Ndërlidhjet

Ministria greke nën presionet e hetimeve kundër Millosheviqit


Financial Times

Ministria e financave e Greqisë është gjetur nën presion për të shpjeguar rolin e saj në hetimet ndërkombëtare rreth lidhjeve financiare të ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Drojet nga implikimet politike u shfaqën fill pas publikimit të raportit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin thuhet se Banka Qendrore e Greqisë ishte anashkaluar në kohën kur prokurorët e Tribunalit të Hagës deshin t’i bëjnë hetimet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë. Asokohe, Banka udhëhiqej nga Lucas Papademos, i cili tani është emërtuar zëvendës drejtor i Bankës Qendrore Evropiane.
Në vitet e 90-ta, politikanët dhe biznesmenët grekë i kanë mbajtur lidhjet e ngushta me Millosheviqin dhe rrethin e tij, kurse Serbia në Greqi kishte përkrahje të fortë.
Vitin e kaluar, ministria u pajtua të bashkëpunojë me Tribunalin e Hagës në një rast të autorizuar nga kryeprokurorja Carla del Ponte. Hetimet i nxorrën në dritë transaksionet financiare që tejkalonin mbi 1miliardë e 500 milionë marka gjermane, përfshirë kontratat për pajisjet ushtarake nga furnizues amerikanë, rusë dhe izraelitë.
Zonja del Ponte e ka kërkuar bashkëpunimin e Greqisë përmes ministrisë së drejtësisë. Në fillim të hetimeve, kjo ministri kërkoi nga banka qendrore informacione rreth llogarive bankare në bankat greke dhe qipriote. Pasi banka qendrore dha një sasi informacionesh, ministria e drejtësisë e hoqi atë nga rendi i ditës i hetimeve të mëtejme, të cilat i kërkonte kryeprokurorja del Ponte. Drejtori i bankës, Papademos ka thënë se banka ka bërë gjithçka që është kërkuar prej saj.
Hetuesit e zonjës del Ponte këtë muaj i shpallën detajet rreth transaksioneve finansiare të 8 kompanive jugosllave në Bankën Popullore dhe në Bankën Helenike të Qipros. Kompanitë gjithashtu i kishin llogaritë e veta edhe në Bankën Popullore Evropiane të Qipros.
Hetuesi i zonjës del Ponte ka thënë se nuk i është mundësuar të kontrollojë llogaritë bankare të këtyre 8 kompanive në bankat e Greqisë.
Ndërkohë, një zyrtar i Bankës Qendrore të Greqisë ka konfirmuar se departamenti mbikqyrës i kësaj banke i ka shqyrtuar transaksionet e llogarive të 8 kompanive të pretenduara në Bankën Popullore Evropiane, kurse informacionet ia ka kaluar ministrisë së Drejtësisë.
Zyrtarët e ministrisë së drejtësisë nuk kanë bërë komente rreth kësaj.
XS
SM
MD
LG