Ndërlidhjet

RUGOVA DESHMON KUNDER MILLOSHEVIQIT


Augustin Palokaj



Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova për herë të parë takohet me Millosheviçin sy më sy në një pamje krejt tjetër. Tani Rugova është president i Kosovës, ndërsa Millosheviçi është i akuzuar para Tribunalit të Hagës dhe përgjigjet për krimet që i ngarkohen. Deri në mesdite Rugova u është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë dhe dëshmia e tij mund të përmblidhet më shumë në një rekapitullim të ngritjes politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në historiatin personal të zotit Rugova. Është folur për heqjen e autonomisë së Kosovës në vitin 1989, për aktivizimin e LDK-së, për përpjekjet që ka bërë kjo parti për t’i ndihmuar së pari të dëbuarit nga puna dhe më vonë për të organizuar sistemin e edukimit pasi shqiptarët u përzunë edhe nga shkollat. Është prezantuar edhe dokumenti i nënshkruar midis zotit Rugova dhe të akuzuarit Millosheviç për kthimin e nxënësve shqiptarë në shkolla. Më vonë ështe arritur deri në momentin e marrëveshjes së Rambujesë. Deri në këto momente për opinionin shqiptar nuk është thënë asgjë që nuk dihet, por gazetarëve të shumtë të huaj që janë mbledhur këtu për të ndjekur këtë dëshmi të Rugovës, u ka lënë përshtypje një detaj nga dëshmia e Rugovës lidhur me negociatat në Rambuje.
Zoti Rugova ka dëshmuar se në një moment tre përfaqësuesit e delegacionit shqiptar dhe tre përfaqësuesit e delegacionit serb ishin takuar me zonjën Medlin Ollbrajt dhe ajo u kishte thënë qartë:
“Nëse ju shqiptarët nuk e nënshkruani marrëveshjen, ju do të izoloheni nga bota dhe ne nuk do mendojmë më për ju”, ndërsa serbëve u ka thënë: “Nëse ju nuk e nënshkruani, atëhere do t’ju bombardojmë”. Kjo për herë të parë është thënë në mënyrë kaq të qartë nga zoti Rugova. Pa dyshim mënyra se si është duke e bërë egzaminimin prokuroria, do t’i lërë hapërsirë të madhe edhe të akuzuarit Millosheviç, që edhe ai në detaje të vazhdojë të pyesë Rugovën për dëshminë që ka dhënë deri tani.
XS
SM
MD
LG