Ndërlidhjet

BEOGRADI ZYRTAR TI NDËRPRESË LOJËRAT MESKINE TË MBROJTJES SË INTERESAVE TË AUTORITETIT SERB NË KOSOVË


Shkelzen Maliqi …Pas këtyre masave do të krijohen edhe kushtet për fillimin e negociatave më serioze midis shqiptarëve dhe serbëve për zgjidhje afatgjatë dhe krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë, me efekte këndellëse dhe të detantit të përgjithshëm për rajonin.

Për dallim nga analizat e mëhershme që fajin ua adresonin kryesisht sjelljeve revanshiste shqiptare, në raportin e fundit të Grupit ndërkombëtar të krizave (ICG) argumentohet se për vazhdimin e krizës në Mitrovicë - tri vjet pas përfundimit të luftës - faji më i madh i takon administratorëve ndërkombëtarë. Adresa e dytë e shkaktarit dhe turbulluesit të gjendjes në Mitrovicë është politika zyrtare e Beogradit. Analiza e ICG-së konstanton se politika e Beogradit manipulon me serbët e Kosovës duke i mbajtur peng të interesave të paqarta dhe të luftës për pushtet mes grupacioneve politike që udhëhiqen nga kryetari i federatës Koshtunica dhe kryeministri i Serbisë Gjingjiq. Edhe pse në raportin e ICG-së përfshihen edhe kritika ndaj politikës së shqiptarëve në pikat thelbësore, kjo analizë përputhet me qëndrimin e politikanëve dhe të analistëve të Kosovës, të cilët burimin dhe vazhdimin e krizës në Mitrovicë e shohin në faktin se UNMIK-u dhe KFOR-i nga arsye që asnjëherë nuk janë sqaruar deri në fund, nuk kanë mundur ose nuk kanë dashur t’i realizojnë autorizimet për të cilat ato i detyrohen rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Adresimi i qartë i përgjegjësisë së UNMIK-ut dhe i politikës së Beogradit për vazhdimin e krizës në Mitrovicë, mund të shërbejë si një diagnozë e saktë për përcaktimin e masave dhe të terapisë që duhet të aplikohet në mënyrë që të zgjidhen problemet e akumuluara.

Sipas të gjitha gjasave,edhe vetë strukturat e UNMIK-ut, sado që janë të ndjeshme ndaj kritikave, tashmë e kanë pjekur mendjen se rojet e urës duhet të ndalohen dhe të shpërbëhen. Një nga udhëheqësit e serbëve nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq, javën e kaluar ka paralajmëruar se pritet një intervenim i UNMIK-ut dhe i KFOR-it. Deri më sot intervenimi më i vendosur i UNMIK-ut kundër militantëve serbë, është prolonguar ngase ndërkombëtarët i kanë ikur konfliktit eventual të vendosur me ekstremistët serbë. Edhe sot forcat ndërkombëtare të sigurisë po hezitojnë nga konflikti i hapur, sepse udhëhiqen nga doktrina e zero viktimës, prandaj edhe po kërkojnë forma që interpretimi të bëhet në pajtim të plotë me Beogradin zyrtar, gjë që do të zvogëlonte edhe reagimet dhe protestat e serbëve në veri të Mitrovicës dhe enklavat serbe.

Hapi tjetër, pas eleminimit të forcave ekstremiste do të ishte sigurimi i pjesëmarrjes së plotë të serbëve në organet e vetqeverisjes së Kosovës. Në këtë fazë të dytë, UNMIK-u po kështu duhet të sigurojë përkrahjen e Beogradit zyrtar duke e detyruar atë që t’i ndërpresë lojërat meskine të mbrojtjes së interesave të autoritetit serb në Kosovë, që këtyre u krijojnë bindjen se janë nën pushtetin e Serbisë dhe jo të UNMIK-ut. Dhe vetëm pas këtyre masave do të krijohen edhe kushtet për fillimin e negociatave më serioze midis shqiptarëve dhe serbëve për zgjidhje afatgjatë dhe krijimin e një ambjenti më të sigurt për të gjithë, me efekte këndjellëse dhe detantit të përgjithshëm për rajonin.
XS
SM
MD
LG