Ndërlidhjet

DACI:"NUK DO TE KETE ENKLAVIZIM TE KOSOVES"


Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit te Kosoves

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Daci, në seancen e djeshme te Kuvendit të Kosovës, grupet parlamentare kërkuan me ngulm që si pikë e rendit të ditës të jetë Mitrovica dhe kufijtë e Kosovës. Më konkretisht, cila është përgjigja juaj si kryetar i Parlamentit të Kosovës rreth këtyre çështjeve?

N. DACI
Unë mendoj që deputët e Kuvendit kishin të drejtë, por në një aspekt, nuk mu duk qasje e duhur profesionale. Në të gjitha parlamentet në botë çështjet përgatiten si duhen, do të thotë se kalojnë nëpër komisione dhe komitete përkatëse dhe kjo jo për t’u zhagitur puna, por për të qënë në një nivel më të lartë profesional, të cilin nuk mund ta kundërshtojë askush.
Nga ana tjetër unë i kuptoj parlamentarët dhe shqetësimin e tyre sepse organet qeverisëse në Kosovë, do të thotë zyra e presidentit, presidenti, unë dhe kryeministri, u kemi shprehur zyrtarisht shqetësimet tona shumë të mëdha, edhe Shtajnerit edhe gjeneralit Valenten. Është koha e fundit që administrata e Kombeve të Bashkuara, ose duhet ta kryejë funksionin e vet sipas rezolutës 1244, ose duhet të kërkojë ndihmë nga vendorët. Prandaj kanë filluar shqetësimet tona të shprehen për të gjitha çështjet, përfshirë atë të kufijve. Po ashtu unë jam gjithmonë adhurues i rrugës profesionale, i rrugës që jep rezultate, jo vetëm e fjalëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do ta thërrasë kryesia e Kuvendit vazhdimin e seancës ku do të shqyrtoheshin këto zhvillime mbase dramatike në Kosovë?

N. DACI
Menjëherë pas krijimit të komitetit përkatës në Parlament, dy materiale përkatëse kanë ardhur nga kuvendi komunal i Vitisë dhe i Pejës. Do t’i drejtohem dhe do t’i instruktoj komitetet që nëqoftë se nuk kanë profesionistë të duhur, e kanë lirinë që të angazhojnë profesionistët më të mirë që kemi në Kosovë. Bindja ime e thellë është se në qoftë se duam të punojnë, Kosova ka ekspertë të të gjitha profileve, që dinë të japin përgjigjet e duhura. Prandaj në asnjë mënyrë nuk është çështja që dikush dëshiron t’i neglizhojë problemet. Përkundrazi. Nuk ka Mitrovicë të veriut, ka vetëm pjesë veriore të Kosovës, dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përdoret as në terminologji, por të konsiderohet si pjesë ende e okupuar e Kosovës, për të cilën kemi edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare të Kosovës.
Çështja e Mitrovicës dhe e sigurisë do të trajtohet në Parlament, por duhet t’i shtrojmë çështjet sipas rëndësisë psh: nëse është e gatshme qeveria me programin e saj. A është më prioritet programi, apo të shfletohet çfarë ka në parlament, sepse unë besoj se qeveria ka të njëjtat shqetësime. Prandaj duhet të gjejmë një pikë tangente me qeverinë. Parlamenti është për ta finalizuar çdo nismë të qeverisë, për t’i dhënë bazën legjislative siç duhet, dhe nqs është e nevojshme dhe mbështetjen politike dhe organizative.

RADIO EVROPA E LIRË
Një problem i pakalueshëm në Kosovën e pasluftës është enklavizimi i saj dhe tendencat për autonomi jashtë administrimit ndërkombëtar, gjë që konsiderohet se ka mbështetjen e Beogradit. Në anën tjetër qëndron jogatishmëria e komunitetit serb që institucionet kosovare t’i konsiderojnë si të vetat?

N. DACI
Parlamenti dhe unë si person që kryesoj këtë institucion, jemi të vendosur plotësisht dhe jemi të përgatitur në një nivel shumë të duhur politik dhe profesional që asnjë nga këto të mos realizohet. Kosova i ka kufijtë e saj dhe asnjë milimetër i saj nuk do t’i lejohet askujt. E dyta, krijimi i getove është provuar Pashiçi i herët në Serbinë e mesme, krijimi i një apo dy fshatrave në rrugën Ferrizaj Gjilan, dhe ata kurrë nuk janë adaptuar në jetën kosovare. Të gjithë ndërkombëtarët që më vizitojnë në fund pajtohen me qasjen time që nuk ka krijime të fshatrave artificiale për serbët, nuk do të ketë enklavizim të Kosovës, nuk do të krijohen enklava të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e zgjedhura në Kosovë kanë mandatin tre vjeçar dhe detyrën për demokratizimin e brendshëm. A besoni se këto institucione do tja dalin që ta drejtojnë Kosovën drejt zgjidhjes së statusit final të saj?

N. DACI
Kam besim të plotë që edhe qeveria edhe presidenca kanë të njëjtin koncept. Prandaj është marrëveshje unike e jona se çfarë Kosove duhet të kemi. Një Kosovë që e përmenda më parë do të hapë shportën e statusit të saj gjatë mandatit trevjecar tonin dhe të shpresojmë të ketë përkrahjen e aleatëve tanë, e miqëve tanë të bashkësisë ndërkombëtare, por do të kemi përkrahjen edhe të fqinjeve.Në qoftë se dështojmë të krijojmë një Kosovë siç e përshkrova më lart, atëhere nuk besoj se kam ndonjë të drejtë morale per te thënë që statusi i Kosovës duhet të fillojë të zgjidhet nesër.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është vlerësimi juaj rreth konceptit për pavarësinë e kushtëzuar si fazë tranzitore deri në zgjidhjen e statusit final të Kosovës?

N. DACI
Kemi patur biseda me ambasadorin Abramovic si dhe ftesa nga radiostacionet e ndryshme botërore. Është e tejkaluar. Ka qenë një propozim i shkëlqyer për ta përgatitur bashkësinë ndërkombëtare se elementet reale për pavarësi janë në Kosovë. A do të quhet e kushtëzuar apo e pakushtëzuar; e kushtëzuar është vetë fakti që ne si Kosovarë i kemi shtruar detyrë vetes çfarë infrastrukturë shtetërore duam, dhe në qoftë se ne i kryejmë këto detyra në Kosovë atëhere hiqet ajo paradigma e kushtëzuar, dhe i jep pavarësinë që i ka hije çdo vendi normal.
XS
SM
MD
LG