Ndërlidhjet

logo-print

ICG: SI MUNDËSI, NUK DUHET TË PËRJASHTOHET AS PAVARËSIA E KOSOVËS


Augustin Palokaj “Vendosja e një protektorati të OKB-së në Kosovë, ka krijuar një situatë të re. Sipas rezolutës 1244 çështja e statusit final në Kosovë është lënë e hapur dhe pavarësia është një nga opcionet e mundshme” - thuhet në raportin e Grupit ndërkombëtar të krizave me seli në Bruksel.

Pas komisionit ndërkombëtar për Kosovën, i kryesuar nga Richard Goldston, që tashmë është shuar, edhe një organizatë tjetër joqeveritare, me peshë ndoshta më të madhe, ka dalë sot me propozimin për një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën, si zgjidhjen më të favorshme të statusit final të saj. Këtë ide e ka nxjerrë sot në një raport shumë voluminoz me 80 faqe edhe grupi Ndërkombërar i Krizave me seli në Bruksel, i cili thotë se: “ bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të hezitojë tani që të hapë dialogun për statusin final të Kosovës dhe në atë dialog nuk duhet të përjashtoj si mundësi as pavarësinë e saj, pasi edhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit nuk e përjashton këtë”.

Në raport janë të përfshira edhe rekomandimet rreth statusit final dhe aty ICG thotë se “rasti i Kosovës nuk është i krahasueshëm me ato në Republikën Serbe në Bosnje dhe me rajonet e banuara me shqiptarë në Maqedoni, apo në Serbinë Jugore. Si njësi përbërëse e ish federatës jugosllave, Kosova ishte njësi autonome me kufijtë e saj të përcaktuar dhe me përfaqësim në njësinë federative.Vendosja e një protektorati të OKB-së në Kosovë ka krijuar një situatë të re. Sipas rezolutës 1244 në Kosovë çështja e statusit final është lënë e hapur dhe pavarësia është një nga opcionet e mundura” - thuhet në këtë raport, ku shtohet se “çdo përpjekje eventuale nga separatistët e mundshëm në vende të tjera, eventualisht të serbëve në Bosnje apo të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, që lidhin rastin e vet me atë të Kosovës, do të duhej automatikisht të hedhej poshtë nga Bashkësia ndërkombëtare.”

Më tutje në raport organizata joqeveritare ICG rikujton se “asnjë shqiptar nuk është i gatshëm që në çfarëdo kushtesh, të jetë përsëri në çfarëdo forme, në një shtet serb apo jugosllav dhe se ndjenja nga rreziku i një gjëje të tillë vetëm e mban situatën në Kosovë të tensionuar dhe pengon pajtimin ndëretnik, por edhe stabilitetin e rajonit. Në anën tjetër, sovraniteti i plotë për Kosovën po ashtu duket joreal tani për tani, duke marë parasysh kushtet e vështira të pakicave kombëtare dhe mungesën e institucioneve funksionale në Kosovë” - thuhet në këtë raport.
Prandaj, Grupi ndërkombëtar i krizës pavarësinë e kufizuar, në një formë të mbikqyrjes ndërkombëtare, e ofron si zgjidhjen më të përshtatshme. Ky grup, në bordin e të cilit janë kryesisht ish kryetarë dhe ish ministra të shteteve të ndryshme të botës, si Marti Ahtisaari, gjenerali Clark, Garreth Evans, etj, sugjeron që të zhvillohet një dialog midis Beogradit dhe Prishtinës dhe të krijohet një bazë e fortë, ndërsa marrëveshjen Haekkerup- Çoviq nuk e konsideron si bazë për dialog të mirëfilltë mes Beogradit dhe Prishtinës.

ICG-ja është e mendimit se shqiptarët duhet të zotohen për mbrojtjen e pakicave, sidomos serbëve dhe romëve, ndërsa as serbëve në Kosovë nuk do të duhet tu jepet e drejta e vetos në marrjen e vendimeve. Gjithashtu sugjerohet se zgjidhja e statusit final të Kosovës të jetë në kontekstin rajonal, pra të kuptohen të gjitha rrethanat ku gjendet Kosova.
XS
SM
MD
LG