Ndërlidhjet

"SUNDIMTARET E VERTETE TE BALLKANIT"


JANE's FOREIGN REPORT


Ngadalë por me hapa të sigurt vazhdojnë ndryshimet në Evropë. Pas disa vite luftërash dhe mosmarrëveshjesh transatlantike, Ballkanin e ka marrë në dorë Bashkimi Evropian, institucioni më i përbuzur gjatë luftërave të dekadës së kaluar në Jugosllavi. Shumica e territoreve të ish Jugosllavisë tani janë koloni virtuele të Bashkimit Evropian. Grumbulli i prokonzujve evropianë e administrojnë Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë.
Eruditi gjerman Mihal Shtajner, e administron Kosovën në emër të Kombeve të Bashkuara, por në fakt kryesisht me paratë evropiane, dhe në baza të prioriteteve të caktuara nga Evropa.
Pedi Eshdaun, ish lider i partisë liberale në Britani, sapo është emëruar përfaqësues i lartë në Bosnjë.
Francezi Alen le Roa jep këshilla në Maqedoni, apo të jemi më të saktë, shkruan kushtetuta. Le Roa ka më pak fuqi se dy prokonzujt tjerë, por është i vetmi që e mban haptas kapelën e unionit evropian.
Për ata që e kuptojnë mënyrën e funksionimit të Bashkimit Evropian në Bruksel, mesazhi është shumë i qartë: Francezi, gjermani dhe britaniku, protagonistët kryesorë të të gjitha çështjeve të sigurisë në Evropë, tani e menaxhojnë fatin e tre vendeve të sëmura. Ata vendosin se kur dhe ku do të mbahen zgjedhjet. Ata i identifikojnë liderët lokalë që janë të papranueshëm, të largohen nga parlamenti, madje edhe nëse janë të zgjedhur. Ata i rishkruajnë kushtetutat. Javën e kaluar, përfaqësuesi i lartë për Bosnjën, për t’u ikur dredhive të serbëve, i imponoi dekretet kushtetuese që madje i ndryshojnë edhe pjesë të marrëveshjes së Dejtonit, e cila në 1995 solli paqe në këtë republikë.
Më në jug, Mihail Shtajner, me një staf prej 5 mijë vetësh dhe buxhet prej 400 milionë dollarësh, ka farkuar një qeveri të re në Kosovë, kurse policisë së Kombeve të Bashkuara u ka dhënë autorizimet për të incizuar bisedat telefonike, fotografime të fshehta si dhe të gjitha format tjera të survejimit, me qëllim që të shtypë mafian lokale.
Bashkimi Evropian gjithashtu ndërmjetësoi në një marrëveshje të re kushtetuese midis Serbisë dhe Malit të Zi, kurse tani punon rreth idesë për formimin e një force policore evropiane në Kosovë.
Të gjitha këto ngjarje origjinën e kanë në një ngjarje të vetme: sulmet terroriste të 11 shtatorit. Pas kësaj, askush nuk mundej ta qortojë Amerikën se nga Ballkani, vëmendjen e përqëndroi tek terrorizmi.
Rusia asnjëherë nuk ka qenë e sigurt se çka dëshiron, por presidenti Vladimir Putin e kuptoi shpejtë se po luhen lojëra të mëdha strategjike. Prandaj ai e shfrytëzoi rastin për t’i dhënë fund një dekade të politikës së dështuar ruse në Ballkan.
Për herë të parë pas rënies së komunizmit në kontinentin e tyre, evropianët mbetën që vetë të merren me Ballkanin.
XS
SM
MD
LG