Ndërlidhjet

B.REXHEPI:"KEMI PREMTIME PER PERKRAHJE TE PLOTE"


Bajram REXHEPI, kryeminister i Kosoves



EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, cilat kanë qenë çështjet, që keni trajtuar gjatë takimit tuaj me Sekretarin Amerikan të Shtetit, zotin Pauell?

BAJRAM REXHEPI
Me Sekretarin e Shtetit, zotin Pauell, kemi biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, për angazhimin tonë për një vend të qetë e të sigurt, për angazhimin tonë në luftën kundër korrupsionit e kriminalitetit të organizuar. Kemi kërkuar nga Sekretari i Shtetit ruajtjen e përkushtimit të mëtejshëm të Shteteve të Bashkuara, si në prezencën e tyre ushtarake dhe në atë politike e ekonomike, në mënyrë që të krijohet një ambient i qetë, ashtu dhe si është duke u krijuar, jo vetëm në Kosovë, por dhe në rajon. Dhe prezenca amerikane është e domosdoshme, kur dihet roli i tyre udhëheqës, në të gjitha proceset pozitive që kanë ndodhur në Kosovë. Ne kemi marrë premtime se do ta kemi përkrahjen e plotë. Impresionet e para, të Sekretarit të Shtetit dhe të Qeverisë amerikane, janë shumë të favorshme në lidhje me punën e institucioneve të Kosovës, e në veçanti me punën e Qeverisë. Mendoj se ishte një takim i frytshëm.


EVROPA E LIRË
A mund të na thoni konkretisht se çfarë ka kërkuar zoti Pauell nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës?

BAJRAM REXHEPI
Zoti Pauell ka kërkuar që ne të vazhdojmë kursin që kemi filluar. Edhe për zhvillimet ekonomike, edhe për çështjen e integrimit të minoriteteve. Po ashtu është përmendur dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, për të cilin ne kemi shprehur gatishmërinë tonë. Tribunali i Hagës ka të drejtë të hulumtojë dhe nëse dikush individualisht ka bërë ndonjë krim, sigurisht që çdonjëri ka dhe përgjegjësi personale. Nuk është biseduar për asnjë emër konkret, mirëpo si një mundësi e hulumtimeve për ndonjë akuzë të mundshme. Kjo gatishmëri ekziston dhe është një obligim i institucioneve të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Për të saktësuar zoti kryeministër, në lidhje me bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës, zoti Paull ka kërkuar nga ju, që të bashkëpunoni, për qytetarët e Kosovës që mund të hetohen?

BAJRAM REXHEPI
Po, bëhet fjalë për një bashkëpunim të plotë, që ne e kemi dhe si institucione, edhe si liderë politik. Ne nuk i shmangemi asaj, që dikush, i cili ka thyer ligjet gjatë kohës së luftës, në mënyrë individuale mund të ketë përgjegjësi personale.

EVROPA E LIRË
A është biseduar me zotin Pauell lidhur me çështje të cilat janë paralajmëruar se do të diskutohen në Kuvendin e Kosovës, që lidhen me integritetin territorial të saj?

BAJRAM REXHEPI
Kjo ka qenë një nga temat e bisedës. Është biseduar për çështjen e Mitrovicës, e cila mban peng zhvillimin e Kosovës dhe të proceseve pozitive. Sidomos në çështjen e integrimit të minoriteteve, ajo paraqet një pengesë reale dhe se institucionet e Kosovës duhet ta shtrijnë veprimtarinë e tyre në kufijtë administrativë të Kosovës. Është prekur pak dhe çështja e kufirit me Maqedoninë, ku për momentin jemi pajtuar se duhet bërë një zgjedhje e përkohshme, në të mirë të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë, si në Dabëllde dhe në fshatrat e tjera, në mënyrë që ata të kenë qasje në pronën e tyre, pa kurfarë limitesh. Edhe në këtë drejtim kishim qëndrime të përbashkëta.

EVROPA E LIRË
Është njoftuar se do të takoheni me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar. A mund të na thoni se çfarë do të bisedohet më konkretisht me ta?

BAJRAM REXHEPI
Me përfaqësuesin e Bankës Botërore, zotin Kristian Portman, që është përgjegjës për Evropën Juglindore, kishim një takim mjaft të frutshëm. Ata kishin të dhëna në lidhje me programin qeveritar dhe kishin vlerësim shumë të mirë për programin tonë, i cili tashmë i është dhënë për miratim Parlamentit. Po ashtu ata përshëndetën qasjen dhe kriteret që ne i zbatojmë. Patëm premtime se në një takim të G7, që do të mbahet së shpejti, në bazë të programit dhe rezultateve fillestare, do të hapet mundësia e donacioneve. Nuk është përmendur ndonjë vlerë, apo numër konret, mirëpo ekziston një gatishmëri e madhe e Bankës Botërore që të ndihmojë institucionet e Kosovës, në mënyrë që këto të vazhdojnë rrugën të cilën e kanë ndjekur deri tash.

EVROPA E LIRË
A është folur për projekte konkrete që do të mund të mbështesë Banka Botërore e FMN-ja dhe cilat do t’i vlerësonit si më të rëndësishmet?

BAJRAM REXHEPI
Një kërkesë konkrete është rruga Durrës – Kukës – Prishtinë, për të cilën ekziston një gatishmëri që Banka Botërore të bëjë vizibilitetin dhe në një mënyrë të koordinojnë investimet e ndoshta dhe të ketë donacione nga ana e Bankës Botërore. Ekziston një gatishmëri në këtë drejtim dhe ne e kërkuam. Kjo është një mundësi reale që ata të kyçen në këtë projekt.

XS
SM
MD
LG