Ndërlidhjet

68 MILIONË VIKTIMAT E RADHSME TË SIDË-s


N. KRASTEV

Një raport i Kombeve të Bashkuara mbi SIDA-n tregon se 68 milionë njerëz do të vdesin nga kjo sëmundje në 20 vitet e ardhshme, derisa vendet e zhvilluara të mos marrin masa të menjëhershme.
Peter Piot, drejtori i programit të Kombeve të Bashkuara, që trajton problemet e SIDA-s, gjatë paraqitjes së raportit tha se epidemia e SIDA-s është ende në fazën e parë:
“Gjetja e parë e këtij raporti është se SIDA vazhdon përhapjen, çfarë e bën të qartë për mua se jemi vetëm në fillimin e epidemisë, që është epidemia më e madhe në historinë njerëzore”.
Madje shtimi i të sëmurëve me SIDA, apo të infektuarve me virusin HIV, nuk ka ndodhur vetëm në vendet e mëdha si Kina e India, apo në vendet e Evropës Lindore, por dhe në ato që deri tani mendoheshin si vende ku epidemia kishte arritur kulmin e vet. Një rast i tillë është Botsvana, në Afrikë, ku numri i të infektuarve në mesin e të rriturve ishte rritur nga 36 për qind 2 vite më parë në 39 për qind.
Sipas Piot epidemia do të prekë në përmasa serioze thuajse çdo vend dhe çdo shoqëri:
“SIDA është një nga shkaqet kryesore të vuajtjeve për individët dhe familjet e tyre, dhe i çon ato drejt varfërisë.
Ajo prek të gjitha aspektet e jetës. Për shembull vetëm vitin e kaluar 1 milionë nxënës në Afrikë humbën mësuesit e tyre si pasojë e SIDA-s”.
Ndoshta gjetja më e rëndë ishte se në 2 dhjetvjeçarët e ardhshëm llogaritet se do të humbin jetën 68 milionë njerëz, derisa shtetet e pasura të mos kontribuojnë me 10 miliard dollarë çdo vit në luftën kundër SIDA-s.
Ndërkaq nga viti 1981, koha e zbulimit të sëmundjes, deri tani kanë vdekur 25 milionë njerëz.
Sipas raportit epidemia e SIDA-s ka përhapjen më të shpejtë, në nivel global, në Rusi dhe Evropën Lindore. Dhe kjo kryesisht në mesin e përdoruesve të drogës.
Një nga arsyet e përhapjes së shpejtë në këto vende është dhe mungesa e informacionit.
Kështu në Taxhikistan vetëm 10 për qind e vajzave në moshën 15 – 19 vjeçe kishin dëgjuar për SIDA-n.Ndërsa në Ukrainë vetëm 9 për qind e adoleshenteve ishin në dijeni të masave parandaluese. Ukraina është nga vendet e goditura më së shumti nga sëmundja, 250 mijë të infektuar në një popullsi prej 50 milionë banorësh.
Por, kreu i programit botëror për luftën kundër SIDA-s mbetet optimist:
“Është e qartë se në 2 vitet e ardhshme bota po hyn në një epokë të re të luftës kundër SIDA-s. Cdo vend ka ngritur komitetet kombëtare të luftës kundër SIDA dhe kanë bërë premtime të gjitha strukturat politike”, thotë Piot
Madje rezultatet pozitive të arritura në Poloni, apo dhe në Hungari, Çeki e Slloveni, që kanë programe kombëtare efikase në luftën kundër SIDA-s, mbështesin këtë optimizëm.
XS
SM
MD
LG