokratike dhe të drejtësisë do të ndikojë edhe këtu tek ne.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasadori amerikan Limprecht në një fjalë të tij më herët, u shpreh se shqipëtarët shfaqin ende një kulturë të bashkëjetesës me krimin. Si e gjykoni ju këtë vlerësim?

DRITËRO AGOLLI
Në përgjithësi unë them se ambasadori amerikan ka të drejtë këtu, sepse ka grupe dhe njerëz të veçantë, që idetë apo sjelljet e të cilëve, kanë një harmoni me krimin, e fshehin krimin. Unë mendoj se kjo e ka origjinën qoftë në traditën e lashtë të besës që jepnin burrat dikur që të mos e tradhëtonin shokun, që ta fshehnin një gjë të tillë, traditën e keqe them… qoftë në varfërinë e madhe që ka patur vendi dhe patjetër do të bashkëjetojë me krimin, qoftë pastaj edhe në vetë influencat e rrymave të ndryshme në botë, që janë të lidhura me mafjen, me grupe të tjera, të cilat influencojnë shumë tek ne, pasi gjejnë terren.
XS
SM
MD
LG