Ndërlidhjet

MUSTAFA:"ESHTE ABSURDE TE PENGOHET PRIVATIZIMI NE KOSOVE"


DR. MUHAMET MUSTAFA, drejtor i RIINVESTIT

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, tani pas formimit të qeverisë së Kosovës, cilat do të veçonit si prioritetet më të ngutshme, me të cilat do të përballet kjo qeveri përsa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë kosovare?

M. MUSTAFA
Nga hulumtimet që i ka bërë Riinvesti vitin e kaluar dhe sivjet dalin disa prioritete, të cilat kanë të bëjnë me së pari, rrumbullakësimin e kornizës ligjore. Këtu kemi të bëjmë me tre ligje kryesore, të cilat duhet të miratohen sa më shpejt dhe që janë: ligji mbi privatizimin, ligji mbi hipotekën dhe ligji mbi bankrotin. Me këto tre ligje do të rrumbullakësohej një kuadër elementar që e forcon ekonominë e tregut në Kosovë. Çështja e dytë urgjente është rregullimi i konkurencës. Çështja e tretë është krijimi i kushteve më të favorshme të financimit për investimet e bizneseve. Kërkesa për kredi në Kosovë është më e madhe sesa oferta, gati 3 herë dhe kjo bën që kapitali të jetë më i shtrenjtë. Zgjidhja është forcimi i konkurencës në tregun e kreditit në Kosovë dhe patja e më shumë ofertave për kredi, në mënyrë që norma e interesit të bjerë dhe afatet për kthim të jenë më të volitshme. Kjo është e lidhur me problemin më të madh në Kosovë, me problemin e papunësisë, i cili ka normën diku rreth 50%. Pra prej problemit të papunësisë qeveria duhet të nxjerrë prioritetet e veta dhe mendoj që prioritet janë krijimi i vendeve të reja të punës, inkurajimi i investimeve të brendshme dhe të jashtme. Por kjo lidhet me zgjidhjen e problemeve për të cilat fola, sepse të gjitha investimet private qofshin ato të brendshme, qofshin ato të jashtme kërkojnë një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e biznesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas shumë hamendjeve rreth çështjes së privatizimit në Kosovë, a besoni se tani po krijohen kushtet për një privatizim të mirëfilltë si një prej kushteve për zhvillim ekonomik?

M. MUSTAFA
Unë besoj që edhe në komunitetin ndërkombëtar ka ardhur deri tek ndryshimi i qëndrimeve dhe deri tek pjekja e një vetëdijeje se është absurde të pengohet më tej proçesi i privatizimit në Kosovë, dhe ne jemi të inkurajuar me disa lëvizje të fundit, të cilat sugjerojnë se edhe nga administrata ndërkombëtare do të ketë një qendrim më të vendosur për zbatimin e një programi të privatizimit. Kjo po shihet se është prioritet në programet e përfaqësuesve më të lartë në institucionet e Kosovës që në zgjedhje, duke filluar që nga kryetari i Kosovës, kryetari i parlamentit, kryetari i qeverisë edhe administratori ndërkombëtar e kanë vënë privatizimin si një çështje, së cilës i duhet një zgjidhje. Mendoj se vërtet dilemat artificiale, të cilat janë krijuar këto dy vjet dhe kanë penguar këtë proçes, tani do të tejkalohen dhe se Kosova do të hyjë në një fazë, kur do ta zbatojë një program të mirëfilltë dhe një strategji domethënëse të privatizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju e përmendët krijimin e kushteve për investime nga jashtë dhe ndihmën financiare. Sa konsideroni se buxheti i Kosovës mund të jetë bazë e këtyre reformave apo më saktë e rimëkëmbjes së saj ekonomike?

M. MUSTAFA
Sapo të zgjidhen problemet, të cilat i përmenda në fillim atëhere krijohet një ambient për investimet e jashtme. Rregullohen ligjet, duhet të rregullohet konkurenca, duhet të luftohen dukuritë negative, duhet të krijohet stabilitet politik dhe siguri për kapitalin dhe për biznesmenët dhe investitorët e jashtëm do ta gjejnë interesin e tyre dhe do të vijnë.
Sa i përket buxhetit të Kosovës, ai përballohet me probleme të shumta mirëpo ka lëvizje mjaft pozitive. Edhe në kushtet kur të gjithë e dime se ka evazion fiskal në Kosovë, potenciali buxhetor i Kosovës është rritur në mënyrë mahnitëse prej 200-300 milion markash që ka qenë në vitin 2000, në vitin 2002 ne do të kemi të mbledhura diku 670 milion marka në buxhetin e Kosovës. Domethënë Kosova po i demonstron aftësitë e veta të ketë një buxhet të vetin të pavarur dhe t’i përmbushë nevojat e saj. Natyrisht ka hapësirë që të forcohet buxheti, ka hapësirë që të racionalizohen shpenzimet. Nëse në të dyja anët bëhet ky veprim, në rritjen e buxhetit pra në mbledhjen më të mirë të taksave, por edhe në racionalizimin e shpenzimeve dhe në krijimin e një administrate efikase, proçeset nuk janë dekurajuse. Për sa i përket buxhetit të Kosovës proçeset janë shumë më tepër pozitive sesa kemi pritur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë plan duhen veçuar edhe apelet e fundit të kryeaministratorit Shtajner adresuar komunitetit ndërkombëtar për përkrahje financiare për Kosovën Sa konsideroni se këto apele do të gjejnë mbështetje?

M. MUSTAFA
Apelet e zotit Shtajner dhe koncepti i zotit Shtajner është shumë i shëndoshë dhe racional, do të thoja shumë modern. Do të thoja se nuk ka arsye të hasin në mospërkrahje për arsye se bashkësia ndërkombëtare ka investuar këtu. Ka investuar që së pari të krijojë paqen, ta largojë apartejdin, dhe të krijojë kushte për krijimin e institucioneve demokratike dhe ne nuk mund të mbetemi në gjysëm të rrugës. Tani duhet të rriten më tepër përpjekjet e kosovarëve, por gjithashtu edhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare, sepse pa këtë mbështetje investimet që deri tani i ka bërë bashkësia ndërkombëtare, nuk do të efektohen plotësisht. Domethënë ne jemi në gjysëm të rrugës, në një proçes rrumbullakësimi, që do të thotë ndërtimi i insititucioneve të qëndrueshme demokratike në Kosovë dhe krijimi i kushteve që Kosova me të ardhurat e veta të ndërtojë viabilitetin e vet ekonomik, qëndrueshmërinë e vet ekonomike dhe ne në këtë proçes jemi duke shkruar sipas mendimit tim në rrugë të mbarë.

XS
SM
MD
LG