Ndërlidhjet

KULTURA E INTOLERANCËS DHE KËMBANAT E ALARMIT


Milazim KRASNIQI


Kultura e intolerancës ndaj tjetrit, shumë herë ka motive irracionale dhe në fakt është bizare, sepse qëndron në kundërshtim me llogjikën e jetës dhe vlerat e thelbësore të saj. Intoleranca di të arrijë edhe kuota morbide, madje edhe në fusha të jetës që nuk janë primare: psh rasti i Luciano Gaucit, presidentit të klubit të futbollit Perugia, i cili ka marë vendim që t’ja ndalojë kthimin në klub, futbollistit jugkorean Ahn, sepse ai në lojën ndërmjet Italisë dhe Koresë së Jugut, ka shënuar golin, i cili e ka skualifikuar Italinë, ose si rasti i fermerit francez Zhoz Bov, i cili ka djegur një restorant të McDonaldsit amerikan, në shenjë anti amerikanizmi. Nëse në realitete aq komode sociale dhe shoqërore si Italia dhe Franca, shfaqet intolerancë kaq vulgare, megjithëse plotësisht individuale, është e frikshme të mendohet se sa të thella mund të jenë rrënjët e intolerancës, në vende që janë përshkuar nga konflikte të përgjakshme, sikundër është rasti i Kosovës. Këtu nuk kemi të bëjmë me manifestim individual të intolerancës për ndonjë çështje banale, por për një përjetim të realitetit në atë mënyrë, ku tjetri me automatizëm paraqet të keqen. Në raste të tilla, për t’i prerë rrugën triumfit të intolerancës kolektive, është e domosdoshme që të aktivizohet gjithë potenciali kreativ intelektual, krahas atij politik, ekonomik e social, që të tejkalohet gjendja e të fillohet një kapitull i ri i jetës në tolerance e harmoni etnike. Fusha ku ka nevojë të shpaloset ky projekt është veçanërisht arsimi, sepse aty përthyhen më shumë idetë diferente, nga të cilat krijohen shabllone të intolerancës. Në programet shkollore në Kosovë, ende nuk ka një qasje që të reflektohet realiteti i ndryshuar jetësor, ku toleranca ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve do të kundrojë brenda një konteksti të ri kosovar dhe ndërkombëtar. Nxënësit serbë nëpër enklava ende mësojnë me programet shkollore të Serbisë, gjë që nuk i lejon ta përjetojnë realitetin e ri të fatit të tyre. Nga ana tjetër nxënësit shqiptarë ende ballafaqohen me elemente të triumfalizmit folklorik. Në këtë kontekst projeksioni për Europën, si tutore e padrejtë ndaj shqiptarëve, është pjesë e vlerësimit dhe e interpretimit të historisë shqiptare. Prandaj adoptimi i programeve shkollore, do të ndikonte në ndryshimin e preceptimit të të rinjve ndaj atyre që quhen “të tjerë”, e që nuk i përkasin të njëjtës përkatësi etnike e gjuhësore. Në realitetin e ri kosovar, do të duhej të afirmohej ana pozitive e integrimeve rajonale evropiane, në mënyrë që të rinjtë të jenë të përgatitur shpirtërisht për sfidat që ofron projekti i madh i integrimeve europiane. Shmangia e mendësisë së izolimit, e vetëmjaftimit, qoftë edhe vetëm si sindrom i imponuar nga vetë gjendja e robërisë së gjatë, është hapi i parë që mundëson tejkalimin e intolerancës. Në rastin e Luciano Gaucit, ose Zhoz Bovit, kemi të bëjmë vetëm me pajisje ekstreme individuale, prandaj ato duken edhe si karikatura. Por kur ka shumë të tilla, sikundër ndodh në Ballkan, atëherë do të duhej të binin kambanat e alarmit.
XS
SM
MD
LG