Ndërlidhjet

"BE DHE NATO ENDE LARG SHQIPERISE"


Lutfi DERVISHI, Tirane


Në fjalën e tij të parë si kryeministër, zoti Pandeli Majko, ndër prioritetet e qeverisë ngriti hapjen e negociatave për Asociim - stablizimin dhe anëtarësimin e vendit në NATO. Të dy këto prioritete sot duken më të largëta. Samiti i Pragës në nëntor të këtij viti do të shqyrtojë ftesat e nëntë vendeve që aspirojnë të bëhen anëtare të Aleancës. Gjasat e Shqipërisë janë të pakta. Ndërsa mbledhja e Këshillit të ambasadorëve të vendeve të BE në Bruksel, me shumicë votash, ka vendosur për shtyrjen e hapave të negociatave. Vendimi pason rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë. Në shtypin dhe opinionin politik të Tiranës, një vendim i tillë lidhet me situatën e paqartë politike, në prag të zgjedhjes së presidentit të republikës. Kjo ka një pjesë të së vërtetës, por është vetëm maja e Ajsbergut. Përgjithësisht opinioni publik nuk është i informuar sa duhet për thelbin e Marrëveshjes së Asociim - stabilizimit dhe vihet shenja e barazimit mes hapjes, nënshkrimit dhe vënies në jetë të marrëveshjes. Vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, janë shumë larg ditës së plotësimit të kushteve për t’u bërë anëtare të BE-së dhe Marrëveshja Asociim - stablizimit është një paradhomë për t’u futur në familjen e BE-së. Me institucione të brishta dhe me një korrupsion të paprekur, me një ekonomi që bazohet kryesisht në shërbim dhe tregti, dhe me zgjedhje të kontestuara, Shqipërisë i mbetet vetëm ndërmarrja e reformave të thella dhe të shpejta për t’u afruar me Evropën. Për shkak të parregullsive që shoqërojnë zgjedhjet shqiptare gjatë dhjetë viteve të fundit, është tronditur stabiliteti politik, dhe egziston droja se një gjë e tillë mund të përsëritet sërisht, por sigurisht jo në përmasat që ka ndodhur në të kaluarën. Shqetësues është dhe fakti se ka patur një mungesë të vullnetit politik për t’u marrë seriozisht me parregullsitë që shoqërojnë proçesin elektoral. U deshën 6 muaj kohë, që nga dita e rekomandimit të ODHIR-it, të ngrihej një komision parlamentar dy palësh, pozitë - opozitë, për të shqyrtuar parregullsitë dhe për të bërë rekomandime për përmirësimin e kodit zgjedhor. Komisioni vetëm sa e ka filluar punën. Por vetëm realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, megjithëse është një kusht i nevojshëm, është themeli i ndërtimit të demokracisë, nuk është i mjaftueshëm. Ndërtimi i shtetit ligjor, forcimi i institucioneve, transparenca me publikun, pasja e një pushteti gjyqësor të pavarur dhe të pakorruptuar, lufta kundër korrupsionit, trafikut dhe krimit të organizuar, me rezultate dhe jo vetëm me fjalë, me komisione dhe institucione, janë detyra që i takojnë vetëm Tiranës. Por në Tiranë debati kryesor sot për sot është përqëndruar në emrat e përvetshëm, që mund të kandidojnë për postin e presidentit dhe jo për prioritetet dhe ardhmërinë e vendit. Kështu që ka shumë të ngjarë që nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociim - stabilizimin dhe anëtarësimin në NATO të mbeten prioritete edhe për qeveri të tjera shqiptare.
XS
SM
MD
LG