Ndërlidhjet

VAL PERCIVAL: ÇËSHTJE SHUMË E RËNDËSISHME ËSHTË KTHIMI I RENDIT DHE LIGJIT NË PJESËN VERIORE TË MITROVICËS


Zijadin Gashi, Prishtinë “UNMIK-u thotë se e ka strategjinë e vet, por ajo kurrë nuk u bë publike… ICG i sugjeron kësaj administrate, që të bëjë publike këtë strategji dhe të marë parasysh brengat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë, sidomos në pjesën veriore të këtij qyteti.” thotë analistja nga ICG në Prishtinë, Val Percival.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka dështuar të vendosë rendin dhe ligjin në Mitrovicë”- thotë analistja e Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) në Prishtinë, Val Percival, duke komentuar një raport, të cilin ICG e ka publikuar sot rreth gjendjes në këtë qytet.

“Mitrovica vazhdon të jetë pikë e zezë për Kombet e Bashkuara dhe progresin në ngritjen e institucioneve demokratike në Kosovë”- ka thënë analistja Percival. Raporti i ICG-së përbëhet nga katër pika ku përfshihen vërejtjet rreth gjëndjes së krijuar dhe sugjerimet për tejkalimin e kësaj gjendjeje. Val Percival thotë se me këtë raport, ICG kërkon nga komuniteti ndërkombëtar, që të kuptohet seriozisht problemi i Mitrovicës dhe të rritet presioni mbi Beogradin, për t’i mënjanuar strukturat paralele nga qyteti.

“Serbët e Mitrovicës janë bërë objekt në lojën nacionaliste të Beogradit dhe pengje të krimit të organizuar”- thuhet në raport. Në anën tjetër “mungesa e objektivave të qarta të bashkësisë ndërkombëtare rrezikon që shqiptarët të radikalizohen nga frika për ndarjen e qytetit”- tërheq vëmendjen ICG dhe njëkohësisht kërkon nga bashkësia ndërkombëtare që të vërë kushtëzime në ndihmën ekonomike të Beogradit dhe integrimin e këtij vendi në proçeset aktuale evropiane, përderisa të mos ndikoj në uljen e tensioneve dhe shpërbërjen e strukturave paralele të vendosura nga serbët në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Çështje shumë e rëndësishme është kthimi i rendit dhe ligjit në pjesën veriore të qytetit”- thotë Percival, e cila e shikon si të domosdoshëm edhe aksionin kundër formacioneve paralele në këtë qytet.

“Rojet e urës duhet të arrestohen në rastet kur ka prova për aktivitete kriminale”- thotë Percival, duke u bazuar në raportin e publikuar, në të cilin kërkohet gjithashtu shtrimi i autoritetit të shërbimit policor të Kosovës në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Ne gjithashtu kemi sugjeruar se mbase ka ardhur koha që të bëhet rotacioni dhe KFOR-i francez të largohet nga veriu i Mitrovicës” - thotë analistja Percival.

Në raportin e publikuar ICG ka kërkuar gjithashtu edhe shpërbërjen e strukturave civile të pushtetit paralel dhe integrimin e tyre në pushtetin e zgjedhur përmes qeverisë dhe asamblesë lokale.

“UNMIK-u thotë se e ka strategjinë e vet, por ajo kurrë nuk u bë publike”- thotë Percival dhe vazhdon: “ICG i sugjeron kësaj administrate, që të bëjë publike këtë strategji dhe të marë parasysh brengat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë, sidomos në pjesën veriore të këtij qyteti.”
XS
SM
MD
LG