Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: PARTITË QË PËRFAQËSOJNË SHUMICËN 90% TË POPULLSISË NË KOSOVË JANË NË FAVOR TË PAVARËSISË


“Do të ketë njerëz në Bruksel, që mendojnë se tash radhën e ka Kosova…dhe se do të përpiqen të përdorin të njejtat kombinime të stilit të ‘karrotës dhe të shkopit’ për tu bërë presion shqiptarëve, siç u kanë bërë presion malazezëve” – thotë, pos tjerash, analisti i Radios “Evropa e Lirë” Patrick Moore, duke folur lidhur me marrëveshjen ndërmjet Serbisë e Malit të Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet jugosllave dhe malazeze kanë nënshkruar një marrëveshje për ristrukturimin e federatës. Çka do të thotë kjo për zhvillimet e ardhshme në Ballkan?

PATRICK MOORE
Çdokush nga komuniteti ndërkombëtar, nga fqinjët dhe shumë politikanë…edhe ata të afërt me Beogradin, ishin përplot me lavdërime për këtë marrëveshje. Por unë nuk jam tërësisht i sigurt se këto lavdërime janë plotësisht të arsyeshme. Para se gjithash, shtrohet pyetja, a do të funksionoj ajo marrëveshje. Çështja e dytë është se çfarë efekti do të ketë në sistemin e brendshëm politik në Mal të Zi, në aleancat politike në Mal të Zi dhe në stabilitetin e Malit të Zi. Çështja e tretë është se çfarë efekti do të ketë kjo në Kosovë.
Por unë dua të përqendrohem në çështjen e parë që përmenda…a do të funksionoj ky sistem. Ne dëgjuam të premten nga ministri i drejtësisë i Serbisë, Vlladan Batiq se ai mendon se ky nuk është një shtet real dhe se, me gjasë, nuk do të funksionoj sepse as në teorinë politike nuk ka bazë për një shtet të tillë të pazakontë, të përzier…me ministri të jashtme dhe ushtri të përbashkët por jo edhe me valutë.
Unë frikësohem se kjo që po ndodhë është…se Bashkimit Evropian, që i duhet një sukses në politikën e jashtme në Ballkan, po krijon diçka, për të cilën pajtohen edhe autoritetet serbe…e veçanërisht zoti Koshtunica, sepse ai synon që ta mbajë postin e presidentit dhe ai i shtynë edhe malazeztë që të jenë së bashku me atë. Por unë nuk jam i sigurtë se kjo do të zgjasë për një kohë të gjatë.
Në thelb, kemi të bëjmë me vazhdimin e dezintegrimint të Jugosllavisë së Titos…ndarja e Malit të Zi nga Serbia dhe ndarja e Kosovës nga e tërë kjo bashkësi mbetet që të kryhet. Mendoj se kjo është e paevitueshme. Herët ose vonë kjo do të ndodhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, dokumenti është i nënshkruar vetëm nga zyrtarët federal jugosllavë dhe jo edhe nga ata serbë. Si e shpjegoni këtë…pritej se ai do të nënshkruhej edhe nga përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë?

PATRICK MOORE
Unë nuk e kam parë dokumentin e nënshkruar… E kam parë dokumentin e shtypur dhe kam parë fotografitë. Zoti Gjingjiq qartazi ishte i pranishëm, prandaj nuk do të merresha shumë me këtë çështje… Mendoj se ka ekzistuar një shkak formal juridik për këtë zhvillim. Ai është nënshkruar nga Koshtunica si president jugosllav dhe nga Gjukanoviqi si president i Malit të Zi. Por presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq është i akzuar për krime lufte dhe nuk mund ta imagjinoj se Solana dhe Bashkimi Evropian do të nënshkruheshin në një dokument me një të akuzuar për krime lufte… dhe që Solana të ulej në të njejtën dhomë me një të akuzuar të tillë. Mendoj se ky është shpjegimi. Mendoj se është çështje teknike dhe juridike dhe nuk do të merresha më tepër me këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë efektesh mund të ketë kjo marrëveshje në zhvillimet e ardhshme në Kosovë?

PATRICK MOORE
Mendoj se kryeministri Rexhepi kishte shumë të drejtë kur tha se “të gjithëve u urojmë të gjitha të mirat…por kjo nuk do të ndikoj në qëllimet dhe programet tona”. Të gjithë ne e dimë se të gjitha partitë politike janë të bashkuara për pavarësi dhe marrëveshja nuk do të ndikoj në ndonjë mënyrë tjetër.
Marrëveshja është vendosur ndërmjet Serbisë, malazezëve, Bashkimit Evropian…e jo nga Kombet e Bashkuara, jo nga Kosova. Mendoj se është koha për angazhimin e ekspertëve juridikë ndërkombëtarë për të hulumtuar mundësitë.
Një çështje tjetër është problematike. Unë nuk mund ta shpejgoj me fjalë racionale…është pothuajse një besim religjioz se dikush duhet të parandaloj krijimin e shteteve të reja…duke thënë se disa të tilla të vogla nuk janë të mira dhe se shtetet duhet të mbahen së bashku me çdo kusht. Do të ketë njerëz në Bruksel, që mendojnë se tash radhën e ka Kosova…dhe se do të përpiqen të përdorin të njejtat kombinime të stilit të “karrotës dhe të shkopit” për tu bërë presion shqiptarëve, siç u kanë bërë presion malazezëve. Por të gjithë e dimë se kemi të bëjmë dy dallime shumë të rëndësishme ndërmjet Kosovës e Malit të Zi. Së pari, në Mal të Zi ka lidhje të fuqishme gjuhësore dhe kulturore me serbët, që natyrisht nuk mund të thuhet për Kosovën. E dyta: në Mal të Zi opinioni publik është shumë i ndarë lidhur me atë se a është më e mirë pavarësia apo bashkësia me Serbinë. Në Kosovë, siç e dimë, është një situatë krejtësisht tjetër. Partitë që përfaqësojnë shumicën 90% të popullësisë janë në favor të pavarësisë.
Por unë druaj se, siç thashë më parë, me këtë dëshirë për sukses, do të ketë njerëz në Bashkimin Evropian që mendojnë se tash është koha për tu përpjekur për të bërë presion ndaj shqiptarëve për ta futur Kosovën në këtë bashkësi me Serbinë dhe Malin e Zi. Mendoj se atëherë do të kemi telashe të mëdha.
XS
SM
MD
LG