Ndërlidhjet

GËZIM OSTRENI: MENDOJ SE JANË TRILLIME


“Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk ka bërë luftë fetare në Maqedoni, por përkundrazi ka qenë kundër asaj lufte. Lufta dhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë drejtuar drejt ruajtjes së dinjitetit, lirive dhe të drejtave të njeriut, gjë që ishte shprehur nëpërmjet strategjisë, kërkesave me gojë edhe me shkrim nëpërmjet mediave nga ana e përfaqësuesit politik të UÇK-së” – thotë Gëzim Ostreni

RADIO EVROPA E LIRË
Ndonëse mediat maqedonase në informacionet e tyre janë duke krijuar një diagonale lidhshmërie mes ish- Ushtrisë Kombëtare Çlirimtare dhe shtatë personave të vrarë nga ana e policisë maqedonase në Luboten të Shkupit, identiteti i të cilëve mbetet akoma i panjohur, zoti Ostreni pyetja është konkrete sa ka të vërtetë se UÇK-ja ka patur ndonjë lidhshmëri me këta shtatë persona.

GËZIM OSTRENI
Unë mendoj se janë trillime, UÇK-ja ka mbaruar së ekzistuari që prej 26 shtatorit sipas marrëveshjeve që kemi patur me shtetin e Maqedonisë, marrëveshje me ndërkombëtarët, marrëveshjet me NATO-n dhe nuk ka asgjë të përbashkët ndërmjet kësaj që ndodhi dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ostreni po a keni ju njohuri se kush fshihet pas identitetit të këtyre shtatë personave të vrarë?

GËZIM OSTRENI
Jo nuk ka as arsye që ta dimë se kush janë ata. Për ne është një grup për të cilin organet kompetente maqedonase, Ministria e punëve të brendshme, thotë se ata janë likuiduar si grup diversantësh. Fjalën e fundit duhet ta kenë hetimet edhe gjykata.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ostreni, si shef i Shtabit të Përgjithshëm të ish UÇK-së, si do t’i kishit komentuar zërat që edhe më tutje thonë se ka një pikë lidhshmërie mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rrjetit terrorist al-Qaida?

GËZIM OSTRENI
Kjo nuk është e vërtetë, Ushtria Çlirimtare Kombëtare nuk ka bërë luftë fetare në Maqedoni, por përkundrazi ka qenë kundër asaj lufte. Lufta dhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni kanë qenë drejtuar drejt ruajtjes së dinjitetit, lirive dhe të drejtave të njeriut, gjë që ishte shprehur nëpërmjet strategjisë, kërkesave me gojë edhe me shkrim nëpërmjet mediave nga ana e përfaqësuesit politik të UÇK-së. Këto kërkesa gjetën vend me mbështetjen e Bashkësisë ndërkombëtare në marrëveshjen e Ohrit. Pastaj filloi dalëngadalë, edhe pse me zvarritje, implementimi i saj dhe ajo u pa dukshëm në ndryshimet që iu bënë kushtetutës së Maqedonisë. Normalisht pas ligjit për qeverisjen vendore, tani po e presim ligjin për amnisti edhe reintegrimin e pjesëtarëve të ish UÇK-së në shoqërinë e Maqedonisë si qytetarë të ndershëm. Duhet patur parasysh se tani është në pyetje miratimi i ligjit për amnisti edhe të gjithë e dimë se gjithmonë para këtyre momenteve ka patur disa përpjekje për ta keqësuar situatën. Ashtu ishte situata në Trebosh e kështu me rradhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në intervistën e djeshme për një gazetë greke kryeministri maqedonas ka theksuar se edhe më tutje ekzistojnë gjasë reale që në Maqedoni të ketë një ofensivë pranverore. Pra zoti Ostreni si shef i Shtabit të Përgjithshëm të ish UÇK-së, si e komentoni këtë deklaratë të ryeministrit Georgievski.

GËZIM OSTRENI
Unë mendoj se kushti i parë për të ndodhur diçka është motivi. Në këto raste, me sjelljen e marrëveshjes, me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, me ndryshimet që iu bënë kushtetutës, me pretendimet që të implementohet marrëveshja, atëhere… nuk ka motive për luftë, nuk ka arsye që dikush të angazhohet sepse nuk ka çfarë të kërkojë.
XS
SM
MD
LG