Ndërlidhjet

logo-print

Hetimet për 11 Shtatorin do të shkojnë deri në vitin 1986


New York Times

Komiteti për Inteligjencë i Senatit ka njoftuar se do të hetohet tërë përgjegjësia e qeverisë ndaj terrorizmit ndërkombëtar, duke filluar prej vitit 1986. Komitetet e përbashkëta thanë se do të shqyrtohet sjellja e administratës së demokratëve dhe republikanëve që nga periudha e presidentit Ronald Regan, kur CIA e formoi qendrën antiterroriste. Komitetet gjithashtu kanë thënë se do të ekzaminohet gjithçka, çdo burim i informatave rreth kërcënimeve terroriste në 16 vitet e fundit.
Në deklaratën e komitetit thuhet se do të hetohen faktet për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta që i parashtrojnë amerikanët.
“Sa i përket komunikimit të CIA-s dhe FBI-së, mendoj se ai nuk ka qenë si duhet”, ka thënë presidenti Bush, për të shtuar se ai deri sot nuk ka parë asnjë mundësi që vendi të kishte parandaluar sulmet”.
Presidenti gjithashtu e ka bërë publik rivalitetin midis shërbimeve të CIA-s dhe FBI-së, në kryeqytetin ku pothuajse çdo ditë sjell nga një zbulim për njërën apo agjencinë tjetër.
Republikani Porter Gras nga Florida, kryesues i Komitetit të Senatit për Inteligjencën, ka thënë se ka qenë i befasuar nga atmosfera e përzemërt në seancën e parë të dëgjimit. “Mendoj se anëtarët e komitetit vërtetë e kanë marrë punën seriozisht”, ka thënë Gras.
Seanca e komitetit është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura dhe nën masa të rrepta të sigurisë, në një sallë plotësisht të izoluar nga përgjimet e mundshme elektronike.
Vrojtimet e kujdesshme në Kongres kanë bërë që dy rivalët e vjetër, CIA dhe FBI-ja të shkëmbejnë akuza dhe kundër-akuza të hidhura për vëllimin e shkëmbimit të informatave,që këto dy agjenci i kanë ndarë rreth personave Khalid al Midhar dhe Navak Alhazmi, që të dy këto pjesëtarë të al Kaidës, për të cilët më vonë u konstatua të kishin qenë në mesin e 19 rrëmbyesve të aeroplanëve.
Madje, edhe pasi që seanca e dëgjimit kishte filluar, Demokratët dhe Republikanët në Kongres sot e vazhduan luftën për përmasat dhe kohëzgjatjen e hetimeve.
Në vërejtjet e bëra, presidenti Bush i përsëriti përpjekjet e tij për të kufizuar hetimet në debatin në Kongres rreth çështjeve të inteligjencës dhe të heqjes dorë nga kërkesat për një komision të pavarur.
“Dëshiroj që komiteti të hetojë, e jo të shumëfishohen komitetet që do të hetojnë, sepse kështu mund të rrezikohen burimet e inteligjencës”, ka thënë Bush.
Por pas disa orësh, Demokratët në Senat diskutuan rreth formës së një komiteti të atillë në komitetin drejtues të partisë. Lideri i shumicës, senatori Tom Dashël tha se demokratët me shumicë dërrmuese janë shprehur për një komitet të ngjashëm, duke shtuar se zbulimet rreth informatave të humbura e kanë imponuar nevojën për formimin e këtij komiteti.
Përveç që do të kthehet prapë deri në vitin 1986, komiteti i përbashkët gjithashtu ka vendosur të hetojë se çfarë kanë ditur agjencitë e inteligjencës para 11 shtatorit rreth vëllimit dhe natyrës së sulmeve të mundshme kundër Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG