Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: POLITIKANËT DHE MEDIAT I KANË BËRË KËTO DIFERENCA TË DUKEN SHUMË MË TË MËDHA SE Ç’JANË


“Interesi afatgjatë amerikan në Evropë dhe në Rusi… për stabilitet, për paqe dhe për propagandimin e demokracisë dhe të ekonomisë së lirë të tregut tash është më realist se kurrë më parë” – thotë analisti i Radios “Evropa e Lirë” Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Duket sikur pjesa më e madhe e dallimeve në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës i ka rrënjet në dallimet në kapacitetet ushtarake?

PATRICK MOORE
Po ka shumë mundësi që të jetë kështu. Kjo ishte evidente që gjatë konfliktit në Kosovë, por është bërë akoma më evidente që në 11 Shtator dhe me përqëndrimin e tanishëm të Amerikës në atë që quhet lufta kundër terrorizmit. Kjo do të thotë se çështjet ushtarake, pajisjet ushtarake…qëndrojnë tani në krye të agjendës amerikane. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Fischer…mendoj se ka bërë analizën më korrekte, kur tha se “problemi nuk është ai i fuqisë amerikane, por i dobësisë evropiane”. E përditshmja konservative gjermane Frankfurter Algemaine Zeitung, ka shkruar editorialë të shumtë, në të cilët nxjerr në pah se nëse evroperëndimorët duan të merren seriozisht nga amerikanët dhe nëse duan të luajnë një rol botëror, atëhere ushtrinë e tyre duhet ta çojnë në një nivel më të lartë. Ata e dinë që nuk do të jenë në gjendje të shpenzojnë aq sa shpenzojnë amerikanët, ose të ecin në të njëjtin hap me ta sa i përket teknologjisë së lartë, por hendeku apo dallimi është tepër i madh dhe po bëhet gjithmonë e më i madh. SHBA shpenzojnë, në krahasim me të ardhurat për banorë, çdo vit, më shumë se dyfishin e asaj që shpenzojnë vendet evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Një ish zyrtar amerikan argumenton se kriza në marëdhëniet Shtetet e Bashkuara – Bashkimi Evropian, në masë të madhe, është një mit i krijuar në vazhdimësi, poashtu, në përmasa të mëdha nga politikanët dhe mediat?

PATRICK MOORE
Sigurisht dhe kjo nuk do të thotë që aty nuk ka problem. Ekzistojnë diferenca dhe ka çështje që duhen diskutuar dhe zgjidhur, por ajo që ka ndodhur këtu është ashtu, siç thatë edhe ju, politikanët dhe mediat i kanë bërë këto diferenca të duken shumë më të mëdha se ç’janë. Ka ndodhur ajo që do ta quaja një paraqitje e lirë e disa politikanëve në media, të cilët po përpiqen të nxisin qoftë dhe emocione primitive te njerëzit dhe ashtu, siç tha dhe kryeministri spanjoll Jose Maria Asnar, asgjë nga këto nuk është e dobishme…Mendoj se kishte mjaft të drejtë.
Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë disa gjëra lidhur me marrëveshjen e Kjotos, apo masat që u ndërmorën në importin e çelikut, të cilat personalisht mendoj se nuk ishin shumë të matura nga ana e qeverisë amerikane. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Tribunalin Penal Ndërkombëtar. Këto çështje mund të ishin trajtuar më mirë dhe me një stil tjetër. Nga ana tjetër, është me të vërtetë e pabesueshme të shikohet se si në disa vende evroperëndimore, ku liria e qytetarëve të tyre për 50 vjet varej nga mbrojtja e Shteteve të Bashkuara, njerëzit kaluan në një orgji urrejtjeje për presidentin e Shteteve të Bashkuara, për kulturën politike të Teksasit dhe gjëra të tilla.
Dikush tha se presidenti Bush është një burrë që shumë prej evroperëndimorëve u pëlqen ta urrejnë. Nuk mendoj se ndonjë nga këto mite apo thirrje të ulta është e dobishme, siç tha dhe zoti Asnar.
Ashtu siç e kam përmendur edhe në intervistat e mëparshme, mendoj se shumë nga arsyet e histerisë në Evropën Perëndimore, qëndrojnë në faktorin psikologjik, që në shumë vende të Evropës Perëndimore, sidomos në ato që dikur kanë qenë Fuqi të Mëdha… mendoj së pari në Britaninë, në Francën, Italinë, gjithashtu Austrinë, Gjermaninë dhe deri diku Spanjën, ka frustrime të mëdha. Kjo për faktin se një herë e një kohë këto kanë qenë Fuqi të Mëdha dhe tash janë në një pozicion të nivelit të dytë apo të tretë dhe nuk dinë si ta pranojnë këtë fakt.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është interesi afatgjatë amerikan në marëdhëniet me Evropën dhe Rusinë?

PATRICK MOORE
Mendoj se është një fushë interesi mjaft e përbashkët. Ashtu siç e tha dhe presidenti Bush, ka baza solide për një Evropë të bashkuar dhe të lirë, baza solide në shtetet e fuqishme industriale në Evropë, në Rusi dhe Amerikën Veriore për demokraci me tregje të lira dhe programe të përbashkëta sigurie. Kjo është një ëndërr që më parë ishte e pamundur të realizohej. Tani kemi një NATO solide që po zgjeron rradhët e saj, Rusia e ka kuptuar se nuk mund të jetë më fuqi botërore, që ka interesa rajonale, që ka mundësi të kufizuara. Zoti Putin ka marë disa vendime shumë inteligjente, jo në bazë të emocioneve, por në bazë të logjikës dhe konsideratave shumë praktike. Ai di si të veproj që të arrijë atë që do në bashkëpunim me Amerikanët dhe evropiano perëndimorët jo në kundërshtim me ta. Prandaj mendoj se ky interes afatgjatë amerikan në Evropë dhe në Rusi… për stabilitet, për paqe dhe për propagandimin e demokracisë dhe të ekonomisë së lirë të tregut është më realist tani se kurrë më parë.
XS
SM
MD
LG