Ndërlidhjet

KRYETAR - RUGOVA, KRYEMINISTËR - REXHEPI


Rrahman Paçarizi

Prej sot Kosova edhe zyrtarisht ka kryetarin e saj dr Ibrahim Rugovën, kryeministrin Bajram Rexhepi, dhe qeverinë e kompletuar dhe të miratuar nga parlamenti. Kështu kanë vendosur sot deputetët e parlamentit të Kosovës në një mbledhje e cila ishte thirrur për të miratuar marrëveshjen e nënshkruar ditë më parë ndërmjet partive politike shqiptare për ndarjen e përgjegjësive në qeveri. Mbledhja ka filluar me një minutë heshtjeje për deputetin e vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismail Hajdaraj në një atentat të pasqaruar më se një muaj më parë ndërsa më pas deputetëve ju është drejtuar Kryeadministratori i Kosovës Michael Steiner, i cili ka njoftuar për marrëveshjen e arritur.

“Jam i bindur se kjo marrëveshje mund të jetë themeli i të ardhmes së Kosovës”- tha Steiner duke i ftuar deputetët që të shfrytëzojnë këtë marrëveshje në të mirë të Kosovës dhe të ndërtojnë qeverinë.
Më pas Kryetari i parlamentit, zoti Nexhat Daci ka hedhur në votim marrëveshjen dhe votimi është bërë me aklamacion. Pastaj, zoti Daci ka shpallur kryetarin dhe kreministrin e Kosovës.
“Më lejoni që edhe zyrtarisht të shpall kryetar të Kosovës dr Ibrahim Rugovën dhe kryeministër të Kosovës dr Bajram Rexhepin”- tha kryetari parlamentit.

Bashkë me kryetarin dhe kryeministrin deputetët kanë votuar edhe qeverinë e re të Kosovës të përbërë nga 9 ministra, tre të Lidhjes Demokratike, dy të partisë Demokratike, dy të aleancës për ardhmërinë e Kosovës, një të Partisë Shqiptare Demokristiane dhe një të koalicionit boshnjak “Vatan”, ndërsa koalicioni serb “Kthimi” nuk ka caktuar kandidatin e tij për ministrin e bujqësisë, pylltarisë, dhe të zhvillimit rural. Në vazhdim kryetari i parlamentit, zoti Daci ka bërë të ditur emrat e ministrave në qeverinë e parë të Kosovës të njohur ndërkombëtarisht:
“Ministër të financave dhe të ekonomisë - zoti Ali Sadriu; ministër të tregtisë dhe industrisë - prof. Ali Jakupi, ministër të Arsimit, shkencës dhe teknologjisë - zoti Rexhep Osmani, ministër të kulturës, Rinisë dhe Sporteve - zoti Bexhet Brajshori, ministër të mjedisit dhe planifikimit hapësinor - zoti Ethem Çeku, ministër të punës dhe mirëqënies sociale - zoti Ahmet Isufi, ministër të transportit dhe komunikacionit - zoti Zef Morina, ministër të shërbimeve publike - zoti Jakup Krasniqi dhe ministër i shëndetësisë zoti Numan Baliq”.
Për marrëveshjen përfshirë kryetarin, kryeministrin dhe ministrat në tërësi kanë votuar 88 deputetë, tre deputetë kanë votuar kundër dhe 15 kanë abstenuar.
Po sot deputetët kanë miratuar dy anëtarët e rinj të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nga Partia demokratike – këta janë Xhavit Haliti dhe Hydajet Hyseni.
XS
SM
MD
LG