Ndërlidhjet

"MJEKËT KOSOVARË ANKOHEN, PACIENTËT GJITHASHTU...."


Nadie AHMETI


Cilat janë kushtet në të cilat punon sistemi shëndetësor në Kosovë dhe a janë të kënaqur pacientët me shërbimet që u ofrohen?
“Qendra e emergjencës në Prishtinë punon në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe personeli i saj e ka të vështirë të realizojë punën”, thotë drejtori i kësaj qëndre Bajram Koci.
“Në shëndetësi nuk ka ndryshuar asgjë. Ka ndryshuar klima e përgjithshme në Kosovë. Njerëzit mendojnë se do të bëhet dhe me siguri do të bëhet më mirë. Mirëpo në shëndetësi ende nuk vërehen ndryshimet. Edhe pse hapat e parë janë në përgatitje e sipër, ato nuk mund të bëhen pa ndryshimin e ligjeve, pa reformën e shëndetësisë”, thotë zoti Koci.
Të njëjtën gjë e pohon edhe Ymer Aliu, drejtor i klinikës kirurgjike:
“Gjatë këtyre 100 ditëve të qevrisë unë nuk kam parë ndonjë ndryshim që është hetuar, por shpresojmë se krijimi i institucioneve, na jep shpresë se Kosova vërtetë do të ecë përpara”. Dr Aliu thotë se duke marë parasysh kushtet e rënda në të cilat punohet, trajtimi i pacientëve nga personeli shëndetësor, është në nivel të duhur.
“Trajtimi i pacientëve nga ana e personelit shëndetësor, është me të vërtetë në nivel, përkundër kushteve tejet të vështira. Si për punë, po ashtu dhe materiale, ato nuk i plotësojnë konditat as si ndihmë sociale”, thotë ai.
Mirëpo pohimet e pacientëve në këtë kuadër janë të ndryshme. Disa prej tyre thonë se në klinikën kirurgjike janë të kënaqur me trajtimin që u bëhet, kurse të tjerët pohojnë të kundërtën.
Methar Fiqina:“Unë jam që një javë këtu, vuaj prej gurëve. Motrat janë shumë të interesuara ndaj nesh. Mjekët jo sepse shikojnë vetëm interesin e tyre.”
Hazir Hazizi:“Kujdesi është shumë i mirë. Për operim kam dy ditë që pres. Duke shikuar kushtet në të cilat punojnë mjeksia, unë për vete edhe nëse zgjatë nuk brengosem.”
Bahrie Fazlliu:“Jam e operuar. Janë kujdesur mirë si motrat ashtu dhe mjekët. Analizat i kam bërë privatisht më përpara, pasi këtu vonohen disi dhe aty dalin më shpjet rezultatet. Nuk kam patur kushte të operohem në klinikë private.”
Nezire Mulliqi:“Kam bërë analizat privatisht dhe më thanë se vetëm aty mund t’i bëj”
Fatmir Bushi:“Unë kam një muaj e një javë këtu. Doktorët 5 herë më kanë futur në listën për operim dhe përsëri nuk më kanë pranuar. Arsyet nuk i di.”
Arsyetimet e Dr. Aliut dhe Mehmet Magjinit, kirurg në Klinikën Kirurgjikale në këtë drejtim janë:
“Sa i përket operimeve sigurisht që duhet pritur. Kjo gjë nuk varet nga ne, sepse kudo duhet pritur. Ne punojmë me një kapacitet të plotë dhe atë që mund të bëjmë e realizojmë shumë shpejt”, thotë Dr. Aliu.
Ndërsa Mehmet Magjuni thotë:“Ne kemi problem përcaktimin e diagnozës. Deri në atë moment, deri sa nuk është e qartë diagnoza, pacientët nuk mund të hyjnë në sallën e operacionit. Për këtë është përgjegjëse para klinika, e cila duhet të përcaktojë diagnozën, në mënyrë që ne të operojmë pacientët. Sigurisht atyre u duket se zgjat e kanë të drejtë të ankohen, kanë arsye si të themi, por niveli sëhtë ky që është dhe nuk ka mundësi të bëhet më tepër.”
Sidoqoftë të dyja palët pajtohen me faktin se ndryshimet duhet të bëhen patjetër, meqë kushtet aktuale në të cilat trajtohen pacientët dhe punojnë mjekët nuk janë të kënaqshme për asnjërin prej tyre.
XS
SM
MD
LG