Ndërlidhjet

logo-print

ALLEN KASSOF: SHQIPTARËT DHE UDHËHEQJA SHQIPTARE DUHET TË DËSHMOJNË SE SYNOJNË NDËRTIMIN E NJË SHOQËRIE TOLERANTE DHE MULTIETNIKE


“Çështja fundamentale ka të bëjë më qeverisjen e Kosovës dhe ardhmërinë e saj. Nuk jam i sigurt se komuniteti ndërkombëtar është shumë më afër gjetjes së zgjidhjes për të vendosur për këtë çështje, se që ishte disa vite më parë kur ndodhen këto zhvillime. Po të kishte klimë të përgjthshme stabile në rajon…nëse atje nuk ka probleme, ndoshta do të ishte më lehtë” – thotë dr. Allen Kassof, udhëheqës i Projektit për marrëdhënie etnike me seli në Princeton (SHBA).

RADIO EVROPA E LIRË
Tri vite pas vendosjes së NATO-s dhe të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si i përshkruani marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në Kosovë, pasi javë më parë ishit atje?

ALLEN KASSOF
Këto marrëdhënie ndërmjet komuniteteve janë ende të trazuara dhe frikësohem se të tilla do të jenë për një kohë të gjatë. Gjendja aktuale e tyre është e bazuar në vargun e ngjarjeve dramatike gjatë dekadës së fundit ose më gjatë. Rrjedhimisht, nuk është e arsyeshme të pritet që ato të përmirësohen shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është rruga për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve?

ALLEN KASSOF
Nuk mendoj se ato duhet të imponohen. Nganjëherë Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në formë emergjente dhe të imponoj njëfarë rendi, por unë nuk mendoj se ato duhet të imponohen. Ato duhet të ndërtohen ashtu që të funksionojnë në një kontekst afatgjatë ndërmjet komuniteteve. Dhe kjo është detyrë për shumë vite dhe mbase dekada.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet ndërkombëtare dhe liderët politik kosovarë për këtë vit kanë disa plane për kthimin e personave nga Kosova dhe veçanërisht të serbëve. Çka mendoni për këto plane?

ALLEN KASSOF
Mendoj se këmi të bëjmë me plane të rëndësishme dhe shpresoj që do të funksionojnë. Do të ketë vështirësi dhe kjo gjë do të kërkoj durim nga të gjithë. Nuk mendoj se është realiste të pritet dhe të mendohet për kthimin masiv të serbëve, por një kthim më shumë se simbolik, do të ishte i dobishëm për të gjitha palët e ndërlikuara. Mund të shtoj se veçanërisht shqiptarët dhe udhëheqja shqiptare duhet të dëshmojnë se kanë mundësi dhe vullnet për ndërtimin e një shoqërie tolerante dhe multietnike....Janë edhe disa çështje të tjera që duhet të merren në konsideratë. Ato konsistojnë në jostabilitetin e përgjithshëm në rajon dhe në faktin që një numër i çështjeve fundamentale mbeten të pazgjidhura. Këto çështje e bëjnë shumë të vështirë çfarëdo zgjidhje të çështjes së Kosovës. Kemi të bëjmë me jostabilitetin në Maqedoni, ka çështje në Shqipëri…të gjithë këta faktorë ndërlidhen dhe ndërlikojnë shumë çështjen e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Raporti i fundit i Grupit ndërkombëtar të krizave ishte kritik ndaj administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Situata në Mitrovicë ishte e përshkruar si “pikë e zezë”. Si e vlerësoni situatën në Mitrovicë dhe pjesën veriore të Kosovës duke pasur parasysh ndikimin eventual të kësaj situata në marrëdhëniet e ardhshme të tërësishme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë?

ALLEN KASSOF
Mendoj se duhet kthyer pak prapa. Kur Bashkësia ndërkombëtare hyri në Kosovë, pas bombardimeve, ata në formë evidente kishin marrë vendimin për përdorim minimal të forcës në imponimin e zgjidhjeve. Kjo, grupeve nga të dy anët, serbëve dhe shqiptarëve, u la hapësirë të inaugurojnë praktika që tash shihen në Kosovë. Tash është pakëz vonë që KFOR-i dhe UNMIK-u befas të kthenjë pllakën dhe të marrin masa që nuk i kanë ndërmarrë kur fillimisht hynë në Kosovë. Dua të theksoj paralelet me zhvillimet në Bosnjë, ku gjithashtu kishte hezitim të madh të Bashkësisë ndërkombëtare për të përdorë forcën në krijimin e zgjidhjeve të caktuara përfundimtare. Rrjedhimisht është vështirë të dihet epilogu përfundimtar. Dëshiroj të shtoj diç tjetër: derisa çështjet e vjetra ndërmjet serbëve dhe fqinjëve të tyre, përfshirë edhe shqiptarët, mbeten pjesërisht të pazgjidhura, është vështirë të zgjidhen situatat specifike në terren. Realisht nuk ka vullnet të mirë në Beograd dhe Prishtinë dhe kjo e komplikon këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet çështje të vjetra. A mund t'i përshkruani disa prej tyre?

ALLEN KASSOF
Çështja fundamentale ka të bëjë më qeverisjen e Kosovës dhe ardhmërinë e saj. Nuk jam i sigurt se komuniteti ndërkombëtar është shumë më afër gjetjes së zgjidhjes për të vendosur për këtë çështje, se ç'ishte disa vite më parë kur ndodhen këto zhvillime. Po të kishte klimë të përgjthshme stabile në rajon, nëse atje nuk ka probleme ndoshta do të ishte më lehtë. Nëse e shikoni Serbinë atje është një situatë e pazgjidhur rreth asaj se kush do të qeverisë dhe kjo e bën të vështirë fokusimin në specifikat e Kosovës.
XS
SM
MD
LG