Ndërlidhjet

logo-print

MEHMETI:"PARTITE POLITIKE NE MAQEDONI - PENG I GRINDJEVE TE VETA"


KIM MEHMETI, analist nga Shkupi

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti, si i shihni raportet mes partive politike të shqiptarëve në Maqedoni pas ngjarjeve të fundit në Tetovë?

K. MEHMETI
Po ato janë rrjedhojë e gabimeve që kanë histori më të gjatë. Në fund të fundit partitë politike tani janë peng i grindjeve të veta, të cilat ishin si metodë e vetme gjatë shkuarjes përpara në realizimin e kinse koncepteve të tyre. Dihej se do të vijë koha kur do të duhet t’i nxjerrin të gjitha të palarat në sipërfaqe, si të vetmin argument për të sulmuar njëra tjetrën. Për fat të keq nuk ka ndonjë argument për atë që kanë bërë, që do të mund të shërbente që të legjitimohen përpara popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një artikull ngjarjet e fundit i cilësuat si vellavrasje dhe libanizim të shoqërisë shqiptare. Ku i mbështetni këto vlerësime?

K. MEHMETI
Është iluzion të mos vëreni diçka: se këto hapësira, në përgjithësi kjo pjesë e Ballkanit, është mjaft e armatosur. Është iluzion të mos e keni parasysh faktin, se në këtë pjesë të Ballkanit bëjmë pjesë edhe ne shqiptarët. Nëse aty nuk shkohet me një mençuri politike është shumë e natyrshme të prisni që grupimet e ndryshme të pakënaqura, një ditë të përdorin edhe forcën që të realizojnë qëllimet e veta dhe ajo është e rrezikshme. Posaçërisht është e rrezikshme kur nuk kemi opinion, kur nuk kemi atë bërthamën kritike, e cila mund t’ju paraprijë ngjarjeve dhe veçanërisht kur keni parti politike, të cilat veprojnë sipas stilit: më i forti, më i pasuri, çdo gjë mund ta arrijë, të tjerët mund të heshtin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju shpesh herë keni kritikuar partitë në pushtet për kërcënime dhe keqtrajtime të intelektualëve dhe personaliteteve publike shqiptare. A mendoni se dhuna është ajo që tani promovohet në funksion të luftës politike?

K. MEHMETI
Ajo prej moti ka filluar në forma të ndryshme, por unë duhet të jem i drejtë dhe të them se ajo nuk vlen vetëm për partitë politike, por flet edhe për brumin tonë, që e kemi ne krijuesit, ne intelektualët. Unë gjithmonë kam shpresuar se ne këtu, shqiptarët e Maqedonisë, kemi një aktor, kemi një shkrimtar, kemi një intelektual, në mos më shumë. Mirëpo kohëve të fundit gjithnjë e më shumë më dëshpëron dhe vërej se ndoshta edhe aty kam patur ndonjë iluzion. Shikoj që ata shumë lehtë na e mbyllën gojën, shumë lehtë na frikësuan. Partitë politike përdorën sistemin e “Ujkut”, t’i ndash një nga një e pastaj shumë lehtë t’i heshtësh. Kështu që ndonjërin e shpërblyen, ndonjërin e rrahën dhe ja arritën qëllimit që ne intelektualët, ku nuk e fus veten, ne njerëzit e artit, të kulturës këtu të presim se çfarë do të thotë “nëna parti” dhe pastaj të marim qëndrimet tona. Kjo është tashmë një sferë politike, e cila fatkeqësisht na portreton si njerëz që nuk kemi guzimin qytetar.Nuk mund ta lajmë borxhin e atyre që i besojnë fjalës tonë dhe të themi atë që duhet ta shohim përpara të tjerëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri në çfarë mase mediat e vendit mund të mbesin jashtë këtyre fërkimeve brenda-shqiptare?

K. MEHMETI
Sa u përket mediave shqiptare, unë nuk e di se cilat keni ndërmend. Ne këtu kemi buletine partiake, ku lidërshipet mund të ngrejnë telefonin, të lajmërohen psh në televizionin maqedonas në gjuhen shqipe dhe të kritikojnë një gjë, apo një tjetër, redaktorët të mos e ndiejnë të nevojshme njëkohësisht ta ngrejë telefonin, t’ju lajmërojë juve, se cili u ka thënë këtë apo atë. Dhe nëse flasim për këtë lloj mediash, nëse ju nuk i nënkuptoni media, atëhere ato janë media propaganduese, për të cilat nuk munden fare të vendosen në rrafshin e mediave, por kanë emër tjetër dhe duhet të thirren me atë emër. Unë këtu nuk flas fare për mediat private të cilat kanë të drejtë të jenë të tilla apo të atilla. Po flas për serviset publike të cilat në asnjë mënyrë nuk mund t’i takojnë vetëm një partie, asnjëherë nuk mund të jenë në duart e vetëm një koncepti politik, sado i mirë që të jetë ai, të mos përmendim kur rastin kur ky sistem ka defekte të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mehmeti, a mendoni se pas zgjedhejve parlamentare mund të pritet edhe ndryshimi i një gjenerate politike të shqiptarëve në Maqedoni?

K. MEHMETI
Në mjedise normale, në kolektivitete kur çdo gjë ka kulturë politike, në shoqëri të organizuara, është gjëja më normale që pritet sidomos kur ndodh lufta. Është absurde të mendohet që njerëzit që i sollën deri në luftë, të munden më vonë të ndërtojnë paqen për popullsinë. Ajo ndodh vetëm tek ne, sepse politikanët tanë, të cilët partitë politike i konsiderojnë sikur të jenë “ ëmbëltore të tyre private, dhe populli ai që ua mirëmban”, mendojnë se janë të lindur për çdo kohë. Ajo është pikë së pari diçka absurde dhe unë personalisht pres dhe kam pritur që gjeneratën e re të politikanëve tanë, ta lindë UÇK-ja, e cila solli një kualitet të ri dhe na solli deri aty sa ne të bëjmë një rreshtim të ri. Mirëpo siç shkojnë punët nuk do habitem, sepse ne akoma jetojmë në aspektin mental në kohën e Enverit, që njeri njëherë bëhet lider dhe vdes si i tillë, se çdo gjë tjetër është dështim. Ende nuk jemi mësuar se konceptet politike harxhohen dhe pas tyre vjen gjenerata që sjell koncept të ri, që sjell diçka të re. Në këtë kontekst mbetet shpresa se ndoshta zotërinjtë që formuan këshillin koordinues të parive shqiptare, do kenë forcë që të na sjellin një gjeneratë të re, e cila do dijë të lexojë kalendarin politik më mirë se të tanishmit.
XS
SM
MD
LG