Ndërlidhjet

AFERAT E KORRUPSIONIT - SHENJË ALARMI PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS!


Milazim Krasniqi, Prishtinë Kjo kulturë e korrupsionit është mbjellë në Kosovë në periudhën e socializmit dhe sidomos në vitet 90, kur regjimi kriminal i Millosheviqit, degradoi në një regjim krejtësisht të korruptuar ku shitej e blihej edhe e drejta për jetë.

Në ndonjë stendë të Panairit të Librit në Prishtinë, këto ditë mund të gjendeshin edhe libra të kolosëve të tiranisë komuniste, të cilët, më shumë se kurreshtje, të zgjonin asociacionin e asaj thënies që “gjithçka është në shitje”. Libra të vjetër dhe të mjerë nga të cilët ka rrjedhë ideologjia e krimit, kësaj rradhe shërbejnë si metaforë për të kontekstualizuar parrullën rrënuese sipas të cilës “gjithshka është në shitje”. Në fakt kjo më nuk është parullë, por është dukuri rrënuese në realitetin kosovar.

Aferat e mëdha të korrupsionit në Korporatën Elektroenegjetike të Kosovës, në Post-telekomin e Kosovës, në doganat e Kosovës…janë prova tragjike se ka njerëz dhe struktura, të cilat duan që gjithçka të nxirret në shitje edhe madje ta plaçkisin vetë me të drejtën e të fortit dhe ligjin e xhunglës. Kjo kulturë e korrupsionit është mbjellë në Kosovë në periudhën e socializmit dhe sidomos në vitet 90, kur rregjimi kriminal i Millosheviqit, degradoi në një regjim krejtësisht të korruptuar ku shitej e blihej edhe e drejta për jetë. Që nga ajo kohë janë edhe shumë nga personat dhe strukutrat të përfshirë tashmë në aferat e korrupsionit masiv në Kosovën e pasluftës. Natyrisht janë shfaqur dhe aktorë e partnerë të tjerë dhe skema është bërë pothuajse e plotë. Përfshirja e kompanive të mëdha kosovare, në aferat e korrupsionit të përmasave të mëdha është shenjë alarmi për të ardhmen e Kosovës, por për t’u alarmuar është edhe heshtja që e shoqëron këtë dukuri.

Elita politike e Kosovës do të duhej të ishte më e alarmuar për këtë situatë dhe të ishte më e gatshme në bashkëpunim për zbardhjen e aferave të korrupsionit që po i zë frymën vendit. Është edhe më shqetësuese heshtja e elitës intelektuale të Kosovës, e cila thotë se “ kjo ngulfatje e shoqërisë nuk ka të bëjë fare me të”. Profesorët universitarë me pagat prej 150 euro, shkrimtarët që zvarriten për honoraret e mjera nga një redaksi te tjetra, ekonomistët ambulantë dhe përbërësit e tjerë të elitës intelektuale, do të duhej të ishin më të gatshëm në krijimin e një klime antikorrupsion në shoqërinë kosovare. Tani për tani nuk është e qartë sa u mbyllet goja nga frika neurotike apo presioni që mund të rezultoj nga organizimi i strukturave kriminale.

Më afër të vërtetës duket argumenti se për shkak të statusit të tyre të nëpërkëmbur, ata janë indiferentë dhe të dëshpëruar. Ndoshta mund të thuhet edhe se kjo heshtje e rradhës është pasojë e atij procesi të hidhur të çmoralizimit të ish shoqërisë totalitare, ku heshtja e intelektualëve ishte një politikë dinake, nga e cila, diçka, megjithatë përfitohej.

Nëse librat me përmbajtje ideologjike komuniste ekspozohen në panairet e librave, kjo flet për sentimente, për injorancë dhe për përfytyrime të vonuara. Por nëse vazhdon heshtja e elitës politike dhe veçanërisht e elitës intelektuale ndaj korrupsionit në shoqërinë e re, kjo është shenjë se kultura e korrupsionit është më gjithëpërfshirëse, dhe më legjitime, ngaqë dëshirojmë ta pranojmë.
XS
SM
MD
LG