Ndërlidhjet

logo-print

MANUEL: ËSHTË KRYESISHT NJË VËSHTRIM RETROSPEKTIV I SITUATËS NË MITROVICË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë “Se çfarë planesh ka UNMIK-u është çështje tjetër, por raporti nuk është retrospektiv. Raporti përkundrazi, ka paraqitur dhe paraqet një situatë e cila ka ndodhur në të kaluarën, po ndodhë sot dhe ka tendenca të ndodhë sërish” thotë profesori prishtinas, Enver Hasani.

Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave ICG lidhur me situatën në Mitrovicë është vlerësuar në mënyra të ndryshme. Ato shkojnë që nga cilësimi i këtij raporti si një punim retrospektiv, e deri në vlerësimet si për një raport më real të bërë për Mitrovicën deri më tani. Analistët shqiptarë të Kosovës i kanë vlerësuar rekomandimet e këtij raporti si rruga më e mirë drejt zgjidhjes së krizës në Mitrovicë.

Fillimisht zëdhënësja e UNMIK-ut, Susan Manuel, tha se nga njoftimet jo të plota kishte parë se raporti i ICG-së ishte retrospektiv.
“Është kryesisht një vështrim retrospektiv i situatës në Mitrovicë dhe jo një raport që shikon përpara, ndërsa ne jemi ata që po shikojnë përpara lidhur me situatën në Mitrovicë” - tha zonja Manuel.

Mirëpo Enver Hasani, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Prishtinës, tha se ky raport paraqet pikërisht të kundërtën e asaj që ka vlerësuar UNMIK-u.

“Se çfarë planesh ka UNMIK-u është çështje tjetër, por raporti nuk është retrospektiv. Raporti përkundrazi, ka paraqitur dhe paraqet një situatë e cila ka ndodhur në të kaluarën, po ndodh sot dhe ka tendenca të ndodhë sërisht” - thotë profesor Hasani.
Ai ka vlerësuar këtë raport me tonet më të mundshme pozitive pasi sipas zotit Hasani, ky raport është pasqyra më reale e gjendjes në Mitrovicë.

“Ajo është një rethanë, e cila është ditur pak a shumë për popullsinë lokale këtu dhe nuk është diçka që nuk është ditur. Në fakt qeveria e Beogradit ka mundësi për inxhiniering politik brenda në Serbi dhe për marketing politik brenda në Serbi. Në vigjilje të zgjedhjeve që do të vijnë atje, e vetmja mënyrë për të zbërthyer dhe për të mbajtur tensionet nacionaliste në Serbi kanë mbetur serbët e Mitrovicës, përkatësisht serbët e Kosovës që tani mjerisht Mitrovicën e kanë bërë si një lloj laboratori politik” - thotë zoti Hasani.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Dr. Bajram Rexhepi në një prononcim të sotëm lidhur me raportin tha se nuk e kishte parë ende atë në formën e plotë por ka vlerësuar se këto ditë ka një qasje më të re dhe më pozitive të UNMIK-ut ndaj problemit të Mitrovicës.

“Ndoshta kanë të drejtë për misionin e deritanishëm të UNMIK-ut, mirëpo sidomos këto dy ditët e fundit është një qasje shumë e re, shumë e mirë dhe shpresoj se do të ketë përparime të dukshme në drejtim të reintegrimit të Mitrovicës. Institucionet e Kosovës duhet të shtrihen në të gjithë kufijtë administrativë dhe ashtu dhe do të bëjnë” - tha kryeministri Rexhepi.
Sidoqoftë është vlerësim i përgjithshëm se eliminimi i strukturave paralele në veri dhe heqja e ndikimit të Beogradit mbi proçeset e integrimit të serbëve në shoqërinë kosovare do të ishte zgjidhja më e mirë për të bashkuar këtë qytet, të cilin ICG e cilëson faktikisht të ndarë.

Profesor Enver Hasani beson se rekomandimet e grupit ndërkombëtar të krizave janë zgjidhje për krizën e atjeshme.

“Vetëm ndjekja nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare e atyre rekomandimeve që jep ICG-ja janë e vetmja gjë që mund ta shtensionoj situatën… jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në Kosovë dhe zgjidhjen e problemit të Mitrovicës dhe të Kosovës përgjithësisht” - thotë zoti Hasani. Mirëpo, ai nuk beson se UNMIK-u do të përfillë rekomandimet e ICG-së pasi bashkësia ndërkombëtare ka ndjekur përgjithësisht këtë linjë në raport me Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
XS
SM
MD
LG