Ndërlidhjet

SHBA-të NDËRLIDHIN ROLIN NË BOSNJE ME IMUNITETIN NGA GJYKATA


NEW YORK TIMES

Shtetet e Bashkuara janë deklaruar kundër Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, duke e kundërshtuar atë me veto ndaj zgjatjes së mandatit të paqëruajtësve në Bosnjë, nëqoftëse paqëruajtësve amerikanë nuk u jepet imuniteti nga gjykata në fjalë.
Mandati i forcave u zgjërua javën e kaluar dhe skadon të dielën në mesnatë, në kohën kur hyn në fuqi Gjykata Ndërkombëtare. Këtë herë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara tha se nuk do të marrë në shqyrtim kurrfarë zgjatjeje të mëtejme të mandatit.
“Vetoja është opcioni përfundimtar nëse kjo çështje nuk zgjidhet në mënyrë që të mundësojë një lloj imuniteti për vendet, të cilat nuk janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, por që nga ana tjetër i dërgojnë trupat e veta në misionet paqëruajtëse”, tha John Negroponte, ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara.
Mosmarrëveshja i ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara kundër Bashkimit Evropian dhe shumë vendeve tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. Meqë çështja e forcave në Bosnjë është çështje e ndieshme, lufta rreth gjykatës nga shumë anëtare të organizatës botërore merret si testim i vullnetit të administratës amerikane në kundërshtimin e një autoriteti ndërkombëtar.
Marrëveshjen e ka nënshkruar presidenti Klinton, kurse administrata e presidentit Bush në maj tha se do të tërheqë mbështetjen nga ajo. Prej atëherë, administrata e Bushit, e nxitur nga republikanët konservatorë në Kongres, është përpjekur të sigurojë imunitetin për paqëruajtësit amerikanë.
Të prirë nga Britania dhe Franca, evropianët kanë pohuar se marrëveshja lejon hapësirë për mbrojtjen e paqëruajtësve, dhe se nuk do t’u lejojnë Shteteve të Bashkuara të minojnë atë që evropianët e shohin si progres historik në të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Evropianët veçanërisht janë të brengosur nga fakti se plotësimi i dëshirave të amerikanëve, mund të dërgojë sinjale te vendet, të cilat nuk e kanë njohur gjykatën dhe nuk janë nën kompetencat e saj. “Nëse vendeve që nuk janë anëtare u jepet imuniteti, atëherë shtetet e dështuara do të festojnë me shampanjë”, ka thënë një diplomat evropian.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit gjithashtu janë të shqetësuar se me sjelljen e tillë, amerikanët do bënin një presedencë, kështu që Këshilli i Sigurimit do të duhej t’i rishqyrtojë marrëveshjet ndërkombëtare.
Rezoluta për Bosnjen i prek të dyja llojet e forcave atje. Njëra është forca policore me rreth 3.300 pjesëtarë, të cilët janë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Kombeve të Bashkuara. Kjo forcë në fakt do të duhej të pushojë së ekzistuari pa vazhdimin e mandatit nga Këshilli i Sigurimit.
Forca tjetër e 19 mijë paqëruajtësve të SFOR-it nuk varet nga financimi i Kombeve të Bashkuara. Mandatin e tyre e finansojnë vetëm disa shtete, më së shumti Gjermania.
Ndonëse marrëveshja për Gjykatën hyn në fuqi në 1 korrik, diplomatët thonë se do të duhen muaj përpara se gjakata të funksionojë. Por, çdo krim i kryer pas 1 korrikut, do t'i nënshtrohet gjykatës në fjalë.

XS
SM
MD
LG