Ndërlidhjet

ENVER HOXHAJ:GJATË KËTYRE TRI VITEVE NUK DO TË KEMI ZGJIDHJE PËRFUNDIMTARE TË ÇËSHTJES SË STATUSIT TË KOSOVËS


“Veçanërisht institucionet e Kosovës, do të thotë, institucioni i kryetarit të Kosovës dhe qeveria e saj, duhet patjetër të kenë një qëndrim politik përsa i përket gjykimit të Sllobodan Milosheviqit në Hagë, meqë çështja e krimeve të luftës është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm sa i përket ndërtimit të paqes” – thotë Enver Hoxhaj, profesor në Fakultetin e shkencave politike në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Profesor Hoxhaj, Kosova më në fund i ka të konstituara institucionet e saj të dala nga zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Në marrëveshjen e arritur janë përcaktuar edhe prioritetet e punës së qeverisë. Mirëpo a mendoni se ka edhe prioritete të tjera, me të cilat do të duhej të përballej qeveria e zgjedhur e Kosovës?

ENVER HOXHAJ
Unë jam i mendimit se prioritetet kryesore janë përmendur edhe në marrëveshjen e 28 shkurtit. Ato prioritete, të cilat janë formuluar në këtë marrëveshje, duket se mbi të gjitha janë prioritete, që fillimisht janë të sugjeruara nga ana e UNMIK-ut. Unë kisha veçuar edhe disa elemente, të cilat nuk janë fare të përmendura në këtë marrëveshje dhe që për mendimin tim janë zhvillime, me të cilat do të ballafaqohet Kosova.
Veçanërisht institucionet e Kosovës, do të thotë, institucioni i kryetarit të Kosovës dhe qeveria e saj, duhet patjetër të kenë një qëndrim politik përsa i përket gjykimit të Sllobodan Milosheviqit në Hagë, meqë çështja e krimeve të luftës është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm sa i përket ndërtimit të paqes. Një element tjetër, për të cilin është folur shumë pak deri më sot, është relacioni i Kosovës ndaj Serbisë, ose të ashtuquajturës Jugosllavi. Gjatë këtyre javëve të fundit ka patur bisedime intensive midis Beogradit dhe Podgoricës, për sa i përket fatit të Jugosllavisë së ardhshme, ose si do të duhej këto dy republika ish jugosllave ta qartësojnë bashkëpunimin e tyre. Mendoj që institucionet e Kosovës duhet ta formulojnë një opinion, se çfarë do të thotë ky diskutim mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe besoj se duhet të formulohet një mesazh i qartë, jo vetëm ndaj Beogradit, por edhe ndaj Bashkësisë Evropiane se si e shohin ata praninë ose interesin jugosllav ndaj Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Subjektet parlamentare kanë përqafuar konceptin politik të bashkëqeverisjes, apo të një qeverie me bazë të gjerë. Në analiza të ndryshme ka konstantime se një koncept i tillë do të ishte i domosdoshëm deri në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Cili është mendimi juaj?

ENVER HOXHAJ
Për këtë fazë të parë, do të thotë për mandatin e parë tre vjeçar, bashkëqeverisja është një element jashtëzakonisht i rëndësishëm. Jam shumë i sigurt se gjatë këtyre tre vjetëve nuk do të kemi zgjidhje përfundimtare të çështjes së statusit të Kosovës. Sigurisht do të ketë bisedime paraprake, ose do të ketë iniciativa nga Bashkësia Evropiane, që pak a shumë të diskutohet kjo çështje. Në atë drejtim integrimi i gjithë spektrit Kosovar, sidomos të tri partive më të forta në Kosovë, të cilat kanë edhe klientelë politike më të madhe, është jashtëzakonisht i mirëseardhur. Nëse do të ketë iniciativa të rangut të mesëm, sigurisht të tri partitë do të jenë të përfaqësuara. Në të njëjtën kohë jam i mendimit që tani për tani në shoqërinë kosovare, nuk kemi parakushte të tilla sa të kemi një opozitë të mirëfilltë politike. Do të thotë që edhe klimën politike që e kemi, nuk është aq e pjekur për një opozitë të mirëfilltë dhe po në të njëjtën kohë nuk kemi as parti të mirëfillta politike, të cilat me të vërtetë do ta luanin rolin e opozitës.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës ka dhjetë ministri, por nuk ka disa prej ministrive kyçe. A mendoni se duket e mangët qeveria pa këto ministri?

ENVER HOXHAJ
Po mendoj që në bazë të kornizës kushtetuese dhe në bazë të Rezolutës 1244, Kosova është një lloj shteti vazal, ose një lloj shteti klientelë e OKB-së. Do të thotë është një godinë e tillë shtetërore, e cila i ka elementët e shtetit, por nuk është shtet i mirëfilltë, është diçka mes shtetit. Jemi në një situatë shumë specifike, e cila i ka karakterizuar edhe shumë shtete të tjera para 50 –100 vitesh, të cilat aktualisht janë shtete të mirëfillta.
Do të thotë, që jemi në një situatë të tillë politike ku këto institucione gjysmë shtetërore, ky gjysmë shtet, mund të shërbejë si bazë e mirëfilltë për krijimin e shtetit të plotë. Këto institucione do ta krijojnë një bazë të mirëfilltë, saqë Kosova brenda një periudhe mendoj dhjetëvjeçare, mund ta ketë një shtet të mirëfilltë dhe institucionet e ardhshme që do të dalin ndoshta mbas dhjetë vjetëve, do të jenë më të plota sesa i kemi sot.
XS
SM
MD
LG