Ndërlidhjet

SALIHU: "MITROVICA - PROBLEM I BASHKESISE NDERKOMBETARE"


ASTRIT SALIHU, analist



Radio Evropa e Lirë
*Zoti Saliu këto tre vitet e fundit kosovarët ishin dëshmitarë të trazirave të vazhdueshme në qytetin e Mitrovicës. Tani pas konstituimit të institucioneve vendase, sa konsideroni se qeveria dhe parlamenti i Kosovës mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të tilla siç është rasti i Mitrovicës?

A. SALIHU
*Institucionet e Kosovës ende të pakonsoliduara deri në fund, në këtë situatë nuk mund të bëjnë asgjë. Ndërkaq ajo që është ironike është se edhe në situatën e konsolidimit definitiv nuk mund të bëjnë asgjë, për arsye se rendi dhe siguria janë jashtë kompetencave të tyre dhe Mitrovica është çështje sa e rendit ashtu dhe e sigurisë për momentin. Përveç demonstrimit të vullnetit të mirë që ta përkrahin, ose të ofrojnë ndonjë përkrahje morale tani për tani instancave ndërkombëtare që qeverisin Kosovën, ata nuk mund të bëjnë asgjë më shumë. Edhe më duket se vetë fakti që qeveria është krejtësisht pasive në këtë rast, në njëfarë mënyre dëshmon se problemin e ka në dorë bashkësia ndërkombëtare dhe se ata duhet ta zgjidhin. Vetë fakti që kanë përjashtuar faktorin shqiptar prej mundësive të ndikimit në atë pjesë të Kosovës, ata kanë dëshmuar se munden ta zgjidhin vetë problemin. Ndërkaq fakti që nuk e kanë zgjidhur, i ballafaqon me akte të dhunshme, do të thotë me aktet e dhunës të drejtuara kundër forcave të sigurimit, që i ka vendosur bashkësia ndërkombëtare në territoret, të cilat i konsiderojnë si pjesë të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë
* A konsideroni se institucionet vendase janë vonuar pak në proçesin e konstituimit të tyre dhe cili do të mund të ishte reagimi i tyre në mungesë të kompetencave për të cilat ju folët?

A. SALIHU
Reagimi mbetet ende në rrafsh simbolik dhe përveçse ka një përkrahje të opinionit, ata asgjë më shumë nuk mund të bëjnë në atë drejtim. Do të thotë se bashkësia ndërkombëtare është instanca, e cila qeveris Kosovën dhe vepron në pajtim me vendimet e Këshillit të Sigurimit. Si rrjedhojë ne jemi të pafuqishëm krejtësisht që të ndryshojmë diçka.

Radio Evropa e Lirë
* Çdo krizë i ka dhe modelet e zgjidhjes prandaj cili sipas jush do të ishte modeli më i përshtatshëm në këtë rast?


A. SALIHU
* Problemi i Mitrovicës nuk është më problem vetëm shqiptar dhe serb, por është problem i serbëve me bashkësinë ndërkombëtare, sepse policët e bashkësisë ndërkombëtare dhe të UNMIK-ut janë ata që janë sulmuar dhe janë të plagosur dhe të lënduar. Ndërkaq në anën tjetër konsideroj se egziston modeli për zgjidhjen e Mitrovicës. Deri tani është spekulluar mjaft, është teoretizuar mjaft, rreth modeleve të mundshme të zgjidhjes së këtij problemi. Ky problem është shumë i thjeshtë dhe zgjidhet me integrimin e dhunshëm të pjesës veriore të Kosovës në kuadër të Kosovës, ashtu si imponohet në mënyrë të dhunshëm edhe pranimi i kornizave kushtetuese dhe ligjeve të imponuara nga jashtë edhe për palën shqiptare.
Edhe shqiptarët nuk janë ata që do pranonin shumë çka nga ato që ofron bashkësia ndërkombëtare, por edhe serbët nuk janë ata që pranojnë shumë çka ofrohet, mirëpo duhet të imponohet. Unë konsideroj se përderisa bashkësia ndërkombëtare lejon që serbët të jenë të lidhur me postën dhe telekomunikacionin e Serbisë, të shkëputur nga Kosova, që janë të lidhur me elektroekonominë e Serbisë, nëse qarkullon ende dinari në pjesën veriore të Kosovës, atëhere nuk shikoj sa çfarë kërkon polici i UNMIK-ut atje.



Radio Evropa e Lirë
* Në analiza të ndryshme është thënë se problemi i Mitrovicës është lënë në njëfarë mënyre që të zgjidhet bashkë me statusin përfundimtar të Kosovës. Cili është vlerësimi juaj dhe çfarë prejudikojnë tezat e tilla?

A. SALIHU
* Statusi përfundimtar i Kosovës në një farë mënyre do të zvarritet, përderisa do të kemi kësilloj vatra krizash. Kjo vatër krize e zgjat zgjidhjen e statusit të Kosovës. Këtu nuk është problemi që të zgjidhet statusi i Kosovës dhe me këtë të zgjidhet problemi i Mitrovicës, por përkundrazi problemi i Mitrovicës egziston për arsye që të mos zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës. Kosova si e tillë nuk mund të ketë një status final përderisa ka vatra të tilla krizash dhe do të thotë se kjo është vetëm ajo pika që gjeneron gjithmonë dyshimet se Kosova mund të jetë e pavarur dhe stabile.
XS
SM
MD
LG