Ndërlidhjet

TENSIONE NË RRITJE PARA ZGJEDHJEVE NË MAQEDONI


Jane's Intelligence Review

Ndonëse ish republika Jugosllave e Maqedonisë muajve të fundit ka kaluar një periudhë relativisht të qetë, megjithatë egzistojnë shenja për rritjen e tensioneve në prag të zgjedhjeve të 15 shtatorit.
Paqja e brishtë pas konfliktit midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare është pasojë e presioneve ndaj të dyja palëve që i bëri komuniteti ndërkombëtar.
Janë bërë përpjekje për të margjinalizuar radikalët në qeverinë maqedonase, si kryeministrin Lubço Georgievski dhe ministrin e brendshëm Lube Boshkovski, anëtarë të partisë VMRO-DPMNE.
Georgievski përpiqet ta ruajë mbështetjen ndërkombëtare duke e mbajtur pranë partnerin e vjetër të koalicionit, Partinë Demokratike të Shqiptarëve, e cila problemet e veta i ka me liderët e partive të tjera shqiptare.
Deri tani VMRO-DPMNE-ja dhe PDSH-ja kanë qënë të kujdesshme në eksploatimin e çështjeve etnike në agjendat e tyre populiste. Që të dyja partitë konsiderohen si struktura me shkallë të lartë të korrupsionit, interesat kriminale të të cilave dominojnë në jetën ekonomike dhe politike të Maqedonisë.
Analistët e vendit dhe të huaj ndërkaq, parashohin se betejën për votat në skenën politike të Maqedonisë do ta karakterizojnë manipulime dhe parregullsi të shumta.
Georgievski dhe Boshkovski janë përpjekur të mbajnë qëndrime patriotike pas konfliktit. Administrata e Georgievskit është përpjekur të internacionalizojë konfliktin me pohimet se shqiptarët kanë mbështetje jashtë kufijve, kurse në mars u përpoqën që sigurinë e Maqedonisë ta ndërlidhin me luftën e Shteteve të Bashkuara kundër terrorizmit. Policia vrau 7 vetë, duke pohuar se ishin anëtarë të Al-Kaidës, ndërsa “Wall Street Journal” ka raportuar se ata ishin migrantë ilegalë nga India dhe Pakistani. Ka patur edhe përpjekje për të sugjeruar se elemente nga Kosova fqinje e nxitin jostabilitetin e Maqedonisë.
Por, për incidentin ndërkufitar që ndodhi në fund të majit në kufirin me Kosovën, komandanti i forcave të NATO-s në Maqedoni, Heinz Georg Keerl, tha se është i ekzagjeruar.
Kohëve të fundit kryeministri Georgievski shumë herë i ka kritikuar ndërkombëtarët. Ai në parlament i akuzoi disa struktura të komunitetit ndërkombëtar se e përdorin qeverinë e Kosovës për ta destabilizuar rajonin.
Analistët në Shkup thonë se Georgievski është i mllefosur sepse ndërkombëtarët ndërhyjnë në planet e tij për ndarjen e Maqedonisë dhe formimin e një shteti të pastër të maqedonasve. Qëndrimet e tij antiperëndimore bënë që NATO-ja të anulojë një konferencë ndërkombëtare për kontrollin e kufinjve, që në korrik duhej të mbahej në Ohër.
Derisa hetuesit e krimeve të luftës nga Haga i vazhdojnë hetimet për masakrën e 9 shqiptarëve etnikë në fshatin Luboten, i akuzuari Boshkovski në traditën e populizmit ballkanik, ka organizuar një rrjet të organizatave joqeveritare në kuadër të fushatës kundër Gjykatës Ndërkombëtare. Këto shoqata, të afërta me partinë VMRO-DPMNE në pushtet, pohojnë se kanë mbledhur 250 mijë nënshkrime kundër Tribunalit.
Një kokëçarje tjetër për komunitetin ndërkombëtar dhe qeverinë e Maqedonisë janë forcat speciale policore “Luanët”, meqë të gjithë ata janë maqedonas etnikë, shumica anëtarë të partisë në pushtet.
Megjithatë forcat speciale të udhëhequra nga Boshkovski, gjatë 9 muajve të konfliktit nuk ia dolën të ndërmarin asnjë operacion të suksesshëm kundër kryengritësve shqiptarë.

XS
SM
MD
LG