Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"...KA NJE BALANCE DEMOKRATIKE NE KOSOVE"


JANUSZ BUGAJSKI, drejtor i Institutit per Studime Strategjike ne Washington

EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, cilat mendoni se do të jenë sfidat imediate të qeverisë së re të Kosovës?

J.BUGAJSKI: Është prioritare dhe thelbësore të tregohet se është një qeveri koherente, se marrëveshja e përgjithshme është çështja më e rëndësishme. Numri i çështjeve që duhen zgjidhur, ose që të paktën duhet të marin rrugën e zgjidhjes në muajt e ardhshëm janë të mëdha: reformat gjyqësore, disa fushata për luftimin e krimit dhe korrupsionit, politikat ekonomike të besueshme... janë këto vetëm disa nga çështjet për të cilat qeveria do duhet të marrë përgjegjësinë.

EVROPA E LIRË: Kompromisi u arrit me ndërmjetësimin e administratorit të ri, pas pothuaj 3 muaj bllokim. Pse kjo lloj varshmërie dhe çfarë duhet të bëjnë partitë në Kosovë për ta reduktuar atë?

J.BUGAJSKI: Ky është problem i madh… fakti që qeveria për momentin supozohet të jetë e varur nga komuniteti ndërkombëtar. Ajo u instalua pas disa mosmarrëvshjeve, me presion të përfaqësuesit të lartë në Kosovë. Çështja qëndron se si të veprojë kjo qeveri me qëllim që të jetë gjithnjë e më pak e varur nga ndërmjetësimi apo trysnia ndërkombëtare. Mënyra më e mirë është të tregohet e sukseshme, me fjalë të tjera të parashtrojë politika koherente.

EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për profilin e Mihajl Shtajnerit: një politikan i zhdërvjellët apo njohës i mirë i mentalitetit ballkanas. Cila është përshtypja juaj?

J.BUGAJSKI: Është pak herët për të dhënë një mendim. Kur dikush vjen rishtas, është më i fortë dhe i vendosur për të bërë diçka, për të çuar përpara procesin dhe përfundon ose i penguar nga burokracia ose si në rastin e përfaqësuesit të mëparshëm, i shkëputur nga proceset. Mendoj se është shumë herët për të gjykuar punën e zotit Shtajner.

EVROPA E LIRË: Si do të ndikonte mungesa e opozitës mbi balancën e brishtë të demokracisë kosovare?

J.BUGAJSKI: Ka një balancë demokratike në Kosovë e cila përfshin disa anëtarë përfaqësues të minoritet serb. Nuk mendoj se spektri i gjerë politik është domosdoshmërisht destruktiv, pasi jo rrallë, konfliktet më të thella gjallojnë brenda partive me politika të njëjta sesa atyre me politika të ndyshme. Problemi është se si të përfshihen serbët sa më shumë të jetë e mundur në proceset e brendshme të zhvillimit politik, reformave ekonomike dhe ligjore si dhe luftës kundër krimit.

EVROPA E LIRË
Disa institucione apo organizata prestigjoze si Grupi Ndërkombëtar i Krizave, kanë dalë me propozimin për pavarësi të kushtëzuar të Kosovës. A mund të gjenerojnë këto nisma ndonjë rezultat praktik?

J.BUGAJSKI: Mendoj se Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka publikuar raporte dhe rekomandime shumë të vlefshme jo vetëm për ndërkombëtarët por edhe komunitetet vendore dhe politikanët. Është herët për të treguar se sa do t’i marrë në konsideratë komuniteti ndërkombëtar këto rekomandime. Në fillim duhet parë ecuria e punës se qeverisë dhe një nga kushtet thelbësore do të ishte efektiviteti dhe aftësia e saj për të ndërtuar një sistem politik legjitim dhe pluralist, i cili do të përfshinte edhe minoritetet. Të gjitha këto do të ishin pluse që do të çonin drejt pavarësisë.

EVROPA E LIRË
Korrupsioni është një ndër plagët më serioze dhe të thella të shoqërisë shqiptare. Dimë se çdo vend i dalë nga lufta apo pas-diktatorial ka pasur përvojë me këtë problem të mprehtë. A ka rrezik që Kosova gjithashtu ta njohë këtë fenomen?

J.BUGAJSKI: Korrupsioni është plagë për gjithë rajonin dhe në disa raste është i ndërlidhur me aktivitetet joligjore të krimit të organizuar. Disa vende të rajonit po e luftojnë si në planin kombëtar ashtu edhe atë rajonal dhe është një mundësi e mirë që i paraqitet qeverisë së Prishtinës që të krijojë disa mekanizma apo kontakte me qeveri të tjera në rajon dhe të tregojë se dëshiron të veprojë me përgjegjësi pasi korrupsioni dhe krimi nuk njohin kufinj. Diçka e tillë gjithashtu do të ishte plus për Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë.

EVROPA E LIRË
Pse Shqipëria nuk po mundet ende të prodhojë një sistem të shëndetshëm demokratik? Është çështje trashëgimie; kontrolli selektiv mbi institucionet më të rëndësishme shtetërore e publike; apo një valë në rritje e krimit të mbështetur nga shteti?

J.BUGAJSKI: Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë gjë. Ne patëm pritshmëri dhe shpresa të mëdha në fillim të viteve ’90 se Shqipëria do të krijonte një sistem efektiv dhe relativisht të qëndrueshëm. Por fatkeqësisht, për shkak të polarizimit të skajshëm politik, korrupsionit dhe krimeve ekonomike të bëra përmes skemave piramidale, shumica e popullsisë humbi besimin tek politikanët dhe vetë politikanët humbën besimin te njëri-tjetrit. Dhe në Shqipëri pati jo vetëm midis partive më të mëdha por edhe brenda-përbrenda partisë në pushtet, konflikte interesash midis grupeve të ndyshme që fare dukshëm, vunë interesin e tyre personal mbi atë kombëtar. Pra Shqipërinë e kanë frenuar udhëheqja e dobët, korrupsioni, krimi, mungesa e konsolidimit të institucioneve dhe fakti që ekonomikisht vendi nuk është tërheqës për investitorët e huaj, siç do të ishte nëse do të kishte pasur stabilitet.

EVROPA E LIRË
Si parashikoni se do të përfundojë lufta për pushtet mes ish kryeministrit dhe kreut aktual të Partisë socialiste?

J.BUGAJSKI: Mbetet për t’u parë. Nuk mund të parashikoj çdo të ndodhë. Ish-kryeministri Meta është i vendosur të marrë pushtetin brenda partisë. Ai është shumë i përfshirë në procesin politik dhe nuk ka për t’u zhdukur. Një nga çështjet më kyçe në tre muajt e ardhshëm mbetet zgjedhja e presidentit dhe pikërisht cilët kandidatë do të mbështesë secila parti. Lufta politike mbetet e hapur dhe në të njëjtën kohë kemi një qeveri e cila mund të vazhdojë të mbetet e dobët deri në zgjidhjen e këtyre çështjeve.

XS
SM
MD
LG