Ndërlidhjet

GERY DEMPSEY: NË INTERES TË EVROPIANËVE ËSHTË KUFIZIMI I DEZINTEGRIMIT TË MËTEJSHËM


“Ajo që shihet është krijimi i një lidhjeje ku pavarësia eventuale e Kosovës mund të vijë vetëm pas pavarësisë së Malit të Zi dhe pavarësia e Malit të Zi do të pezullohet apo shtyhet për tre vjet”- thotë, pos tjerash, Gary Dempsey – analist për politikën e jashtme amerikane në institutin CATO me seli në Uashington.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dempsey, sipas këndvështrimit tuaj, a do të jetë në gjendje entiteti i ri, Serbi - Mal i Zi, të zgjidhë problemet në Jugosllavi?

Gary DEMPSEY
Nuk mendoj se do të zgjidhë të gjitha problemet. E vetmja gjë që ja vlen të përmendet këtu është proçesi që çoi në arritjen e kësaj marrëveshje. Dhe këtu ka dy gjëra: së pari kush i drejtoi bisedimet dhe së dyti cili ishte objektivi i këtyre bisedimeve.
Bisedimet u drejtuan nga Bashkimi Evropian dhe jo nga Shtetet e Bashkuara dhe kjo është finalja e politikës që po ndjek administrata e re e presidentit Bush: që t’u japë më shumë përgjegjësi evropianëve për të zgjidhur problemet në Ballkan. Mendoj se kemi një transferim të gjerë, të autoritetit për zgjidhjen e prolemeve në rajon, në duart e europianëve.
Elementi tjetër i bisedimeve që ishte shumë i rëndësishëm ishte objektivi që synonte kufizimin e dezintegrimit të mëtejshëm të Jugosllavisë dhe të Ballkanit në përgjithësi dhe mendoj se kjo ka një impakt të rëndësishëm në statusin final të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë ndikimi mund të ketë atëherë marrëveshja Serbi – Mal i Zi, në rastin e Kosovës dhe aspiratës së saj për pavarësi?

Gary DEMPSEY
Mendoj se kjo është interesante, pasi ajo që po bën perëndimi dhe bashkësia ndërkombëtare është krijimi i një proçedure, nëpërmjet të cilës pavarësia e Kosovës është shtyrë.
Së fundi ajo që shihet është krijimi i një lidhjeje ku pavarësia e Kosovës mund të vijë vetëm pas pavarësisë së Malit të Zi dhe pavarësia e Malit të Zi do të pezullohet apo shtyhet për tre vjet. Prandaj mendoj se nëpërmjet krijimit të kësaj linje politike, apo lidhjeje ku askush nuk mund ta ngrejë çështjen e pavarësisë derisa të zgjidhet çështja e Malit të Zi, u hiqet e drejta për të vendosur shqiptarëve të Kosovës dhe mendoj që kjo është problematike.

RADIO EVROPA E LIRË
Diplomacia shtrënguese e Bashkimit Evropian e përdorur në rastin e Malit të Zi, a do të ishte e aplikueshme në rastin e Kosovës?

Gary DEMPSEY
Mendoj se do të jetë e aplikueshme, por më pak e drejtpërdrejtë. Në interes të evropianëve është kufizimi i dezintegrimit të mëtejshëm. Mënyra që po përdorin për ta arritur këtë gjë është kushtëzimi i statusit të ardhshëm të Kosovës me statusin e ardhshëm të Malit të Zi. Kështu që nuk mendoj se do të përpiqen të shtrëngojnë apo manipulojnë në mënyrë direkte politikanët në Kosovë. Do të thonë thjesht që vendimi do të merret pas një sërë gjërash të tjera që duhet të gjejnë zgjidhen e mbi të cilat kosovarët nuk kanë asnjë kontroll.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të bëjnë kosovarët nga ana e tyre për pavarësinë e Kosovës?

Gary DEMPSEY
Nëse marrim Malin e Zi si shembull dhe atë që ka bërë për t’u larguar nga monedha e dinarit, këtë e kemi parë edhe në Kosovë…ndërmarrja e reformave të tjera ekonomike, mendoj se është rruga e duhur. Kosova duhet të bëjë të njëjtat përpjekje për t’iu afruar standarteve europiane, sepse një nga shqetësimet më të mëdha që ka Perëndimi lidhet me shanset për sukses të një Kosove të pavarur. Në rast se Kosova jep mesazh të qartë se ka shanse për sukses, si politikisht ashtu dhe ekonomikisht, atëherë do të ishte shumë e vështirë për Perëndimin të kundërshtonte lëvizjen drejt fitimit të pavarësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç e dini NATO po rishikon praninë e saj në Ballkan. Ndërsa fokusi i politikës së jashtme amerikane po lëviz në Azi, cili mendoni se do të jetë fati i misionit paqeruajtës dhe balancës së sigurisë në Ballkan? I referohem kredibilitetit që gëzojnë Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në Kosovë dhe aftësisë së tyre unike ushtarake dhe politike…

Gary DEMPSEY
Mendoj se administrata do ta marrë me ngadalë këtë punë, pasi lufta kundër terrorizmit kërkon mbajtjen në gadishmëri të trupave të tjera rezervë për të përballuar ndonjë sulm të mundshëm kundër Irakut apo ndonjë objekti tjetër në të ardhmen. Por mendoj se nëse do të ketë një reduktim të forcave amerikane në Ballkan, kjo do të jetë kryesisht në Bosnjë. Nuk mendoj se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura që ta reduktojnë në mënyrë të dukshme praninë e tyre në Kosovë për momentin.
XS
SM
MD
LG