Ndërlidhjet

A PO TROKET SËRISH ANTI-SEMITIZMI NË DYERT E EVROPËS?


INTERVISTË: Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


Radio Evropa e Lirë
Incidentet e fundit anti-semite kanë ngritur frikë nëse Evropa po i kthehet një të kaluare të shëmtuar. Situata nuk është dramatike, por shqetësuese gjthësesi?

P. MOORE
Ajo për çka bëhet fjalë në pyetjen tuaj, janë sigurisht incidentet si p.sh sulmet ndaj sinagogave, varrezave të hebrenjve etj. Kjo është sjellja raciste ndaj hebrenjëve dhe besimit të tyre.
Nëse bëjmë një krahasim me vitet e 30-ta, sot nuk ka lëvizje masive. Bëhet fjalë vetëm për një minoritet të vogël në vende të ndryshme të Evropës perëndimore, për të cilat po flasim dhe mendoj kryesisht në Francën dhe Austrinë. Duhet pasur parasysh faktin se i gjithë spektri i partive politike në këto vende i dënon këto veprime. Nëse shikojmë se kush qëndron prapa tyre, duket se janë një grup i vogël ekstremistësh brenda minoritetit mysliman, mendoj veçanërisht në Francë. Ju keni absolutisht të drejtë kur thoni se nuk është Evropa që po kthehet në një të kaluar të shëmtuar, por megjithatë është shqetësuese që gjëra të tilla ndodhin.

Radio Evropa e Lirë
Disa analistë thonë se anti-semitizmi është pasoje e një farë frustrimi. A është Evropa e frustruar dhe përse?

P. MOORE
Ka një ndjenjë në disa qarqe gjermane që udhëheqësit e komunitetit hebre ndihen të lirë të shprehin çfarë do që duan, me tonet më të ashpra që mund të egzistojnë dhe në të njëjtën kohë mendojnë që duhet të kenë imunitet ndaj kritikave. Kjo ka shkaktuar frustrim dhe inat në disa qarqe gjermane dhe ka kohë që egziston. Kam jetuar 17 vjet në Gjermani dhe ky zemrim ishte i pranishëm. Nuk është një ndjenjë që mund të çojë në djegjen e sinagogave, por është një lloj zemrimi ndaj disa udhëheqësve hebrenj në Gjermani. Ka gjithashtu një ndjenjë se shteti i Izraelit dhe veçanërisht Ariel Sharon, sillen në një mënyrë që inkurajon ekstremizmin arab. Këto janë pikëpamje mjaft të përhapura në Evropën perëndimore dhe besoj se kjo është një lloj inati dhe frustrimi. E dini që ka patur shumë evropiano-perëndimorë që mendojnë se për shkak të mbështetjes që i japin Izraelit, Shtetet e Bashkuara ishin vetë përgjegjëse për sulmet që ndodhën më 11 Shtatorit. Ky është një këndvështrim i përbashkët në Evropën perëndimore.

Radio Evropa e Lirë
Angazhimi i Evropës për të diskutuar dhe luftuar anti-semitizmin mbase është shenjë se kontinenti nuk është nisur drejt vitit 1938?

P. MOORE
Po. Problemi që shikoj këtu është kryesisht i ekstremistëve myslimanë. Popullata e Francës është mbi 10 % myslimane dhe Britania gjtihashtu ka një komunitet të madh mysliman. Spanja gjithashtu është një vend me trashëgimi të madhe islamike. Këta faktorë duhet të kihen parasysh.

Radio Evropa e Lirë
Sulmet anti-semite janë gjithashtu përgjegje e çoroditur ndaj dhunës në Lindjen e Mesme. A shihet në horizont zgjidhja e kësaj krize?

P. MOORE
Mendoj se çdo kush që do kishte përgjigjen për këtë pyetje do të meritonte çmimin Nobel për paqen. Ajo që do të them është se pashë një animacion në një gazetë të Kalifornisë, që tregonte hartën e Izraelit dhe një shtet të qartë palestinez në Gazë dhe Bregun perëndimor. Jeruzalemi ishte i ndarë - një pjesë e tij për Izraelin dhe Jeruzalemi lindor për myslimanët. Ishte caktuar qartë se nuk do të kishte vendbanime izraelite në Bregun Perëndimor apo në Gaza dhe këto dy shtete do të ishin të garantuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Kjo zgjidhje është tepër e thjeshtë apo jo?
Por, kjo është sipas mendimit tim ajo që çdo kush e di dhe e ka ditur prej vitesh. Zgjidhja përfundimtare do të jetë egzistenca e dy shteteve. Do të jetësohet ndonjë marrëveshje mbi Jeruzalemin, vendbanimet izraelite në Bregun perëndimor dhe në Gaza nuk do të jenë të përhershme dhe kjo është ajo që do të ndodhë.
Mua vazhdimisht më pëlqen të citoj Henri Kisinxherin, i cili ishte një nga përfaqësuesit më të shquar të politikës amerikane në fund të viteve të 60-ta dhe gjatë viteve të 70-ta. Kur dikush e kishte pyetur se çfarë duhej bërë për të arritur një ujdi, ai tha se së pari duhet të jenë dy palët që e duan një marrëveshje. Dhe nuk jam i sigurt që në Lindjen e Mesme kemi dy palë që janë të gatshme për të arritur një marrëveshje. Ka njerëz nga të dy krahët të cilët mendojnë se duke luftuar pak me gjatë do të kenë përfitime më të mëdha. Mendoj se zgjidhja përfundimtare do të jetë mjaft e ngjashme me atë që ishte e prezantuar në animacionin e gazetës nga Kalifornia.
XS
SM
MD
LG